3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Hafiz Ibrahim Dalliu, një nga themeluesit e letërsisë islame në gjuhën shqipe

Më të lexuarat

Hafiz Ibrahimi është lindur në Tiranë më 1878 në një familje me tradita të nderuara fetare. Që në moshë të njomë ai iu vu dhe e realizoi me sukses mësimin e Kur’anit përmendësh dhe fitoi titullin Hafiz, titull që e mbajti tërë jetën e vet me dashuri, nder e krenari, në çfarëdo rrethanash që iu krijuan, në çdo rast e në çdo mjedis.

Pasi kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes, meqë ishte i dalluar e i pasionuar pas doktrinës së fesë islame, rreth vitit 1898 u paraqit në komisionin fetaro-ushtarak dhe pasi dha provimet me sukses, i ndihmuar nga përgatitja e tij teologjike në lëmin e fesë islame, u përjashtua prej komisionit përkatës nga kryerja e shërbimit ushtarak, për t’iu kushtuar studimeve të larta teologjike. Shumë i ri hafizi realizoi shumë detyra si imam, predikues, dhe, së fundmi, myderriz apo pedagog i fesë islame, por edhe si përkthyes i dalluar e shkrimtar në zhanrin e shkrimeve islame, ku jo vetëm u dallua sa ishte gjallë, por mbeti i paharruar për veprat që la pas. Këto i arriti falë studimeve të larta fetare, të cilat i kreu në Turqi, e cila në ato kohë ishte edhe metropoli i studimeve të larta fetare. Pra, shumë të ri Hafiz Ibrahimin e gjejmë teolog të shquar, duke kryer me përkushtimin e duhur jo vetëm ritet fetare, urdhrat dhe ndalimet e fesë, por edhe çdo gjë tjetër që kishte lidhje me fenë islame e, në radhë të parë, me predikimet fetare që bëri me kompetencë në popull, duke e pastruar e zhveshur atë nga mbishtresa që nuk i përkisnin Islamit.

Jeta shoqërore, intelektuale, atdhetare e fetare e Hafiz Ibrahim Dalliut ka qenë jetë e një njeriu të thjeshtë, aktiv dhe e pandarë për asnjë çast e asnjë rast nga ajo e popullit. Gjatë jetës së tij ndodhi që në vendin tonë u rrokullisën shumë ngjarje të rëndësishme dhe edukata e tij, shpirti i tij, nuhatja e hollë, me të cilën e kishte pajisur Zoti, e radhitën Hafizin gjithmonë në krahun opozitar, që luftonte për të drejtën, për popullin, për njerëzit jo me fjalë, por me vepra, e në radhë të parë, me shembullin personal. Ai me kohë, që në rininë e tij të hershme, diti të bëjë diferencimin e Turqisë si pushtuese e vendit tonë dhe të fesë islame, që ishte përqafuar nga shumica e shqiptarëve. Shqipërinë, si vend mysliman, për asnjë çast nuk reshti ta dëshironte të lirë, të pavarur e, mbi të gjitha, të dënonte me gjithçka kishte në dorë, padrejtësitë e bëra në kurriz të këtij populli, sidomos në ndarjen e padrejtë të tokave të tij nga fqinjët shovinistë. Për idealet e larta, që ishin mbrujtur në shpirtin e tij të pastër, Hafizi luftoi gjatë gjithë jetës së vet, pjesën më të madhe të së cilës e kaloi me vuajtje e mundime.

Shqipëria, e rrethuar nga të gjitha anët me kombësi të feve të tjera, duhet të kishte teologë të aftë, të cilët jo vetëm që duhet të ishin të bindur vetë për ato që i thoshin popullit, por, në radhë të parë, duhet të kishin njohuri të thella e të jepnin shembullin personal në zbatimin e mësimeve e porosive, përndryshe kjo fe, jo vetëm që nuk do të kishte të ardhme në këtë vend, por mund të zëvendësohej lehtë nga të tjerat, që prisnin çastin e duhur për këtë qëllim. Dhe në të vërtetë kështu ka qenë ndër shekuj.

Por e veçanta e teologëve të Shqipërisë ka qenë se, ata, megjithëse i predikonin e i shpjegonin drejt mësimet e kësaj feje, duke dhënë shembullin personal në zbatimin e tyre, vetë nuk kanë lënë ndonjë trashëgimi të shkruar shqip për brezat e ardhshëm. Militantizmi apo xhihadi i tyre në këtë fushë kufizohej, veç veprimtarisë atdhetare, të cilën gjithmonë e mbështesnin në mësimet e Profetit a.s., duke e bazuar lajtmotivin e atdhedashurisë së tyre te thënia profetike se “Dashuria për atdheun rrjedh nga besimi”, në predikimin e mësimeve të Islamit në xhami dhe po aty përgatisnin edhe pasardhësit e tyre. Ka pasur prej tyre që, për pjesëmarrjen e rolin që kanë luajtur në ngjarjet e kohës, kanë qenë dalluar duke u bërë shumë të njohur në popull, si për problemet kombëtare, ashtu dhe për ato fetare. Po marrim si shembull vetëm Tiranën. Sikurse mësojmë nga përgjigjja që i ka dhënë Hafizi në atë kohë drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z. Sotir Kolea, vetëm “Tirana bark-marrë ka pjellë mjaft shqiptarë, bile ndër ta kanë qenë edhe një duzinë hoxhallarë dhe jo hoxhë të kotë, por e shumta myderrizë, ixhazetli Stambolli”. Dhe këta hoxhallarë të shquar me predikimet e veta dhe me oratorinë me të cilën ishin pajisur, e ngrinin kur të donin popullin në këmbë.

Për sa i përket literaturës fetare, të përkthyer apo origjinale, me pak përjashtime, si p.sh. të ndonjë mevludi, klerikët myslimanë nuk e panë të arsyeshme të merreshin, sepse jo vetëm që populli sqarohej e i praktikonte me detaje e përkushtim, duke mos i vënë asnjëherë në diskutim çështjet e fesë, por në ato kohë nuk ndihej ndonjë shqetësim tjetër në këtë drejtim. Popullit, për arsye objektive e subjektive, i mjaftonin ato që thoshte predikuesi në xhami. Moslënia e ndonjë trashëgimie të pasur në shqip në fushën e botimeve islame, është një nga shpjegimet se përse një pjesë e madhe e klerikëve shqiptarë, megjithëse kanë qenë shumë të përgatitur, kanë mbetur anonimë, ndërsa ata që kanë dhënë ndihmesë të shquar në këtë drejtim, numërohen me gishtat e njërës dorë. Por, nga ana tjetër, kjo dëshmon edhe për njëlloj mungese intuite e fantazie të tyre në këtë fushë, sepse, në fund të fundit, gjithçka flitet, mbulohet nga pluhur i kohës, ndërsa e shkruara mbetet dhe, sado predikues i dalluar e i shquar të jesh, ke mundësi t’i drejtohesh një auditori të kufizuar, xhematit të një xhamie, që e shumta përbëhet prej 300-400 besimtarësh, ndërsa një masë e konsiderueshme besimtarësh, gjithçka që është predikuar në xhami, e merr vesh nga ata që kanë qenë të pranishëm në predikimin që e tregojnë, por s’kanë mundësi të përfitojnë direkt prej tij dhe me kohë të gjithë predikuesit, të çdo kalibri që të kenë qenë, me dashje apo pa dashje, janë bërë viktima të harresës, se koha ka bërë të vetën. Kështu, në fakt, kanë qenë të paktë ata që bënë përjashtim nga ky “rregull” i pashkruar në fenë islame në vendin tonë, nga i cili trashëguam shumë pak gjëra të shkruara prej atyre teologëve kolosë, që e vendosën veten në ushtrinë e anonimatit. Këtu nuk bëhet fjalë për shekujt e kaluar, por për shekullin tonë. Për pasojë, sot numërohen lehtë ata që përmenden për veprat e tyre të shkruara që kanë lënë. Dhe ndër më të shquarit në këtë drejtim do të përmendnim klerikë të tillë si Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça e ndonjë tjetër. Këta klerikë të shquar me intuitën e tyre e kapën relativisht shpejt këtë problem, i cili tashmë po bëhej domosdoshmëri për mbarëvajtjen e fesë. Ata hynë në historinë e Shqipërisë si atdhetarë të dalluar, trima, që i dolën zot këtij populli e vendi në momentet më të vështira që kaloi, njëkohësisht për punën e bërë, u shquan duke u bërë të përmendur e u vlerësuan dhe vepra e tyre hyri në histori.

Zanafillën e punës së tyre të organizuar e shkencore në drejtim të përkthimit të librave fetarë me përmbajtje islame, si dhe të vënies së talentit të tyre për të shkruar libra origjinalë me tema fetare, duhet ta kërkojmë në vendimet e Kongresit të Parë Mysliman, që u mblodh në shkurt të 1923-it në Tiranë. Duke vlerësuar punën e tyre të deriatëhershme, Kongresi i caktoi njëzëri këta, por edhe ndonjë tjetër, për të zgjedhur, përkthyer e botuar në shqip vepra me përmbajtje fetare për t’i vënë në shërbim të besimtarëve myslimanë, me qëllimin e mirë që të futen sa më shumë shërbesa e dijeni fetare të Islamit në gjuhën shqipe.

Pas kësaj periudhe kemi një prodhimtari të kësaj literature, që relativisht bie në sy, duke filluar me revistën “Zani i Naltë” dhe në vazhdim me botime të tjera.

Hafiz Ibrahimi ka qenë jo vetëm atdhetar e teolog, por edhe pedagog i shquar. Atë që në vitet e para të fillimshekullit të kaluar (më 1901) e gjejmë ndër veprimtarët e shquar për hapjen e shkollave të para shqipe në Tiranë, por nuk duhet lënë pa u theksuar se një klerik përparimtar si Hafizi ka qenë edhe ndër nismëtarët e parë për hapjen e shkollës së vajzave në Tiranë. Prandaj veprimtaria e tij pedagogjike merr një rëndësi të veçantë, sepse gati një shekull më parë, një klerik mysliman u ka mësuar gjuhën amtare shqipe djemve, por edhe vajzave tiranase, prej të cilave pati më vonë që u bënë mësuese të shquara. Si atdhetar i shquar e pedagog i dalluar, tashmë me përvojë e autoritet, Hafizi më 1909 mori pjesë në Kongresin e Elbasanit ku, veç të tjerash, u vendos edhe hapja e shkollës Normale dhe, ndër themeluesit e mësuesit e saj të parë, është dhe Hafiz Ibrahimi. Edhe ky fakt merr një rëndësi të veçantë, sepse, po ta shohim me kujdes, në radhët e tyre kishte atdhetarë të tjerë të shquar, që njihen si themelues të kësaj shkolle, si Aleksandër Xhuvani, Luigj Gurakuqi, Sotir Peçi, etj. Pjesëmarrja e Hafizit në të, jo vetëm që e ngre shumë figurën e tij, duke e vendosur në historikun e arsimit shqip, por simbolizon tolerancën fetare dhe unitetin e besimeve fetare në të mirë të kombit. Pra me Hafizin nuk kemi të bëjmë me një njeri të njëanshëm, vetëm klerik i shquar, por ai ishte edhe atdhetar e, natyrisht, mësues i dalluar dhe, si i tillë, ai ishte në gjendje të kuptonte më mirë se shumë të tjerë si interesat e çastit, ashtu dhe ato të së ardhmes së afërt në fushën e botimeve fetare.

Me dijenitë që kishte në lëmin e Islamit, ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se ç’i duhej këtij populli në fushën e botimeve fetare dhe, nga ana tjetër, ishte kompetent për masën se deri ku duhej vajtur në këtë fushë dhe ç’lloj botimesh ishin urgjente. Ka qenë Hafiz Ibrahimi ai që zgjodhi e përktheu një variant të pëlqyeshëm të kuptimeve e të komentit të Kur’anit në gjuhën shqipe, nga i cili arritën të botohen dhe të vihen në dorë të lexuesve vëllimi i parë dhe i dytë me titull “Ajka e kuptimeve të Kur’ani kerimit” në gjuhën shqipe. Duke parë e plotësuar kërkesat e interesat e besimtarëve myslimanë të kësaj periudhe, ndihmesa e Hafizit ka qenë e gjithanshme në fushën e botimeve islame dhe librat e punuara prej tij u përdorën me sukses, jo vetëm brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë, por ata u përdorën dhe u ribotuan edhe në vendet e tjera ku ka shqiptarë, si në Kosovë, Maqedoni e në diasporë, kryesisht në ShBA. Kjo ndodhi sepse për ato vepra kishte kërkesa, se në to trajtoheshin tema të rëndësishme, ishin cilësore dhe vinin në një kohë që kërkesa për to rritej.

Prodhimtaria letrare e Hafiz Ibrahimit në fushën e përkthimeve fetare, por edhe e botimeve origjinale, në prozë e poezi, ka qenë shumë e dobishme dhe e bollshme. Ai, për modestinë, për përkushtimin, dhe, mbi të gjitha, për aftësinë që kishte, duke i dalë zot e realizuar të gjitha proceset vetë, përfshirë edhe ato teknike, që nga zgjedhja e librit, përkthimi, gjetja e sponsorëve për shtyp, korrigjimet e shtypshkronjës dhe përhapjen e librit, në më të shumtën e rasteve falas, është për t’u marrë shembull i përhershëm.

Po të kontrollohen skedarët e Bibliotekës Kombëtare për libra të fesë islame të botuara deri në vitin 1944, do të konstatohet se, deri në këtë periudhë, në Bibliotekën Kombëtare gjendeshin gjithsej 54 tituj librash, pjesa më e madhe e të cilëve ka edhe emrin e autorit përkatës. Këtu përfshihen edhe ribotimet e bëra për libra të veçantë. Të bën përshtypje se librat e hartuar, por edhe ata të përkthyer nga Hafiz Ibrahimi zënë vendin kryesor si tituj themelorë të fesë islame të botuara në shqip. Kështu ai që në vitin 1929 nxori nga shtypi vëllimi e parë të “Ajkës së kuptimeve të Kur’ani kerimit”, i cili, relativisht shpejt, u pasua nga vëllimi i dytë. Si në përkthim, në përdorimin e një gjuhe sa të pasur, aq edhe të kuptueshme për cilindo, në pajisjen me shënime prej kompetenti dhe në përgjithësi, si botim është shumë i arritur, madje edhe librat e sotëm do ta kishin “zili” paraqitjen e tij. Hafizi e mbaroi të gjithë së përkthyeri, por në dorë të lexuesve u vunë vetëm dy vëllimet e para, kurse vazhdimi nuk u botua për arsye teknike. Ndërsa në vitin 1940 vë në qarkullim një vepër tjetër të rëndësishme të Islamit: “Hadithi Erbeijnë” ose “Dyzet hadithet”, apo “Dyzet fjalë përmbledhëse të Pejgamberit a.s., të cilat bëhen udhëheqëse e plotësimit të çdo myslimani kah besimi, ashtu dhe kah moralet dhe kah veprat”, siç e përcakton Hafizi në frontespic, të përmbledhura prej imam Muhjid’din Neveviut. Përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe ka rëndësi të veçantë, sepse në të përfshihen maksima, fjalë e porosi të H. Muhamedit të zgjedhura e të përmbledhura nga autori i njohur e i referuar në të gjithë botën myslimane. Në parathënien e autorit si dhe të përkthyesit të gjuhës turke vihen në plan të parë vlerat morale të këtyre haditheve, si dhe qëllimi nga u nis përkthyesi i gjuhës turke për përkthimin e tyre, duke bërë një vlerësim të veçantë për to. Është interesante se në parathënien e përkthyesit të turqishtes ka një shënim të H. Ibrahimit, që thotë: “Edhe unë përkthyesi në gjuhën shqipe po ashtu jam mundue me ba”, pra është nisur po nga qëllimi i përkthyesit turk, dhe ky shënim zë më së miri vendin e një parathënie që mund ta shoqëronte botimin në shqip, për të nxjerrë në pah vlerat e qëllimet e përkthimit. Po pse të ketë vlera të veçanta zgjedhja e këtij libri për t’u përkthyer në shqip? Duke u nisur nga fakti se kjo përmbledhje e “Haditheve të zgjedhura” është e para në gjuhën shqipe, se, pas përkthimit të Kur’anit, botimi i kësaj përmbledhjeje plotëson një shtyllë tjetër mbi të cilën mbështetet feja islame dhe me këtë letërsi ngrihet në një shkallë më të lartë literatura islame në shqip, që po vjen gradualisht duke u plotësuar. Së dyti, konsiderohet si zanafilla e një zhanri të palëvruar deri atëherë në këtë lloj literature, pra edhe këtu del në pah aftësia e Hafiz Ibrahimit në zgjedhjen e përkthimit, për të plotësuar njëlloj boshllëku që ekzistonte deri në atë kohë. Së treti, duke shpjeguar shumë terma fetare, bëhet një lloj libri ndihmës për të komentuar e përkthyer Kur’anin dhe, së fundi, duke qenë i pajisur me shënime plotësuese e sqaruese, veç të tjerash, na njeh edhe me një pjesë personalitetesh botërore të kësaj fushe.

Sigurisht, si pedagog i shquar që ishte, Hafiz Ibrahimi nuk mund të linte mënjanë jetën e H. Muhamedit, për të cilin duhet të dinte çdo mysliman e myslimane. Në fakt, deri në vitet ‘30 në shqip kishin parë dritën e botimit shumë libra që flisnin për biografinë e H. Muhamedit. Por Hafizi e zgjidhi ndryshe këtë. Pavarësisht se deri atëherë ishin shkruar shumë “Mevlude”, ai bëri zgjidhjen e tij. Po më parë duhet thënë, sado shkurt, se ç’është Mevludi dhe kur filloi të kremtohej për herë të parë? Rreth 300 vjet pas vdekjes së Muhamedit a.s., kur në Egjipt filloi të kremtohej ditëlindja e Profetit islam a.s. dhe prej andej kaloi edhe në popujt e tjerë. Për këtë u përgatit edhe njëlloj programi, pak a shumë uniform, duke kënduar historinë e jetës së Muhamedit a.s., duke filluar nga lindja deri në vdekje. Në popuj të ndryshëm, duke pasur parasysh këtë lloj organizimi, u shkruan mevlude të ndryshme, shpeshherë në një gjuhë kishte disa të tillë edhe për arsyen e thjeshtë se disa autorë e vinin theksin në disa momente të jetës së Muhamedit a.s., duke i nxjerrë ato në pah në librin e vet, ndërsa autorë të tjerë vinin apo nxirrnin në plan të parë ngjarje të tjera. Kështu ka ndodhur edhe në shqip. Ndër më të shquarit që kanë shkruar mevlude në shqip është edhe Hafiz Ibrahimi. Ai Mevludin e vet e botoi në vitin 1934 me titullin “E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.”, libër i përbërë prej 238 faqesh, i shkruar në poezi, sipas modelit lindor të ilahive apo himneve fetare. Libri trajton 31 tema, duke formuar kështu në tërësi një poemë të gjatë, nga më të gjatat e këtij lloji në shqip. Vepra mund të konsiderohet e dyfishtë: edhe Mevlud, por njëkohësisht edhe biografi e Muhamedit a.s., në poezi. Prandaj do t’ia vlente që, kësaj vepre origjinale, t’i bëhej një analizë e thellë, se është shkruar me frymëzim dhe në të ai derdh talentin e tij poetik, për të parë e mësuar, veç tjerash, se një studiues, teolog, pedagog, gazetar e shkrimtar shqiptar, cilat cilësi të Muhamedit nxjerr në plan të parë për bashkatdhetarët e vet, por koha e vendi nuk na e lejon një gjë të tillë. Në këtë poemë do të gjejmë informacion të bollshëm për jetën e profetit Muhamed a.s., shkruar me një gjuhë të bukur popullore, që përdorej në atë kohë, pra shkruar thjesht e pa pretendime. Sigurisht, në këtë poemë gjejmë shumë figura letrare, përshkrime patetike, që ngjallin emocione të forta, epitete, krahasime të bukura dhe, është e natyrshme, si për të gjithë librat e botuar në atë kohë, se në të do të gjejmë shumë fjalë të huaja. Veç botimit që ka bërë autori kur jetonte, kjo vepër e Hafiz Ibrahimit është ribotuar më 1992 edhe në ShBA. Duke vlerësuar figurën e tij në fushën e letërsisë islame në gjuhën shqipe, Komuniteti Mysliman i ShBA dhe Kanadasë ka ribotuar komplet veprat e tij të kësaj gjinie.

Në vitin 1936 Hafiz Ibrahimi përkthen nga turqishtja e boton një vepër tjetër madhore, “Udha Muhamedane” (Tarikati Muhamedije) redaktuar prej imam Bergaviut, që përbëhet prej 466 faqesh. Në të trajtohen me kompetencë çështje kryesore për të cilat ka pasur polemika të vazhdueshme në fenë islame.

Veç këtyre, si pedagog ai nuk mund të rrinte pa u mësuar besimtarëve, sidomos të rinjve, çështje që kanë të bëjnë me besimin e tyre. Kështu, nga dora e tij kanë dalë edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare, ndër të cilët mund të përmendim: “Besimet e muslimanëve”, 1933; “Mësime teorike e praktike të moralit islam” (përkthim) 1935, 162 faqe; “Ç’është Islamizmi” (përkthim) 1935, 56 faqe; “Një broshurë mbi degët e imanit” 1939 (përkthim); “Libri i të falmes”, 1941, 112 faqe, etj.

Siç e shikojmë, të gjitha botimet e tij janë të tilla që vlejnë në çdo kohë, prandaj Hafiz Ibrahimi së bashku me Hafiz Ali Korçën konsiderohen si teologët që vunë mbi baza të shëndosha gurët e themelit të kësaj lloj literature në gjuhën shqipe.

Përgatitësi i këtij shkrimi ka pasur fatin e mirë që ta ketë pasur mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës Hafiz Ibrahimin dhe, ndër të tjera, i kujtohet një episod nga koha kur Hafizi sapo kishte dalë nga burgu. Në shkollë ai ka qenë drejtor i kursit për imamë, që ishte hapur pranë Medresesë dhe profesor i shkollës. Neve na jepte mësim besimi dhe histori islame. Njëherë, në pushim pas mësimit, ku sapo kishte shpjeguar llojet e vuajtjeve e të torturave që u shkaktonin idhujtarët myslimanëve, një shoku ynë e pyeti:

– Hafiz Efendi, si mund të bëhet fjalë për rrahje burrash, fëmijët rrihen, ndërsa burrat zihen e vriten, por s’rrihen?!

– More bir, aty ku nuk ecën arsyeja, për të thyer vullnetin e burrit të burgosur, arbitrarisht përdoret edhe dajaku!

– Po ty, profesor, a të ka prekur dikush në jetën tënde?! – pyetje shumë e rëndë, që Hafizin tashmë të plakur e preku thellë. Ai nguli sytë diku, nxori shaminë nga xhepi, fshiu xhamat e syzeve tashmë të lagur, që i kishte nxjerrë për të plotësuar regjistrin, psherëtiu thellë, e tha:

– Gjatë jetës sime ka pasun raste që e kam provuem bajagi herë ene dajakun!

– Po tani në burgun që bane këtë nebet, vunë përsëri dorë mbi zotninë tënde?

– Të kam nxënës e më ke mësues, duhet me t’u përgjigjur ashtu siç është e vërteta! Si të gjithë të tjerët, mor bir! Ata që kishin marrë përsipër atë punë, Zoti i faltë, megjithëse nuk e besonin Zotin e s’donin t’ia dinin për Të, nuk njihnin as insanijetin apo njerëzillëkun, siç i thonë, dhe nuk dinin, ose nuk donin të bisedonin e të silleshin si njerëz, por silleshin sikur të kishin përpara kafshë! Jo, jo, estagfirullah, e thashë gabim, njeriu edhe me kafshët e ka detyrë të mos sillet ashtu! Me të gjitha veprimet që bënin, sikur donin të tregonin se po bënin garë me zabanitë e xhehenemit! Atje, mor bir, kishte dy rrugë, o bindje e pranim i atyre që të akuzonin, o kalbje në dru! Sidoqoftë, vullneti i njeriut, sidomos kur je i lidhur fort pas fesë, është ilaçi më i mirë, se njeriu, kur ka frikë vetëm Zotin dhe kur ka bindje të thellë për atë që mbron, nuk pyet ma për dajakun! Edhe njëherë po ju them: Zoti i faltë për ato gjana që kanë marrë përsipër, se Ai, kur vjen sahati, që ka caktuar Vetë, vall’llahi, bil’lahi, tall’llahi të bën kahar!, – dhe i ra me dorën e djathtë shuplakës së majtë.

Është e lehtë për cilindo që dëgjon episodin e mësipërm të nxjerrë së paku dy konkluzione. Së pari, për shkallën e lartë të besimit islam, me të cilën ishte pajisur Hafizi, dhe palëkundshmërinë e tij në këtë drejtim dhe, së dyti, për trimërinë e guximin e tij për ato që thoshte në një kohë kur sapo kishte dalë nga burgu komunist.

Me pak fjalë ky ka qenë Hafiz Ibrahimi, sa shqiptar me bindje, aq edhe teolog i shquar i fesë islame. Njeri shumë i pastër e i pasur në ndjenja e në shpirt, punëtor i gjithanshëm për t’u marrë shembull, sidomos nga rinia, por që pati një jetë sa të pasur në veprime të kryera në dobi të vendit e të fesë, aq me vuajtje e mundime për veten e vet. Ai me veprën e tij në shërbim të popullit, të atdheut e të fesë, do të kujtohet gjithmonë për mirë.

Zoti e pastë mëshiruar dhe ia pastë shpërblyer.

Ali M. Basha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit