1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Hapja e bizneseve nëpërmjet remitencave

Më të lexuarat

Mbi gjysmë miliardë euro në vit llogaritet shuma e të hyrave nga mjetet e diasporës në Kosovë. Ndër vite, këto mjete janë shpenzuar për konsum ditor, derisa një pjesë shumë e vogël e tyre janë të dedikuara për investime.

Mekanizmat përkatës që merren me investimet e diasporës dhe ekspertë të fushës në Kosovë, thonë se këtyre mjeteve duhet ndërruar orientimi dhe duhet të investohen në biznese familjare apo biznese të vogla, ku do të krijoheshin vende të reja të punës.

Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për investime të diasporës në Ministrinë e Diasporës në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bashkëpunim me bizneset e diasporës, janë duke u koordinuar që këto remitenca të shndërrohen në biznese.

“Mbetet që diaspora, zyra e rrjeteve të bizneseve të Diasporë shqiptare që vepron në 25 vende të ndryshme të botës dhe zyra në Nju York, bizneset e diasporës që janë të përfshirë në këtë rrjet të shikojnë të gjejnë projekte të ndryshme dhe t’i kanalizojnë këto remitenca në projekte konkrete dhe në hapjen e vendeve të reja të punës dhe hapjen e bizneseve të vogla”, thekson Dedushaj.

Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra.

Paratë e diasporës, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, janë jetike për ekonominë e Kosovës dhe një ndër faktorët kryesor që ndihmon luftimin e varfërisë në Kosovë.

Sipas tij, tendenca e orientimit të këtyre mjeteve në investime mund të bëhet, por që mund të jetë problematik bashkimi i mjeteve.

“Vëllimi i dërgesave në nivel nacional nuk ka shënuar rënie, mirëpo shuma që ata dërgojnë, është e vogël dhe është goxha problematik bashkimi i tyre për investime. Por, nëse ka ide konkrete biznesi, diaspora në vend se të dërgojë për dy tri vite nga 300 apo 500 euro në muaj te familjarët, do të ishte mirë të marrin një kredi ta dërgojnë te familjaret e tyre dhe të krijojnë biznese të vogla dhe të mesme, që do të gjeneronin vende pune për familjarët e tyre dhe nuk do të kishin më nevojë të dërgonin remitenca”, vlerëson Gashi.

Nga takimet që janë zhvilluar me bizneset nga diaspora dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, të cilat vazhdimisht të dërgojnë mjete te familjarët e tyre në Kosovë, thuhet të ketë një interesim për orientimin e mjeteve të tyre në investimeve.

Naim Dedushaj nga Ministria e Diasporës thotë se për këtë interesim të bizneseve po punohet që të krijohen kushte më të mira për ta.

“Për vetë faktin që edhe remitencat kanë rënë, shihet se edhe ata po mendojnë se në çfarë forme t’i ‘rehatojnë’ familjet e tyre. Që nga pas lufta, por edhe para luftës, mërgata shqiptare ka dërguar para të vazhdueshme duke ndihmuar edhe shtetin e Kosovës, por sidomos pas luftës kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe në ndërtimin e Kosovës”, sqaron Dedushaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte premtuar lehtësira për diasporën për hapjen dhe fillimin e bizneseve në Kosovë.

Ata kishin thënë se duhet të rritet pjesa e remitencave që dedikohet për investime, në mënyrë që të gjenerohen vende pune dhe zhvillim ekonomik, duke përfshirë sektorin e prodhimtarisë, shërbimeve dhe të bizneseve familjare.(REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit