Një video po qarkullon nëpër rrjetet sociale, në të cilën shfaqet Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke dhënë një intervistë në gjuhën angleze, transmeton Zëri.
Në këtë intervistë (a bisedë), Haradinaj flet për fenë Islame, por edhe për atë të krishtere. Ai thotë se familja e tij, prej katër gjeneratash kanë qenë shqiptarë katolikë, ndërkaq thekson se nuk e ndjen veten mysliman.
“Familja ime për katër gjenerata kanë qenë shqiptarë katolikë. Unë kam lindur mysliman, por s’e di pse jam mysliman për shkak se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në xhami, as për falje e as për asgjë tjetër”, ka thënë Haradinaj në këtë intervistë në gjuhën angleze.
Më tej, ai jep sqarime se si ka depërtuar feja myslimane në trojet tona nga Perandoria Osmane e tutje.
“Edhe emrat tonë janë të ndryshëm, apo emra të vjetër ilirë. Feja për ne ka qenë vetëm një jetë
fetare në administratë, gjatë kohës së osmaneve, pra gjatë kohës kur Osmanet kanë qenë në
pushtet apo turqit e mëparshëm. Ka pasur raste kur ata kanë qenë kundër kësaj por kurrë
asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e identitetit të jetës sonë”, ka thënë Haradinaj.
Tutje lideri i AAK-së ka thënë se edhe pse shqiptarët i quajnë mysliman ata nuk jetojnë një jetë
sikurse ata.
“Disa njerëz na quajnë mysliman por ne madje as nuk jemi si ata sepse ne jetojmë në një
mënyrë të veçantë, të veçantë edhe nga jeta e feve të tjera si katolikët, protestantët,
ortodoksët, etj. Më vonë, pas 1999-ës kemi disa tendenca që janë parë në të gjitha vendet e
botës”, thotë ai por këtu edhe ndërpritet fjalimi i tij.