Lëvizja palestineze e rezistencës Hamas deklaroi dje se mbetet e përkushtuar ndaj propozimit të mbështetur nga presidenti amerikan Joe Biden dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për armëpushim në Gaza.
“Ne konfirmojmë aderimin tonë ndaj asaj që u ra dakord pas propozimit të mbështetur nga Presidenti Biden në fund të majit dhe Rezolutës 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Khalil al-Hayya, një anëtar i Byrosë Politike të Hamasit.
Al-Hayya tha në një video të postuar në Telegram se çdo marrëveshje duhet të përfshijë një ndalesë gjithëpërfshirëse të agresionit kundër popullit palestinez, tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, duke përfshirë Korridorin e Filadelfit, të drejtën e njerëzve të zhvendosur për t’u kthyer, ndihmë për popullin palestinez dhe rindërtimin e asaj që shkatërroi pushtimi izraelit.
Ai shtoi se kjo do të çonte gjithashtu në një marrëveshje serioze dhe të vërtetë për shkëmbimin e pengjeve. “Ne nuk kemi nevojë për propozime të reja dhe çdo propozim nga cilado palë duhet të përqendrohet në thelb në detyrimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeverisë së tij fashiste për të zbatuar atë që ishte rënë dakord më parë, të mos kthehen në fillim ose të kalojnë nëpër të njëjtin cikël vicioz që dëshiron Netanyahu.
Nëse administrata amerikane dhe presidenti Biden vërtet duan të arrijnë një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, ata duhet të heqin dorë nga paragjykimi i tyre i verbër ndaj pushtimit izraelit, të bëjnë presion real mbi Netanyahu dhe qeverinë e tij dhe t’i detyrojnë ata të respektojnë atë që ishte rënë dakord më parë”, tha Al-Hayya.
Al-Hayya tha gjithashtu se Hamasi ka filluar kontaktet me ndërmjetësit dhe disa aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë për të sqaruar pozicionin e tij dhe statusin e negociatave.
Presidenti amerikan Biden njoftoi në maj se Izraeli kishte paraqitur një marrëveshje në tre faza për t’i dhënë fund armiqësive në Gaza dhe për të liruar pengjet.
Plani përfshin një armëpushim, një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish dhe rindërtimin e Gazës. Netanyahu këmbëngul në mbajtjen e një pranie ushtarake përgjatë Korridorit të Filadelfit, duke pretenduar se korridori është një “lijë shpëtimi” për riarmatimin e Hamasit.
Egjipti kundërshton çdo prani ushtarake izraelite në korridor dhe ka dënuar pretendimet e Netanyahut se armët janë kontrabanduar në Gaza përmes territorit egjiptian.
Për muaj të tërë, ShBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe armëpushim dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.
Por, përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahut për të përmbushur kërkesat e Hamasit për t’i dhënë fund luftës.
Në kundërshtim me rezolutën e OKB-së që bën thirrje për një armëpushim, Izraeli ka kryer sulme të vazhdueshme në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar, i cili deri më tani ka vrarë rreth 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur afro 94.400.
Bllokada e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli po përballet me akuza për gjenocid për veprimet e tij në Gaza përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
/trt/