Grupi i rezistencës palestineze Hamasi ka thënë se çdo marrëveshje armëpushimi në Gaza duhet të përfshijë tërheqjen e plotë të trupave pushtuese izraelite nga territori palestinez.
“Çdo marrëveshje duhet të arrijë një armëpushim gjithëpërfshirës, një tërheqje të plotë (izraelite) nga Gaza, (dhe) kthimin e të zhvendosurve”, tha zyrtari i Hamasit Hossam Badran në një deklaratë pas rifillimit të bisedimeve të armëpushimit në Doha.
ShBA-ja, Katari dhe Egjipti u takuan me një delegacion izraelit në Katar, ndërsa numri i palestinezëve të vrarë nga lufta 10-mujore izraelite e tejkaloi shifrën prej 40.000 viktima.
Një zyrtar palestinez tha se Hamasi nuk do të merrte pjesë në bisedime, por se zyrtarët e tij të lartë, të cilët banojnë në Katar, ishin të gatshëm të diskutonin çdo propozim nga ndërmjetësit, siç kanë bërë në raundet e kaluara.
Një armëpushim në Gaza ka të ngjarë të qetësojë tensionet në të gjithë rajonin dhe mund të bindë Iranin dhe Hezbollahun e Libanit që të përmbahen nga sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit pasi Tel Avivi vrau një komandant të lartë të Hezbollahut në një sulm dhe Ismail Hanijen, kreun politik të Hamasit në Teheran.
Ndërmjetësuesit kanë shpenzuar muaj duke u përpjekur të hartojnë një plan në tri faza në të cilin Hamasi do të lironte shumë pengje të kapur në sulmin e 7 tetorit në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm, tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe lirimin e palestinezëve të arrestuar nga Izraeli.
/trt/