MANCHESTER (AA) – Trendet më të fundit në stilin e jetës së muslimanëve të Britanisë së Madhe janë në qendër të vëmendjes në Manchester, ku është hapur panairi dyditor i cili synon të tërheq rreth 15.000 vizitorë.
Njëri nga organizatorët e eventit të titulluar “Muslim Lifestyle Expo” (MLE), Rauf Mirza, tha se ngjarja synon të shfaq muslimanët në një frymë pozitive.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Mirza tha se gjatë tre viteve të fundit, vazhdimisht kanë bërë përpjekje që të nxjerrin në dritë imazhin pozitiv dhe mënyrën moderne të jetesës së muslimanëve britanik.
“Në ngjarjen në fjalë marrin pjesë biznese të shumta nga të gjitha pjesët e Britanisë së Madhe”, tha ai.
Mirza shprehu kënaqësinë e tij nga interesimi i shfaqur, ndërkohë që njoftoi se kanë ftuar njerëz të shumtë të cilët nuk i përkasin fesë islame, për të parë nga afër pasurinë të cilën e ofron kultura islame.
Me stenda të tyre, në panair marrin pjesë edhe policia e Mançesterit (Greater Manchester Police), Forcat Mbretërore Ajrore dhe qeveria britanike (Home Office), në mënyrë që t’iu prezantojnë vizitorëve projektin e tyre për punë me komunitetin.
Në njërën nga ekspozitat e panairit ka folur artistja Ranaaz Shahid, e cila dha pikëpamjet e saj për inspirimin që ka marrë nga Islami për punën e saj në kaligrafi.
“Kamë marrë për model shabllonet e gjeometrisë islame. Gjatë udhëtimeve të mia, takoj shumë jo-muslimanë të cilët interesohen për kulturën tonë, fenë tonë, dhe për gjeometrinë islame”, tha Shahid.
Zyrtari policor, A. Sardar nga ana e tij foli për arsyet e “Greater Manchester Police”, për të marrë pjesë në panair. Sardar tha për AA se theksi i veçantë është vendosur tek nevoja e policisë për të pasur një diversitet brenda vetes.
“Aktualisht kemi 120 policë muslimanë në Greater Manchester Police”, tha ai për të shtuar se dëshirojnë që ky numër të rritet.
Gaza në 3D
Një stendë bamirësie u dha mundësi vizitorëve që të shohin shkatërrimin e plotë dhe jetesën e varfër të palestinezëve në qytetin e Gazës, përmes syzeve virtuale 3D.
Njëra nga vizitoret, Sara, ka shprehur pikëpamjet e saj përmes asaj që ka parë. Ndërtesa të shkatërruara dhe fëmijë me rroba të grisura i kanë lënë përshtypje më të madhe, tha ajo.
Panairi ofron edhe libra nga autorë muslimanë, por edhe të atyre që nuk i përkasin Islamit.
“Lufta dhe Paqja në Islam”, libër me tre autorë, njëri nga të cilët është edhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, ka pasuruar stendat e panairit, ndërkohë që performanca e bukur e ilahive nga një grup nga qyteti i Birmingamit dhe parakalimi i modeleve me veshje islame janë disa nga ngjarjet të cilat shënuan ditën e parë të hapjes së panairit.
Panairi i parë i mënyrës së jetesës së muslimanëve britanikë për herë të parë u prezantua në vitin 2015.