Kryeministri në ikje Ramush Haradinaj, e ka arsyetuar humbjen e tij në zgjedhjet e 6 tetorit me votë të refuzuar muslimane.
“Kam qenë kundër shkuarjes në luftë në Siri të kosovarëve. Aty kam humbur vota se u keqkuptova nga besimtarët e devotshëm. Sot unë i kam kthyer të gjithë ato gra e fëmijë nga Siria. Kanë vdekur 150 kosovarë atje dhe askush nuk mban përgjegjësi. Unë nuk jam ai politikani që e harxhon kohën në media dhe pasurinë e hedh në biznese se kështu do i kisha fituar 30%”, tha Haradinaj në Open-in e Eni Vasilit, cituar nga TCH.
Në fakt, i gjithë lidershipi kosovar e jo vetëm Haradinaj, është shprehur ashpërsisht kundër shkuarjes së kosovarëve në Siri.
Zgjedhjet e tetorit e çuan Haradinajn në opozitë, pas një rezultati tejet të dobët të partisë së tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo ishte hera e parë që ai ofronte një arsye mbi humbjen e tij, ndërkohë që priste të fitonte me kartën e fortë të taksës 100 për qind mbi mallrat serbe, e gjithashtu të integritetit territorial të Kosovës, përballë tezës së Thaçit për korrigjim kufijsh. /tesheshi.com/