3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Haxhi Ali Derhemi (1850-1938)

Më të lexuarat

I dekoruar me urdhrin “Skënderbeu” Klasi I”, 1937

Lindi në Tiranë, në një familje fisnike, autoktone, rreth vitit 1850. I ati i tij, Hasan Derhemi, ka qenë intelektual i shquar i kohës, jurist, inspektor gjyqesh për vilajetin e Shkodrës. Ali Derhemi, pas medresesë në Tiranë, mbaroi shkollën ekonomike osmane dhe për vite ka qenë inspektor financash për Kavajën, Durrësin, Shijakun etj.

Bashkëkohësit e tij e mbajnë mend si njeri shumë të zgjuar dhe bamirës. Vite me radhë ka dhënë lëndën e matematikës në medrese. Nga fillimi i viteve 20 të shek. XX e në vazhdim, disa herë radhazi është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, kurse në vitet 1923-1924, zv/kryetar i Bashkisë. Më vonë, deri sa ndërroi jetë, ka punuar në Komunitetin Mysliman. Qeveria e Ahmet Zogut, duke vlerësuar shumë veprimtarinë e tij në dobi të popullit shqiptar, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, së bashku me atdhetarë të tjerë të shquar e dekoroi me Urdhrin e Skënderbeut të Klasit I.[1]

Njerëzit e shquar nuk i kanë munguar asnjëherë vendit tonë, sidomos në situatat e vështira që ka kaluar populli shqiptar. Kështu, pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, u pa e domosdoshme krijimi i institucioneve të një shteti sovran.

Në krye të këtyre teologëve atdhetarë të shquar, që veprimet e tyre gjithmonë i kanë bazuar në ndjenjat fetare e atdhetare, ishte Haxhi Vehbi Dibra, që u ndoq nga shumë shokë, të cilët, nëpërmjet Kongresit Mysliman të mbajtur nga fillimi i viteve ’20 të shek. XX, themeluan Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Krijimi i Komunitetit duhej dhe u shoqërua me një radhë masash administrative si:

  1. Hartimi i dokumentacionit ligjor për mbarëvajtjen e institucionit të Fesë islame në Shqipëri.
  2. Ndarja administrative e shoqëruar me emërimin e kuadrit përkatës: myfti, imam, vaiz, etj.
  3. Rregullimi dhe inventarizimi i pasurive vakfnore.
  4. Vendosja mbi baza specifike për vendin tonë e arsimimit të kuadrit fetar.
  5. Propaganda: botimi i revistës dhe librave, etj.

Haxhi Ali Derhemi ka qenë gjithashtu edhe në detyrën e zv/kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Disa vite më vonë, në administratën e Komunitetit, u bënë ndryshime, p.sh. Haxhi Vehbi Dibra, nga kryetar u bë kryemyfti, kështu edhe Haxhi Ali Derhemi, nga zv/kryetar u bë ndihmëskryemyfti, post në të cilin qëndroi derisa ndërroi jetë, më 1938.

Për sa i përket punës së tij si zëvendës i Haxhi Vehbi Dibrës, krahas ndihmës së madhe në Komunitetin Mysliman, vlen të përmendet se, si ekonomist që ishte, ndihmoi shumë në evidentimin dhe inventarizimin e pasurisë së patundshme të vakfeve në Shqipëri, si edhe në konsolidimin e administratës vakfnore.

Për sa i përket shpirtit të tij si besimtar e klerik i devotshëm, sot mund të shkruhen shumë gjëra për të dëshmuar cilësitë e virtytet e tij të larta, por këtu mund të përmendim një shkrim të botuar në revistën “Zani i Naltë, nr. 2-3 tetor, nëntor 1933, me titull: “Vepra shpirtërore e Haxhi Ali Derhemit, ndihmës i kryemyftiut, ku midis të tjerash thuhet se “Hirësija e tij Haxhi Ali Derhemi, i frymëzuem nga shpirti i naltë i vet, ka vendosur që pasurinë që ia ka falë i madhi Zot, ta shpenzojë në rrugë të Zotit, dhe kështu ka projektuar një plan për me krye disa vepra të pavdekuna…meremetimin e xhamisë së Shehit të vogël, duke shpenzuar 900 franga ari dhe së shpejti do të fillojë meremetimin e xhamisë së Tetovës etj”.

I tillë klerik i devotshëm ka qenë ai dhe sa jetoi, gjithçka: mendje, zemër e pasuri, ia kushtoi idealit, Islamit. Ndërroi jetë dhe u përcoll shumë i nderuar e i respektuar nga populli i kryeqytetit në vitin 1938.

Marrë nga Libri “100 Personalitete Shqiptare Të Kulturës Islame”

[1]. Basha, Ali, gazeta “Drita Islame”, nr. 11 (72), qershor, 1995: 3.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit