4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Harresa shtetërore për minierat e pasura të Kishnicës

Më të lexuarat

Katër minierat e kompleksit të minierave në Kishnicë ndodhen të përmbytura nën ujë, ndërsa infrastruktura përcjellëse, flotacioni dhe ndërtesat e administratës, gati janë të rrënuara nga mungesa e investimeve dhe përkujdesjes shtetërore për këto 20 vjet nga paslufta.

Mehmet GJATA & Agon SINANAJ

Në Kosovë, në vitet e pasluftës ka munguar totalisht përkujdesja ndaj sektorit të minierave. Minierat kosovare që nga qeveria e përkohshme, e deri te kjo e fundit, praktikisht janë lënë nën mëshirën e fatit, të brejtjes së kohës, të vërshimeve dhe të dëmtimeve të tjera ordinere, që nuk kanë ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Nuk ka ndodhur kjo indolencë dhe papërgjegjësi e skajshme institucionale ndaj pasurive nëntokësore, në asnjërin nga shtetet që pak a shumë kanë kaluar tranzicionin nga sistemi socialist në atë kapitalist tërësisht ngjashëm me ne.

Kur i sheh me sy dhe i prek me dorë pasojat e dëmeve të shkaktuara, më shumë nga neglizhenca totale e institucioneve shtetërore, mosinteresimi fare për to nga ata që e kanë detyrë dhe përgjegjësi përkujdesjen për minierat në përgjithësi, dhe domosdo për minierat më premtuese të plumbit dhe zinkut të Kosovës, tmerrohesh, nga përmasat e frikshme të dëmeve.

Në këtë gjendje, pranë kolapsit total, ndodhen katër minierat e kompleksit të minierave në Kishnicë, të katërtat të përmbytura nën ujë, ndërsa infrastruktura përcjellëse, flotacioni dhe ndërtesat e administratës, gati janë të rrënuara nga mungesa e investimeve dhe përkujdesjes shtetërore për këto 20 vite nga paslufta.

Qe në hyrje të Kishnicës, pamja duket gati joreale, ndërtesa të ngritura si gërmadha, teknologji e stërvjetëruar të një kohe e sistemi tjetër, pa asnjë investim të vetëm me vite të tëra. Ndërtesa e flotacionit në Kishnicë, gati e rrënuar nga amortizimi, sot punon me kapacitete minimale. Kapaciteti përpunues është vetëm përpunimi i xehës si lëndë e parë, pra si koncentratë, por jo edhe produktin final.

Kishnicë.

Të gjitha horizontet e minierave të Kishnicës janë të përmbytura nën ujë. Nuk punon fare qe 20 e sa vjet Miniera e Hajvalisë, xeherore e veçuar për nga përqindja më e lartë e metaleve në trupin minerar. Nuk punon fare që nga 2000-shi as Miniera e Kishnicës, as ajo e Badovcit, as miniera sipërfaqësore e plumbit dhe zinkut në afërsi të drejtpërdrejtë të minierës së Kishnicës, ndërsa punon vetëm pjesërisht Miniera e Artanës (Novobërdos së dikurshme), dhe atë vetëm në horizontet 4 dhe 5, pasi që horizontet e tjera, gjashtë-shi, shtatë-shi dhe tetë-shi, janë të përmbytura nga uji, ndërsa këto horizontet e fillimit kaherë janë jashtë funksionit për shkak se xehja që kanë përmbajtur këto horizonte, kaherë është eksploatuar.

Dhe a e dini pse nuk punojnë këto miniera qe 20 vjet? Për shkak të mungesës së nje pompe apo disa pompave për pompimin e ujit.

“Mungojnë pompat që 20 vjet për nxjerrjen e ujit nga horizontet, minierat janë dëmtuar goxha shumë nga uji, nuk ka pasur investime asnjëherë”, thotë Bislim Fetahu, Drejtor i Njësisë Biznesore Kishnicë-Artanë, i ulur në zyrën e tij në një objekt tjetër pranë atij të flotacionit, po ashtu në gjendje të rëndë.

Bislim Fetahu, Drejtor i Njësisë Biznesore Kishnicë-Artanë

Dikur në vitet e para pas luftës, një pompë e këtillë fare lehtë ka mundur të sigurohet për 30 mijë marka gjermane, e shumë me 50 mijë sosh. Prandaj, sot nga numri i madh i xeheroreve (12 sosh gjithsej, prej tyre 8 të metaleve, më saktësisht të plumbit dhe zinkut, dhe 4 miniera të jometaleve) që kanë funksionuar deri në vitet e luftës, në procesin e punës gjenden vetëm 4 miniera të plumbit dhe zinkut: Stantërgu, Artana (Novobërda) pjesërisht, dhe xeheroret: Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë).

Statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv. Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, ajo e Kishnicës, e Badovcit, sikundër edhe miniera sipërfaqësore në afërsi të Kishnicës, sikundër që nuk punojnë kaherë Deva, Karaqeva, Minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë.

Miniera e Hajvalisë, për mungesë të një pompe mbi 20 vjet nën ujë

Është për të ardhur keq, madje për t’u shqetësuar shumë kur dëgjon arsyetimet për shkaqet e mbylljes tash e mbi 20 vjet të këtyre minierave. Nuk ka njeri normal që nuk tronditet thellësisht kur dëgjon se Kosova, qoftë edhe e varfër dhe vogël siç është, ishte në gjendje të ndërtojë dy autostrada të kushtueshme boll shumë, ishte në gjendje të falë me miliona euro borxhe ndërmarrjeve publike dhe t’u plotësojë kërkesat sot e kësaj dite të diskutueshme kontraktuesve të ndërtimit të autostradave, dhe nuk paska qenë në gjendje të sigurojë një pompë për pompimin e ujit me kosto 30-50 mijë marka gjermane.

Ta zëmë, Miniera e Hajvalisë nuk punon tërë këto vite për shkaqe shumë të pakuptimta, për shkak të mungesës së një pompe për pompimin e ujit që ka përmbytur horizontet e kësaj xeheroreje. Shkaku del të jetë fare i pakuptimtë, pasi që, siç rrëfejnë ish-xehetarë të kësaj miniere, pompa, aq e domosdoshme, nuk është siguruar kurrë nga asnjë qeveri e deritashme dhe nga asnjë institucion tjetër kompetent, sado që çmimi i saj bëhet e ditur të ketë qenë rreth 30 mijë marka gjermane dhe më vonë ndër vite përafërsisht po kaq euro. Kjo pompë e munguar është shkaku i mbylljes së kësaj miniere.

Hyrja në minierën e Hajvalisë. Të gjitha horizontet ndodhen të përmbytura nën ujë.

Ndërsa, ish-inxhinierë të xehetarisë dhe ish-udhëheqës të kësaj miniere, për Buletinin Ekonomik rrëfejnë se nuk kanë lënë derë pa trokitur, që nga ditët e para pas luftës, për të kërkuar sigurimin e kësaj pompe. Por, siç thonë ata, edhe pse çmimi i pompës nuk ishte fare i papërballueshëm për financat që kanë pasur në dispozicion institucionet e vendit edhe në ato vite, vendimmarrësit e proceseve zhvillimore, pra edhe ata që e kishin për detyrë përkujdesjen për mbarëvajtjen e procesit të punës në minierat e vendit, nuk dëgjuan asnjëherë që t’i qasen këtij problemi, që realisht ishte lehtësisht i përballueshëm. Sipas ish-inxhinierëve të kësaj miniere, që preferojnë të mbesin anonim, nga zyrtarët dhe udhëheqës të institucioneve pati jo pak përgjigje qesëndisëse, ironike dhe sarkazmë rreth kërkesave të xehetarëve për ta aktivizuar Minierën e Hajvalisë.

A ka marrë fund Hajvalia e pyesim për Buletinin Ekonomik, Bislim Fetahun, drejtorin aktual të Kompleksit minerar Artanë, Hajvali, Kishnicë, Badovc dhe i Flotacionit në Kishnicë, një gjeolog me përvojë të imponueshme dhe që ka punuar thuaja në të gjitha këto miniera, qoftë në vende udhëheqëse qoftë më pak udhëheqëse?

“Jo, Hajvalia mund të rimkëmbët edhe tani, por dihet me një kosto paksa më të kushtueshme se sa në vitet e para. Tani, nuk dihet gjendja e saktë e dëmtimit të Hajvalisë, përmasat e dëmeve, e sidomos nuk dihet dëmtimi i pajisjeve dhe makinerive në të 6 horizontet e kësaj miniere, që janë të përmbytura që nga pasluta nga uji”.

Por, Fetahu thotë me bindje se Hajvalia ka mundësi reale që të rimëkëmbet dhe duhet medoemos të rifillojë punën edhe për shkakun se xehja e Hajvalisë përmban përqindje shumë të lartë të metalit, madje 9,5 për qind, që është larg mbi përqindjet e të gjitha minierave në shtetet e rajonit dhe mbi përqindjen e xeheroreve të tjera të Trepçës që arrinë diku deri në 3,5 për qind. Edhe për faktin se 600 tonelata xehe sa nxirreshin brenda vitit në Hajvali, e kanë pasur vlerën sa e gjithë xeheja që merrej bashkarisht nga Kishnica, Badovci dhe Artana.

Rezervat gjeologjike të konstatuara në minierën e Hajvalisë arrijnë në 1 milionë e 249 mijë e 287 tonë xehe të plumbit dhe zinkut.

Fetahu për Buletinin Ekonomik ngul këmbë se rifillimi i punës në Hajvali është fare i mundshëm qoftë me investime vetjake, të Kosovës, qoftë me partneritet publiko-privat. Ai shpjegon se Ligji i ri për Trepçën i lejon investimet me partneritet publiko privat, por edhe duhet shfrytëzuar mundësitë e reja të krijuara nga ligji i ri për Trepçën si dhe përkushtimin e Qeverisë së re.

Nuk duhen shuma marramendëse për ta riaktivizuar Hajvalinë, siç duket nga pamjet e jashtme të ambienteve të kësaj miniere, që dorën në zemër më shumë ngjasojnë në ambiente kaherë të braktisura, të lëna pasdore dhe shkretë, në pamje të trishtë. Pamje tipike surealiste që shihen edhe nga fotografitë, të bëhen të pranueshme dhe tërheqëse sidomos për xehetarët, që përditë ëndërrojnë t’u kthehen horizonteve të Hajvalisë.

Objektet e lëna pas dore pranë minierës së Hajvalisë.

Ka pasur, ka dhe vazhdon të ketë interesime edhe nga investitorë serioz për ta riaktivizuar Hajvalinë. Një kompani potente dhe me përvojë nga Çekia ka ofruar projektin për largimin e ujërave nga horizontet e minierës, duke ofertuar edhe  900 mijë euro investime si dhe asistencë me staf të kualifikuar dhe të dëshmuar për largimin e ujërave nga minierat. Ka pasur dhe ka edhe shprehje interesimi të tjera, thotë Fetahu.

Tani, pas kaq gjatë vitesh pezullim të dhunshëm të minierës së Hajvalisë (për pasojë kryekëput të përmbytjes me ujë), vetëm me largimin e ujërave nga miniera, nga horizontet e saj, nuk kryhet e gjithë puna për riaktivizimin e Hajvalisë së pasur me xehe plumbi dhe zinku. Përmbytja për një kohë kaq të gjatë, pothuaj mbi 2 decenie, lë pasoja të shumta. Duhet lënë të thahen horizontet pas zbrazjes nga ujërat për një kohë, një ose dy vjet së paku, duhet parë a ka ndonjë shembje, apo rrezik potencial për shembje pas kësaj përmbytjeje të gjatë dhe duhet ripërtërirë mekanizmi dhe makineria e dëmtuar nga korezioni dhe dëmtimet e tjera. Por këto të gjitha, sipas Fetahut, bëhen, madje me një kosto fare të përballueshme edhe për buxhetin e vobektë të Kosovës. Por duhet të bëhen llogaritë e sakta dhe të ekzistojë vullneti edhe politik edhe institucional që kjo punë të bëhet.

