3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Halepi po e turpëron botën

Më të lexuarat

Mijëra burra, gra dhe fëmijë në Halep janë ende duke pritur në mes të të ftohtit ngrirës pa ushqim dhe ilaçe dhe të gjithë duke mos e ditur nëse një sulm nga ajri ose një grup paramilitar do të shfaqet në qoshe të rrugës.

Marrëveshja e armëpushimit e përgatitur ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për Halepin Lindor është në një situatë si të thuash “në fije të perit”. Kjo është ndoshta shpresa e fundit për mijëra njerëz që jetojnë në qytetin e rrethuar, duke përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët janë kthyer në një gjah të lehtë për t’u goditur nga bombat fuçi ose nga snajperët e forcave paramilitare.

Rënia në duart e regjimit të Esadit e Halepit, qyteti i vjetër 5000-vjeçar në Siri, dhe shkatërrimi i qytetit në mënyrën më të egër, është një situatë që duhet të kishte tronditur thellësisht botën. Por në vend të kësaj, pamjet tragjike të vuajtjeve të këtyre njerëzve, pamje të cilat janë transmetuar drejtpërdrejt nëpërmjet mediave sociale, kanë kaluar pa u vënë re edhe një herë dhe e ashtuquajtura bota jonë e civilizuar është zhytur edhe më shumë në thellësitë e shthurjes morale, barbarizmit dhe turpit.

Duke dëshmuar heshtjen shurdhuese të botës përballë mizorive që bëhen në Halep, Emine Secerovic Kasli, një e mbijetuar e luftës në Bosnjë dhe që në kohën e luftës ka qenë vetëm tetë ose nëntë vjeçe, rikujton se ndërsa po përjetonte këtë faqe të errët të historisë gjithmonë mendonte këtë: “bota do të vinte patjetër për të na ndihmuar neve, nëse do ta dinte se çfarë ishin duke vuajtur këtu njerëzit e pafajshëm”. Kurse tani ajo thotë se ka qenë shumë “naive”, duke vënë në dukje se bota e di se çfarë po ndodh në rrugët e Halepit Lindor dhe nuk po bën asgjë për ta ndaluar këtë gjenocid. Ndërsa isha duke shkruar këto rreshta, autobusët e evakuimit hynin e dilnin nga Halepi, ndërkohë evakuimet pezulloheshin apo autokolona sulmohej ose përballeshin me situata të panjohura e të pasigurta. Vetëm një gjë është e sigurt tani, që masakra në Halep do të mbahet mend si një monument turpi, ashtu si Holokausti, masakrat e Srebrenicës dhe Ruandës.

Një vit më parë, kur imazhet e para të djalit të vogël sirian Aylan Kurdi, trupin e pajetë të të cilit dallgët e kishin nxjerrë në një plazh turk në brigjet e Detit Egje, vunë në lëvizje opinionin publik në mbarë botën, pati disa njerëz që shpresuan se të pasurit dhe të fortët e botës në Evropë dhe ShBA do të ndërhynin për të ndaluar vuajtjet e mijëra refugjatëve sirianë dhe personave të zhvendosur në Siri.

Pritshmëri të ngjashme u rritën, kur bota u trondit edhe një herë nga shfaqja në mediat sociale të imazheve të Omran Daqueesh, një tjetër djalë sirian me fytyrën e gjakosur dhe trupin e mbuluar nga hiri, me një pamje të ngrirë dhe i zhytur në një qetësi të frikshme brenda ambulancës, ndërsa ishte duke u pastruar nga punonjësit e shëndetësisë në Halepin Lindor.

Por fatkeqësisht jetëgjatësia e simpatisë dhe mëshirës në shoqëritë moderne është e shkurtër dhe shtetet janë kthyer në një gjendje të pamjaftueshme dhe pamëshirshme kur bëhet fjalë për çështje të tilla.

Me sa duket për ta nxitur e lëvizur botën të bëjë gjënë e duhur nuk mjafton asnjë fotografi apo video që dëshmon vuajtjet njerëzore.

Ndërsa nga njëra anë po përpiqemi të mbajmë mbi krahë koston morale dhe psikologjike të kësaj lufte të tmerrshme, ne gjithashtu duhet t’u bëjmë ballë fakteve gjakftohta të real-politikës.

Marrëveshja armëpushimit e përgatitur nga Turqia me Rusinë erdhi pas disa javë negociatash intensive dhe me përfshirjen e disa palëve. Qëllimi i kësaj ka qenë dhe vazhdon të mbetet transferimi i popullit të Halepit Lindor, të cilët kanë qenë nën sulmet e rënda të regjimit, për në zona më të sigurta, si p.sh. Idlib në afërsi të kufirit turk. Deri më tani janë evakuuar rreth 40 000 njerëz, por ka me mijëra të tjerë që presin të largohen. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Gjysmëhëna e Kuqe turke, Fondacion i Ndihmave Humanitare (IHH) dhe organizata të tjera jo-qeveritare (OJQ) janë duke punuar ditë e natë për të dërguar ushqim, veshje dhe ilaçe e furnizime mjekësore për sirianët që sapo kanë mbërritur në Idlib, dhe ku për momentin janë vendosur me qindra e mijëra civilë të zhvendosur brenda vendit.

Marrëveshja e armëpushimit vazhdon të mbetet një proces i brishtë, i shoqëruar nga dinamika të shumta në terren. Regjimi i Esadit, i cili tashmë është trimëruar nga fitorja në Halepin Lindor, dhe mbështetësit e regjimit, përfshi këtu edhe grupet paramilitare në terren që mbështeten në Irani, mund të kërkojnë të marrin hak mbi grupet opozitare. Dhe këtë mund ta bëjnë mundësisht duke sabotuar në ditët e ardhshme marrëveshjen e armëpushimit dhe procesin e evakuimit.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka biseduar disa herë në telefon me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putinpër të siguruar që njerëzit e tjerë që kanë mbetur në Halep të evakuohen pa vonesa të mëtejshme dhe pa lejuar më shumë vrasje dhe vuajtje.

OKB-ja vazhdon të mbetet e paaftë përballë tragjedisë së turpshme njerëzore që shpaloset para syve në Halep. Tashmë askush nuk pret me të vërtetë ndonjë gjë nga ky organ ndërkombëtar, rezolutat dhe deklaratat e të cilit nuk janë në gjendje të parandalojnë padrejtësitë ose të lehtësojë vuajtjet. Njerëzit shpresojnë që nga një institucion, që e tregon veten si përfaqësues i unitetit të kombeve, do të vijë të paktën shkalla e vogël e mirësjelljes njerëzore. Megjithatë, as kjo nuk po dhurohet, kur bëhet fjalë për popullin e Halepit, i cili vuan dhe po vdes me dhimbje.

Në qoftë se anëtarët e fuqishëm të OKB-së dhe Këshillit të Sigurisë Evropiane do të pyesin ndonjëherë veten përse dhe si kanë arritur gjërat deri në këtë pikë në Halep, ata duhet të shkojnë prapa dhe të shohim se çfarë kanë bërë që nga viti 2012 e këtej për të ndaluar këtë Luftë Sfilitëse: praktikisht asgjë.

Thirrjet e Turqisë për krijimin e zonave të sigurta në Siri kanë rënë në vesh të shurdhër. Administrata Obama i ka përtypur e gëlltitur ‘vijat e saj të kuqe’ në lidhje me përdorimin të armëve kimike dhe të çdo mjeti tjetër të paimagjinueshëm të luftës. Në vend që të fajësojë të tjerët dhe mbajë zi për vete, ajo mund të kishte bërë diçka, të paktën për të minimizuar krimet e përditshme të regjimit të Esadit dhe për të mbajtur premtimet që i ka bërë opozitës siriane. Por në vend të kësaj ajo e ka lejuar regjimin dhe aleatët e tij për të fituar kohë dhe për të ndryshuar rrjedhën e luftës në favor të tyre, ndërsa «diplomacia» nuk ka bërë asgjë për të shpëtuar gratë e fëmijët e Halepit dhe të gjithë Sirisë. Politika e gabuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për mbështetjen e Partisë së Bashkimit Demokratik (PYD), dega siriane e PKK-së, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se e ka inkurajuar më tej këtë organizatë terroriste dhe ka krijuar përçarje midis Turqisë dhe ShBA.

Dy vjet më parë, më 18 nëntor 2014, kam shkruar si vijon: «Është vetëm një çështje kohe që Halepi, qyteti i dytë më i madh në Siri, të bjerë në duart e regjimit të Esadit. Ndërsa forcat e koalicionit të udhëhequr nga Amerika vazhdojnë të godasin objektivat e DAESH-it, zoti Esad vazhdon sulmet e tij të përgjakshme kundër Halepit. Gjatë dy muajve të fundit, regjimi i Esadit i ka intensifikuar sulmet mbi qytet, duke zgjeruar kontrollin e tij nga ajri dhe toka, dhe duke i detyruar kryengritësit sirianë të shkojnë në veri…. ka nevojë për veprime konkrete në terren para se rënia e Halepit të bëhet një tjetër njollë e zezë në luftën siriane. Nëse do të lejohet që Halepi të bjerë, kjo do të ishte humbja e çdo shprese që ushqehet për të ardhmen e njerëzimit në Siri…»

Shikojmë se këtë shpresë ne e kemi humbur prej kohësh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit