Nga: Doktor. Mustafa Ebu Sead
Hapat pozitivë drejt kuptimit të procesit të edukimit.
Selam alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu…
Çdonjëri prej të rinjve kandidatë për t’u bërë prind, e ka për detyrë bazë të kuptojë faktin, se një njeri i arsyeshëm, para se të bëhet prind, duhet të angazhohet në aftësimin dhe përftimin e pjekurisë për të ndërtuar familjen e tij të ardhshme dhe këtë i duhet ta bëjë, para se të ketë lindur fëmija i tij, për të qenë i parapërgatitur në procesin e edukimit të pasardhësit të tij?!
Duhet thënë dhe ri-thënë, që është për të ardhur habi me një njeri, intuita e të cilit nguron që një copë hekur, për shembull, ta vendosë vetë në makinën e tij apo aparatin e tij kompjuterik, apo që nuk lejon kurrsesi që kjo të bëhet nga dora e dikujt, që nuk është mjeshtër dhe kompetent në montimin e tij, ndërsa në procesin më delikat dhe madhor, atë të edukimit të fëmijës së tij, nuk vë si kusht, që personi i cili do të merret me edukimin e fëmijëve, të ketë përgatitjen e duhur në këtë fushë.
Në krahun tjetër është për t’u çuditur me shumë njerëz, të cilët kur marrin një kuzhinier apo një shofer, vendosin si kusht, që ai të jetë mjeshtër dhe i rrahur me punën. Ndërsa personave të cilëve u dorëzojnë edukimin e fëmijëve, nuk u vendosin kushte që të jenë të vetëdijshëm dhe të familjarizuar mirë me metodat e edukimit të fëmijëve.
E nderuar nënë edukatore, më lejo të të pyes:
A ke kryer ndonjë trajnim, a ke mësuar diçka lidhur me edukimin e fëmijëve, a ke lexuar para se të bëheshe me fëmijë?
Gjithashtu edhe ti baba i nderuar, a ke kuptuar dhe mësuar mbi detajet e edukimit të fëmijës tënd, para se të vësh këmbët në terrenin praktik të edukimit të tyre?
Programi i dijetarëve myslimanë të të parëve tanë të sinqertë, ka pasur si slogane të tij të pandarë dy rregullat:
1.“Dituria para punës”,
2. “Bindja e drejtë është themeli i punës së mirë”
Vetë Krijuesi i Lartësuar thotë: “Lexo!… I mësoi njeriu atë që nuk e dinte” [Ikra]
E pra procesi edukativ është një proces, për të cilin duhet të planifikohet dhe programohet koha e mjaftueshme, para se të praktikohet, si dhe të studiohet ashtu siç i takon çdo shkence të perfeksionuar. Ai është një proces artistik, që ka nevojë për afirmimin shkencor dhe eksperiencën e praktikuesit të tij. Ndodh shpesh, që prindi edukator gabojë dhe të prishë punë, ndërkohë që dëshiron është rregullimi. Shembulli i një prindi të tillë i ngjan dikujt, i cili merr përsipër të bëjë një punë profesionale, duke mos ditur thuajse asgjë mbi rregullat dhe sekretet e saj.
Islami, falë elasticitetit dhe përshtatshmërisë së veçorive të tij, nxit gjithmonë që të përfitohet nga e gjithë trashëgimia njerëzore, përderisa kjo trashëgimi hyn në sferën e diturisë së dobishme dhe nuk bie ndesh me ndonjë dispozitë fikse ose me një konsideratë të domosdoshme islame.
Prandaj i nderuar prind edukator, le t`i mësojmë bashkërisht principet e edukimit dhe psikologjisë së edukimit, që të ndihmojmë vetveten dhe të konsolidohemi në praktikimin e procesit të edukimit gjithnjë e më mirë.
Programi islam i edukimit nuk është i mbyllur në vetvete. Ai i ka vendosur kriteret e tij, por njëkohësisht ka lënë vend që të përfitojmë nga edukimi bashkëkohor, të përzgjedhim prej tij çfarë e gjejmë të dobishëm dhe në përputhje me frymën islame, si dhe të flakim tutje gjërat e dëmshme.
Është krejt e mundshme për ne, që këto dituri t’ia nënshtrojmë dispozitave islame, pro objektivave të edukimit islam.
Gjithashtu një tjetër çështje themeltare, që ka të bëjë me kuptimin e procesit të edukimit e ku kërkoj vëmendjen tuaj edukator dhe edukatore të nderuar, është fakti që edukimi posedon dy koncepte të ndërthurura:
1. Edukimi, në kuptimin e përgjithshëm të tij.
2. Arsimimi, si kuptim specifik i edukimit.
Në fakt ne do mundohemi të hedhim dritë rreth konceptit të edukimit, që ka të bëjë me kuptimin e përgjithshëm të edukimit, si një dukuri e lidhur me jetën humane e ku kontribuojnë të gjithë institucionet shoqërore, si: shtëpia, familja, shkolla, xhamia, marrëdhëniet familjare dhe shoqërore etj. Të gjitha këto institucione së bashku influencojnë seriozisht në procesin e edukimit të përgjithshëm.
Arsimi konsiderohet vetëm një pjesë e procesit të edukimit dhe jo tërësia e tij.
Pra edhe njëherë, po flasim për edukimin, në kuptimin e tij të përgjithshëm e të zgjeruar, jo në kuptimin e tij të arsimimit.
Prind i nderuar! E ke për detyrë të jesh i arsimuar, gjë që konsiderohet fillimi i rrugës. Kësisoj, detyra e parë që na del për të edukuar fëmijët tanë, është që të afirmohemi në mësimin dhe edukimin shembullor të fëmijëve tanë; të jemi të vetëdijshëm se edukim i fëmijëve konsiderohet art dhe shkencë që ka rregullat, themelet dhe principet e saj.
Le të fillojmë së bashku me rregullat e edukimit:
Të gjithë ne e dimë, se matematika, fizika etj, janë dituri dhe shkenca që qëndrojnë mbi rregulla dhe themele ekzakte, gjë kjo që është karakteristikë e të gjitha shkencave bashkëkohore.
Lind pyetja:
A mund të standardizohet sjellja e njeriut me rregulla që e fiksojnë këtë proces?!
Edukimi i fëmijëve është art, është shkencë dhe sipas bindjes sime, fëmijët kanë devijuar dhe nuk janë akumuluar në rrymat e devijimit, vetëm pasi baballarët dhe nënat e tyre dhanë dorëheqje nga familjarizimi me shkencën e edukimit, kualifikimi në të dhe rregullat e saj. Për të ardhur keq është fakti, se vërtet shumë prindër as që janë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të edukimit.
Dihet se edhe një teknik, qoftë ai edhe një elektricist duhet të mësojë njohuri dhe të fitojë eksperiencë, që të jetë profesionist dhe t’i perfeksionojë lidhjet e telave të rrymës elektrike. Kjo vlen edhe për mekanikun e makinave, i cili që të arrijë t’i kuptojë misteret e makinave dhe të bëhet profesionist në punën e tij, i duhet të mësojë dhe shpenzojë energji dhe mund; dhe e gjitha kjo kur në fund të fundit kemi të bëjmë me gjëra, që janë sende të ngurta, pa arsye dhe jetë.
Vëlla dhe motër edukatorë! Uni i çdokujt prej nesh është në vetvete një botë e tërë. Çdo njeri zhvillohet, duke kaluar në periudha të ndryshme të zhvillimit. Kur flasim për njeriun, duhet të dimë se njeriu një vjeçar ndryshon nga njeriu dy vjeçar. Kur fëmija arrin moshën shtatë vjeç ai ndryshon nga tre ose katër vjeçar, mosha e adoleshencës ndryshon nga mosha e fëmijërisë e kështu me radhë.
Veç kësaj, njeriu në fëmijëri kalon në një sërë stadesh zhvillimi, që i takojnë disa periudhave dhe çdonjëra prej të cilave është më e komplikuar se tjetra. Prandaj nuk kemi të bëjmë thjesht me një zhvillim trupor, pra nuk rritet dhe zhvillohet vetëm pesha dhe shtati. Bashkë me këto zhvillime tek njeriu zhvillohen edhe sjelljet dhe reagimet e tij, temperamenti dhe bota e tij emocionale, aspekti shoqëror i tij, mendja e tij dhe shumë gjëra të tjera. Përllogariten rreth shtatë kategorizime të zhvillimit human dhe që të gjitha janë gjëra, që ne si prindër duhet të kemi njohuri mbi to.
Duhet të ndërgjegjësohemi një herë e mirë, se kemi të bëjmë me njeriun, që mund të bëjë kthesë e të ndryshojë në çdo moment, nga qetësia në reagim emocional, nga gëzimi në hidhërim, etj.
Ky është njeriu, një qenie e komplikuar dhe ndërlikuar në kulm, prandaj ndërveprimi me të ka nevojë për profesionalizëm, dituri, art, rregulla dhe sistem.
Prandaj kur kemi nevojë t’i orientojmë fëmijët tanë, ne u drejtohemi këtyre rregullave, që na dhurojnë zgjidhjet. Zgjidhjet profesionale na ndihmojnë denjësisht t’ua zgjidhin nyjat problematikave tona reale. Në krahun tjetër, këto zgjidhje na japin imunitet kundrejt “zgjidhjeve (recetave) të gatshme” në të cilat janë “profesionist” të gjithë njerëzit, të diturit dhe të paditurit prej tyre, në vendet më të prapambetura dhe ato më të zhvilluara; sikurse ngritja e zërit, rrahja, sharja, ndëshkimi, kritika, privimi, etj; metoda këto për të cilat unë ju them me bindje, se janë metodat e injorantëve, të paaftëve, që të paktën për sa kohë i aplikojnë këto të ashtuquajtura “zgjidhje të gatshme apo receta të shpejta”, vetëm sa i afrohen dështimit zhgënjyes në edukimin e fëmijëve të tyre.
Zgjidhja e vërtetë është në fakt afirmimi i prindërve dhe edukatorëve që të mirë-konceptojnë procesin e edukimit pozitiv dhe ky është edukimi i vetëm, që i ndihmon ata në dhënien e alternativave pozitive për zgjidhjen progresive të problemeve të fëmijëve të tyre.
Fëmijët tanë zhvillohen e me to zhvillohen shumë e shumë prej aspekteve të personalitetit të tyre.
Na ndodh shpesh, që gjatë edukimit të fëmijëve, përmes ndërhyrjeve negative si: bërtitjes, rrahjes, ndëshkimit, privimit, zero-tolerancës, etj, të cilat nuk kanë asnjë bazë shkencore, të vrasim ndonjë prej aspekteve themelore të personalitetit të fëmijës.
Mirëpo ajo që në fakt duam, është që të zhvillojmë aspektet pozitive në personalitetin e fëmijëve tanë, duam t’i zbulojmë pasionet dhe dhuntitë e fëmijëve tanë, ti sjellim në jetë ato, të zbulojmë aftësitë gjeniale që posedojnë fëmijët tanë që në moshën e tij tepër të hershme.
Kur Ebu Hurejrah [r.a] e pa Abdul Melik ibnul Meruanin, që ishte vetëm shtatë vjeçar, tha fjalën e tij të famshme: “Ti i mbretëron arabët”. Ai pa tek Abdulmeliku gjeniun, që në moshën e tij të hershme. Aftësitë gjeniale dhe dhuntitë janë objekti i kërkimit tonë tek fëmijët tanë. Kjo bëhet që në moshën e tyre të hershme dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes hapave të edukimit pozitiv.
Vëlla dhe motër! Ta edukosh fëmijën, do të thotë ta brumosësh atë me rregulla. Në anën tjetër rregullat presupozojnë paketën e rrugës, udhëzimit, orientimit dhe metodave të sjelljes. Rregullat nënkuptojnë programin e drejtë, përmes të cilit ne do mund ta ushtrojmë pozitivisht rolin tonë edukativ.
Pra lypset që fëmijët tanë t’i edukojmë me paketën e rregullave të edukatës.
Vëlla dhe motër edukatorë, le të shohim së bashku konceptin e gjendjes prind-fëmijë! Nëse më thua se bindja e fëmijës karshi prindit është në tërësinë e vet një cilësi pozitive, më lejo të të kundërshtoj e të të them se kjo nuk qëndron. Bindja e fëmijës karshi prindit jo gjithmonë është cilësi pozitive, por ajo konsiderohet bindje pozitive atëherë kur qëndron mbi rregulla, që gëzojnë pajtim edhe tek prindi edhe tek fëmija. Kurse kërkimi apo imponimi i bindjes thjesht se prindi është poseduesi i pushtetit familjar, pa e fiksuar këtë bindje mbi standarde,vlera dhe rregulla edukative dhe fetare, faktikisht është në dëm të fëmijës, pasi kështu fëmija do të tregojë gjithmonë bindje për atë që është më i fortë dhe më i pushtetshëm se ai, qoftë edhe trafikant droge apo ndonjë njeri tjetër i shthurur. Nga këtu ne duhet të duam nga fëmijët tanë të na binden, por në të mirë dhe në përputhje me rregullat, duke iu përmbajtur parimit: “M`u bind përderisa të kërkoj të më bindesh në një çështje të pranuar dhe evidente nga aspekti ligjor dhe normativ”; ndaj dhe Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ata (prindërit) përpiqen me ty që të Më vendosësh shok në adhurim, atëherë mos trego bindje ndaj tyre (në këtë aspekt), ndërkaq në këtë dynja afroju atyre një shoqëri të denjë…” [Lukman]; me kuptimin se bindja duhet të jetë në përputhje me rregulla dhe ligje, bindem kur bindja është pro ligjit dhe rregullit. Pra nga fëmijët tanë kërkohet, që të na binden në morale, në vlera, në adhurime, në largimin nga gjërat e ndaluara, por nuk kërkohet që fëmijët tanë të na binden gjithmonë për shembull në llojin e gjellës që do hanë, në llojin e rrobës që do veshin, ose në ngjyrat tona të preferuara.
Ne si prindër dhe edukatorë duhet të përpiqemi të pajisim veten tonë me mekanizma, që na aftësojnë që të jemi vërtetë edukatorë dhe që na bëjnë të mundur të vendosim lidhje dhe raporte të shëndosha me fëmijët tanë.
Rregullat nuk janë siç i kuptojnë disa, një tufë normash që e ndjekin fëmijën kudo shkon dhe përgjatë çdo minute të jetës së tij. Rregullat konsiderohen vizion, që i jep fëmijës fushë më të gjerë që të sillet si i tillë. Rregullat ndërhyjnë vetëm për të kompletuar natyrën e fëmijës. Rregullat ndërhyjnë vetëm për të mbrojtur fëmijët tanë nga devijimi. Rregullat arrijnë kulmin e rëndësisë, kur bëhen standard i vetvetishëm, përmes të cilit fëmija arrin të bëjë dallimin midis të drejtës dhe të gabuarës, midis të vërtetës dhe të kotës, midis të lejuarës dhe të ndaluarës. Ato konsiderohen rrugë përmes së cilës realizohet dialogu që përfundon në bindje.
Këto janë rregullat që presupozojmë, rregulla që ndërtojnë bindje, opinione, besime dhe vlera; jo dhunë e ushtruar ndaj fëmijës, jo urdhra dhe ndalesa të paarsyetuara. Këto rregulla janë shprehi e fuqisë së bindjes dhe besimit.
Kurrë nuk duhet të synojmë ta bindim me pahir fëmijën, sepse nëse fëmija të bindet me pahir vetëm sepse ti je më i madh, kështu ti po i mëson atij të shtiret, prandaj ai të bindet ty, kur je i pranishëm por ai nuk i praktikon fjalët dhe udhëzimet e tua kur nuk je prezent dhe kjo për faktin e thjeshtë, se ti nuk e ke mësuar atë që të të bindet mbi bazë bindjeje, mbi bazë vlerash dhe besimesh. Ajo që ne duhet të synojmë, është ndërtimi i nxitësve të brendshëm gjenerues të sjelljeve, që do burojnë nga fëmijët tanë, ndërtimi i bindjeve, rregullave dhe normave. Duam që kur fëmija ynë të mos e kryejë një sjellje të caktuar, këtë të mos e bëjë thjesht nga frika jonë, duam që fëmija ynë të strehohet tek një sjellje, i ushqyer nga ne me bindjen se një sjellje e tillë është më e mira për të.
Në maratonën e edukimit pozitiv të fëmijës, prindi i suksesshëm vijon nën moton “Rregullat në edukimin e fëmijëve bazohen mbi dashamirësinë”. Dinamoja e kësaj maratone është “Dashuria për fëmijën dhe angazhimi për përmirësimin e tij”, çka përbën gjënë më të rëndësishme, që e preokupon prindin e mençur në procesin e edukimit të fëmijëve. Ne duam fëmijë të mbarë, që të luten për ne gjatë jetës sonë dhe pas vdekjes sonë. Fillesa e kësaj fëmije të mbarë, me lejen e Allahut të Lartësuar, është përmes ndërtimit të rregullave dhe normave brenda familjeve tona.
Një edukim i suksesshëm është vetëm ai, në të cilin ne prindërit përpiqemi t’i brumosim fëmijëve tanë me principe, vlera dhe rregulla dinjitoze, qoftë edhe në çështje të tilla në dukje të thjeshta, si ajo e faktit se përse atij i duhet ta pijë qumështin, ta hajë mollën etj. Pirjen e qumështit duhet t’ia brumosim fëmijës sonë të vogël, duke i arsyetuar atij se qumështi posedon vitamina që i forcojnë kockat, molla posedon përbërës që i bëjnë shumë mirë shëndetit, të fjeturit herët të çlodh etj. Këto arsyetime përbëjnë në fakt rregullat që ne synojmë, pasi rregullat s’janë gjë tjetër veçse norma dhe edukata të arsyetuara.
I nderuar prind edukator! Rregulli më parësor për ne prindërit në edukimin e fëmijëve tanë është “Ndaloje diçka vetëm kur është e domosdoshme”. Mëso t’i edukosh fëmijët e tu me këtë rregull: “Mos ndalo diçka vetëm se kur është e domosdoshme”.
Rregullat edukativ përbëjnë themele, kritere dhe standarde, me të cilat duhet të angazhohemi në radhë të parë vetë ne prindërit. Shumë prej edukatorëve gabojnë rëndë, kur mendojnë se arritja për tek edukimi me kriter i fëmijës, përmbushet përmes nxjerrjes dhe shfryrjes mbi fëmijën të direktivave pafund.
Në fakt procesi edukativ ndërtohet mbi bisedën dhe bindjen, mbi orientimin direkt dhe indirekt. Këto mjete janë mjete efikase dhe të pranueshme për fëmijën, duke qenë se ato përputhen më së miri me orientimin hyjnor “Reago me formën më të mirë!” [Fussilet: 34].
Ndërsa një prind që e tepron me urdhra dhe vërejtje, kjo mori direktivash gjithmonë është në përgjithësi një sjellje më shumë negative sesa pozitive, që e paralizon novacionin e fëmijës, e vret frymën e iniciativës dhe guximin tek ai, si dhe kërcënon seriozisht edhe shumë elementë të tjerë pozitivë të personalitetit të fëmijës, elemente këto që gjenden në një formë vërtet të mrekullueshme tek fëmija në vitet e para të jetës së tij. Studimet shkencore kanë vërtetuar, se këto elemente të mrekullueshme rrënohen jashtë mase si pasojë e direktivave përtej normave.
I nderuar prind edukator! Na del për detyrë, që ne si prindër të tregohemi të ekuilibruar, të mos e teprojmë me direktiva, por dhe të mos i lëmë fëmijët siç i thonë komplet liberta (të lirë); pasi teksa teprimi me urdhra e vret iniciativën dhe vetëkontrollin, në krahun tjetër lënia e fëmijës të bëjë çfarë të dojë, pa asnjë kriter, pjell gjenerata të llastuara e të pastandardizuara me rregullat shoqërore. Programi ynë duhet të jetë një program i mesëm, që ekuilibron dhe balancon midis teprimit dhe neglizhimit. Kështu pra, ne ia ndalojmë fëmijës sonë diçka, vetëm kur këtë na duhet ta bëjmë medoemos, pasi i frikësohemi pasojës negative që kjo gjë shkakton tek fëmija ynë.
Programi i denjë edukativ është programi i sistemuar me rregulla, të cilat tregojnë kujdes për kriteret e shëndetit shpirtëror dhe ato të zhvillimit personal të fëmijës. Programi i suksesshëm edukativ kultivon rregulla, standarde dhe norma të një mase të arsyeshme, të thjeshtëzuara dhe lehtësisht të përvetësueshme në jetën tonë të përditshme familjare, me metoda të thjeshta, të ndërtuara mbi bisedën, dialogun dhe bindjen. Për t’i rrënjosur në jetën tonë të përditshme familjare këto rregulla dhe norma, lypset që t’i përmendim, aplikojmë dhe freskojmë ato sa më shpesh ne jetën tonë të përditshme.
Një edukator i suksesshëm kurrsesi nuk pret situatat familjare emergjente dhe delikate, që të nxjerrë, bëjë dhe implementojë rregullat dhe normat në familje, ndryshe nga ajo çfarë ndodh në institucionet zyrtare jashtë familjes, në të cilat dilet me një vendim, nen apo rregull, vetëm kur ndodh problemi. Në krahun tjetër rregullat dhe normat tona familjare duhet të jenë kode të thjeshta, që së pari vetë ne si prindër t’i kuptojmë dhe të arsyetojmë dhe së dyti t’ua qartësojmë dhe kultivojmë ato fëmijëve tanë. Pra kuadri i brumosjes dhe mësimit të rregullave familjare duhet të gëzojë përparësi tek ne si prindër, para se ta përdorim tek fëmijët tanë.
Kështu për shembull, ne si prindër nuk duhet të presim, që fëmija të hyjë në dhomën tonë të gjumit dhe të na gjejë në situata të sikletshme, dhe pas kësaj t’i mësojmë dhe kultivojmë atij ligjin apo kodin përkatës familjar. Kjo nuk funksionon kështu. Në fakt ajo që ne si prindër duhet të bëjmë, është që t’i mësojmë paraprakisht fëmijës tonë, që të mos hyjë në dhomën e tjetrit pa marrë leje më parë, që t’i bjerë derës tre herë e pastaj nëse i jepet leje, të hyjë e nëse jo të kthehet. I nderuar prind edukator, mësoje fëmijën tënd paraprakisht dhe mos prit sa të ndodhë situata, që t’ia mësosh atij rregullat.
I nderuar prind edukator, lejomë që ta përmbledh mesazhin e rëndësishëm, për të cilin bëmë fjalë deri tani!
Ne duam një prind, një baba dhe një nënë, që e edukojnë fëmijën e tij, bazuar në konceptet e drejta mbi edukimin, një prind që e di se fëmija i tij është një person, që ka specifikat e tij personale, periudhat e tij të zhvillimit shpirtëror, emocional, shoqëror, fetar, mental, etj, që e di se rregullat, standardet dhe normat janë domosdoshmëri edukimi. Duam një prind të aftë që t’i mësojë këto rregulla, t`i përdorë ato sa më mirë, si dhe t’i konsiderojë këto rregulla si një fortifikatë të rëndësishme për fëmijën e tij. Këto rregulla kultivohen tek fëmija bazuar mbi rregullin parësor “Ndaloje diçka, vetëm kur ajo është e domosdoshme!”. Ky rregull i parë është shumë i rëndësishëm dhe kërkon prej nesh një vendosje prindërore të balancuar, kërkon të mos i lemë fëmijët tanë të bëjnë ç`të sa duan si dhe të mos e teprojmë në dhënien e direktivave pa kriter dhe masë.
Deri në një kontaktim tjetër u lë në garancinë e Allahut dhe ju përshëndes me përshëndetjen islame “Es Selamu Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu”.
…