Aktivizimi i Minierës së Hajvalisë ka përfitime ngazëllyese edhe për qytetarët e kësaj ane, edhe për Trepçën, edhe për institucionet, edhe për mbushjen e arkës së shtetit me fitime të mira edhe me punësimin e qindra punëtorëve të rinj.

Kishnica me flotacion të rrënuar

Njësoj, pothuajse fare identik qëndron problemi i xeherores tjetër të këtij kompleksi minerar, i xeherorës së Kishnicës, që është fare pranë Minierës së Hajvalisë dhe për ironi të fatit, nuk funksionojnë as njëra as tjetra dhe janë të mbyllura qe më shumë se 20 vjet për shkak të përmbytjeve nga uji.

Bislim Ferati, që është drejtor edhe i kësaj miniere, me emocione rrëfen se si u la nën mëshirën e kohës Kishnica, si nuk e ktheu kurrë ndër këto vite, kush nga përfaqësuesit institucional kokën këtej.

“As që u kujtua kush ndonjëherë të përkujdeset, të bëjë një përpjekje më të voglën për ta shpëtuar Kishnicën”, thotë i pikëlluar skajshmërisht drejtori.

Nga kjo pakujdesi totale dhe papërgjegjësi e skajshme institucionale, Kishnica tashmë vazhdon të mbetet e përmbytur nga ujërat dhe të dëmtohet ndjeshëm nga dhëmbi i kohës, horizont për horizont, galeri për galeri nga uji. Ndërkaq, jo pak pajisje, që kanë ngelur nëpër horizonte edhe të kësaj miniere janë dëmtuar me gjasë edhe në përmasa të pamundësisë për t’i përdorur ato më, nga korezioni dhe pasojat e tjera që janë imponuar nga vërshimi shumëvjeçar i tyre.

Edhe Kishnica është tejet e pasur me xehe të plumbit e zinkut, me 1 milionë e 330 mijë tonë rezerva të konstatuara.

Një problem tjetër që nga dita në ditë po bëhet serioz dhe shqetësues në Kishnicë është sterili, mbetjet nga Flotacioni, që përmbajnë edhe xehe goxha shumë, për shkak të vjetërsisë së Flotacionit të ndërtuar qysh në vitet 60-ta të shekullit të kaluar, dhe në të cilin asnjëherë të vetme nuk është bërë asnjë investim për ripërtritje, ose rikonstruktim të ndonjë pajisjeje, stabilimenti apo makinerie. Pra, si shkak i stërvjetërsisë së Flotacionit, sterili, kështu si është, edhe me përbërje jo të paktë të xehes së plumbit, por edhe me materie potencialisht ndotëse të ambientit dhe të shëndetit të njeriut, deponohet (hudhet) në afërsi të drejtpërdrejtë me Flotacionin, në kodrën afër dhe bëhet barrë për procesin e punës në këtë kompleks minerar. Më herët ka pasur oferta, që kanë ofruar kosto goxha të mirë dhe të leverdishme për shitjen e sterilit, por për shkaqe të panjohura ai nuk është shitur.

Gjendja e rëndë e Flotacionit në Kishnicë,

Dhe tani, me kalimin e kohës, sipas drejtorit Bislim Fetahu, nga viti në vit po bëhet një tjetër barrë e rëndë për njësinë biznesore të Kishnicës, që është gjithnjë në kuadër të Trepçës. Sipas Feratit, dikur janë ofruar disa miliona euro për sterilin, ndërsa tani do të nevojiten tre-katër fish më shumë miliona për ta larguar nga kompleksi i Flotacionit. Sterili ka probleme reale për t’u transportuar, pasi që me standarde të shteteve të BE-së, kështu si është, në asnjë shtet të Evropës nuk lejohet të kalojnë mjetet e transportit të ngarkuar me steril, për shkak të materieve ndotëse dhe helmuese që përmban ai.

Miniera e Badovcit nën ujë dhe nën dry

Miniera e Badovcit, një nga më të voglat nga kompleksi minerar Kishnicë, Hajvali, Badovc dhe Artanë, poashtu është në afërsi të Kishnicës, dhe poashtu e përmbytur nga ujërat dhe poashtu që nga viti 2000 është jashtë funksionit.

“Badovci është minierë më e vogël, por rëndësia e saj ka qenë e madhe edhe për shkak të përmbajtjes relativisht të lartë të metalit në xehe. Kjo minierë ka 6 horizonte dhe nga to, kur ka qenë në funksion është dërguar sasi e lakmueshme e xehes në flotacion në Kishnicë”, shpjegon Bislim Ferati. Rezervat e konstaturara të plumbit dhe zinkut në Badovc janë 1 milionë e 639 mijë e 63 tonë.

Edhe miniera e Badovcit është përmbytyr nën ujë për shkak të mungesës së pompave për largimin e ujërave nga horizontet dhe sot qëndron e mbyllur dhe e ekspozuar realisht ndaj dëmtimeve çdo ditë e më shumë.

Duhet saktësuar se në ditët më të mira të punës së minierave Kishnicë, Badovc, Hajvali dhe Artanë, janë nxjerrë mesatarisht rreth 700 mijë tonë xehe të plumbit dhe zinkut, që janë dërguar në Flotacionin e Kishnicës, ndërsa nga superminiera kosovare e plumbit dhe zinkut, pra nga ajo e Stantërgut, kjo sasi e xehes ka arritur edhe në një milion tonalata.

Një ulje e ndjeshme e fitimeve nga minierat ekzistuese në prodhim vie si pasojë e mungesës së një shkritoreje aktive dhe elektrolizës së zinkut. Që të dyja këto komplekse të rëndësishme dhe thuaja të domosdoshme industriale, i ka pasur Trepça, por ka vite që edhe këto janë jashtë funksionit. Dhe, ç’është më keq, as që bënë kush fjalë se ato duhet të funksionalizohen doemos, ose të ndërtohet një shkritore dhe një elektrolizë fare e re për të rimëkëmbur dhe ringjallur industrinë xehetare të Kosovës. Ndryshe, xehet e tanishme do të vazhdojnë të eksportohen si lëndë e parë, e pafinalizuar.

Minera e Artanës, pjesërisht në prodhim dhe me probleme të shumta

Miniera e Artanës, ndër më të mëdhat për nga sipërfaqja, në kuadër të kompleksit të minierave Kishnicë, Hajvali, Badovc dhe Artanë, është e vetmja që funksionon pjesërisht. Pra, Artana punon vetëm në dy horizonte, ose në horizontet 4 dhe 5, ndërsa horizontet 6,7,8 dhe nëntë janë të përmbytura nga ujërat. Horizontet e fillimit, ose 1, 2, dhe 3, nuk janë në funksion për shkak se në to më herët ka përfunduar shfrytëzimi i thuaja rezervave të tëra të xehes ekzistuese. Edhe horizontet e Artanës, të përmbytura nga uji, ka pasur mundësi të shpëtohen, po të ekzistonin pompat për pompimin e ujit dhe po të ekzistonte vullneti i vendimmarrësve për këtë, thonë ish-xehetarë dhe inxhinierë të kësaj miniere.

Miniera e Artanës është më e pasura me rezerva të xeheve të plumbit dhe zinkut në kompleksin e minierave të Kishnicës. Rreth 7 milionë tonë janë rezervat e konstatuara me plumb e zink në Artanë.

Në Artanë, në fakt, problemet si duket kanë filluar që me ardhjen e udhëheqjes së dhunshme serbe, në vitet 1990-1999, periudhë kjo me shumë të panjohura për kuadrot e mëpastajshme shqiptare, dhe me shumë misteriozitete edhe për drejtorin aktual Bislim Ferati. Nuk dihet saktësisht, si është bërë eksploatimi i trupave minerar në horizontet e përmbytura, në çfarë sasie dhe në çfarë përqindjeje të përmbajtjes së metalit në xehe. Dihet vetëm se në këto vite, serbët e kanë eksploatuar Artanën dhe kanë dërguar sasi të paverifikuara sot të xehes në Flotacion. Tani është e ditur se ka pak rezerva xeheje të plumbit dhe zinkut sipër horizontit të gjashtë, ndërsa rezervat në horizontet e poshtme nga i gjashti deri te i nënti janë të përmbytura nga uji. Në Artanë aktualisht janë të angazhuar gjithsej 126 punëtorë. Në këtë numër hyjnë xehetarët, punëtorët e administratës dhe ata të sigurimit.

Një rreze shprese sa i përket perspektivës dhe ardhmërisë së Artanës ka ngjallur zbulimi i një minerali të kushtueshëm, atraktiv në treg dhe në disa lëmi të ndryshme industriale. Është fjala për metalin e Hallojzitet, të zbuluar vite më herët në horizontet e Artanës, që ka ngjyrë të bardhë dhe është fare i butë. Për këtë mineral interesim të madh kanë shprehur gjermanët dhe, siç kanë thënë ata, janë në pritje për të investuar në eksploatimin e këtij minerali. Kërkesat gjermane, që janë shumë serioze, siç thotë drejtori Bislim Fetahu, janë dorëzuar në ministrinë përkatëse të Kosovës, dhe ato janë diku nëpër sirtarët e ministrisë, por dikush i ka shmangur qëllimisht.

Sipas përllogaritjeve të para, vlerësohet se vendburimi i zbuluar në Artanë ka diku rreth 2,5 milionë deri në 3 milionë tonelata rezerva të xeherorit hallojzit. Drejtori mendon se këto rezerva janë shumë herë më të mëdha, dhe ato e bëjnë perspektivën e Artanës shpresëdhënëse.

Pos gjermanëve, që kanë shprehur sheshit interesimin dhe kanë marrë mostra të shumta të hallojzitit, pas luftës janë paraqitur dhe kanë shfaqur interesim edhe kompani të tjera të shumta. Janë marrë jo pak mostra, por ende ndonjë kërkesë konkrete nuk ka ardhur në Artanë.

Gjermania, në nivel ministrie dhe nëpërmjet GIZ-it ka financuar gjithë projektin  për të studiuar dhe analizuar mineralin e hallojzitit të Artanës.  Dr. J. Schomburg, një ekspert i specializuar për xeherorin hallojzitit, në bashkëpunim me stafin menaxhues të Trepçës dhe të Kishnicës kanë marrë mostra në Minierën e Artanës, të cilat janë dërguar për analiza të detajizuara në DURTEC GmbH. Duhet thënë se të gjitha procedurat janë udhëhequr nga profesori Schomburg. Nga rezultatet e analizave komplese (në Kishnicë i kanë të gjitha këto analiza) del se Hallojziti i Artanës është me cilësi të lartë. Nga analizat rezulton se mesatarja e përbërjes së hallojzitit është 95 për qind, i pastërt. Nga një tonelatë mineral hallojziti janë fituar 800 kilogramë produkt i pastërt i mineralit. Prandaj, në kompleksin e minierave Kishnicë, Hajvali, Badovc dhe Artanë, vlerësojnë se duhet urgjentisht të bëhen përgatitje për investime në hulumtim të mëtejshëm dhe për përgatitje të infrastrukturës, që krahas shfrytëzimit të mineralizimeve të plumb-zinkut të fillohet me shfrytëzimin e mineralit të hallojzitit

Ndërsa, dihet dhe është evidente se përgjegjësinë për këtë moskujdesje të skajshme ndaj kësaj pasurie të vendit, e kanë qeveritë njëra pas tjetrës që nga paslufta. Por, Bislimi thotë se nuk mund të amnistohet as Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, që me një inferioriet goxha brengosës po injoron problemin.

Tashmë, nuk mjafton vetëm të fajësohen qeveritë e deritashme, Qeveria aktuale, por ministritë përgjegjëse për minierat duhet të nisin punët, madje pa humbur kohë, që të vendoset për fatin e minierës së Hajvalisë dhe të Kishnicës.

Ndërsa, zgjidhja nuk është edhe aq e komplikuar, sipas Bislimit. Ato duhet fillimisht të pastrohen nga ujërat dhe pastaj të sigurohen pajisjet e domosdoshme për eksploatimin e xehes së plumbit dhe zinkut në këto vendburime aq premtuese minerare dhe të fillojë puna. Sepse, siç thotë drejtori i këtyre minierave, Fetah Bislimi: “Çka të pritet më shumë, problemi do bëhet më i madh”. /Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit