Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi sot nga Qeveria e Kosovës që të veprojë urgjent dhe të mos lejojë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Haradinaj në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se kohë më parë është hartuar baza ligjore për liberalizimit e tregut të energjisë elektrike por në emër të liberalizmit po ndodhë monopoli sepse vetëm një operator është funksional.
“Kërkoj veprime të menjëhershme nga qeveria në mënyrë që të pengohet ngritja e çmimit të energjisë elektrike… Në këtë rast të gjithë konsumatorët industrial do të preken menjëherë nga rritje e çmimit 30 deri 40 për qind. Kjo do të shkaktojë rritje zinxhirore të çmimeve, edhe të artikujve ushqimor si dhe do të ketë pasoja edhe për vendet e punës dhe largimin e investitorëve…”, tha Haradinaj.
Ai më tej kërkoi nga Qeveria që në mënyrë urgjente të kompletojë bordin e ZRRE-së dhe të kërkojë menjëherë pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë.