1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Hapet një furrë buke në burgun për gratë në Lipjan

Më të lexuarat

Në Qendrën Korrektuese për gratë në Lipjan u bë përurimi zyrtar i një furre të bukës.Furra e bukës u hap falë donacioneve të misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-it dhe UNMIK-ut dhe synon fuqizimin e grave që vuajnë dënimet e tyre në burg, duke u mësuar atyre se si ta drejtojnë një furrë buke dhe si të gatuajnë bukë dhe brumëra.

Përmes këtij projekti, personat e dënuar do të kenë një mundësi që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre të bukëpjekjes dhe të bëhen të certifikuar në këtë fushë, gjë që do ta përmirësojë qasjen e tyre në mundësitë e punësimit pasi të lirohen”, ka bërë të ditur EULEX-i përmes një komunikate për media.

Në këtë përurim kanë marrë pjesë, zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Rasim Selmani, zëvendëspërfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm në UNMIK, Barrie Freeman, shefja e njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski dhe përfaqësues të tjerë të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare.

Duke i falënderuar donatorët, zëvendës ministri i Drejtësisë tha se inaugurimi i kësaj furre shënon edhe fillimin e punës për një numër të konsiderueshëm të të dënuarave në këtë institucion.

“Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar për të mbështetur aktivitetet e punës që ndikojnë në rehabilitimin dhe re-integrimin e personave të privuar nga liria, si dhe garantojnë qëndrueshmëri ekonomike të institucioneve korrektuese. Përmes funksionalizimit dhe zgjerimit të kapaciteteve të Njësive Ekonomike në institucionet korrektuese, SHKK do të vazhdojë të angazhojë numër gjithnjë e më të madh të të dënuarve për të arritur këtë qëllim”, citohet të ketë thënë ai.

Kurse ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHKK-sëm theksoi se kjo është një vepër e mirë e cila do t’i shërbejë institucionit dhe, po ashtu, do të ndikojë në programin e punës së të burgosurave të cilat do të punojnë në furrë.

Ato do ta përgatisin veten për jetën postpenale duke qenë të gatshme të vazhdojnë profesionin e tyre. SHKK së bashku me partnerët do të vazhdojë ta përmbush misionin e tij, që është rehabilitimi dhe risocializimi i të burgosurve dhe kjo vepër e tregon përkushtimin tonë të përbashkët”, shtoi ai.

Zëvendëspërfaqësuesi special i skretarit të përgjithshëm në UNMIK, Barrie Freeman theksoi se kjo furrë buke “është një shembull i prekshëm i angazhimit të Kombeve të Bashkuara për Rregullat e Nelson Mandela, të cilat bazohen në besimin se një sistem i efektshëm i burgjeve duhet të sigurojë burgosjen e sigurt të të burgosurve në një mjedis që promovon rehabilitimin dhe rikthimin e tyre në jetën civile produktive.

Ndërsa shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski deklaroi se ky projekt ka në qendër idenë se personat e dënuar mund të fitojnë aftësi bukëpjekjeje dhe përvojë praktike, e cila do t’u ndihmojë atyre të gjejnë punë brenda industrisë së kulinarisë pas lirimit të tyre.Ky lloj pune u jep njerëzve një qëllim dhe një ndjenjë arritjeje dhe është mekanizëm kryesor për ta parandaluar përsëritjen e veprave”, tha ajo.

“Pas ceremonisë tradicionale të prerjes së shiritit, të ftuarit patën mundësinë ta shohin furrën e bukës të pajisur plotësisht, e cila pritet të prodhojë bukë dhe brumëra për Qendrën Korrektuese të Lipjanit dhe tre institucione korrektuese tjera.

Përveç produkteve të pjekura, të burgosurit në institucione të ndryshme korrektuese në Kosovë kultivojnë gjithashtu fruta dhe perime dhe prodhojnë artikuj të ndryshëm, përfshirë qese plastike, maska për fytyrë dhe letër higjienike. Këto produkte i mbulojnë nevojat e institucioneve të ndryshme korrektuese, duke sjellë kursime të konsiderueshme të buxhetit të SHKK-së”, thuhet në komunikatë.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit