1.7 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Hafiz Ibrahim Dalliu, arrestimi, akuzat e rreme dhe dënimi

Më të lexuarat

Hafiz Ibrahim Dalliu në hetuesi, viti 1947

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 2008 krejt rastësisht kam gjetur foton e hetuesisë së Hafiz Ibrahim Dalliut, e cila është bërë tashmë shumë e njohur. Më vjen mirë që një foto të humbur me imazhin e këtij kleriku të burgosur e kam sjellë dhe bërë të njohur. Dosja e tij hetimore-gjyqësore ishte tërhequr prej  Arkivi i Ministrisë së Brendshme nga Gjykata e Lartë (në kuadër të 200 dosjeve që kjo gjykatë ka marrë për rishikime vendimesh e mbrojtje ligjshmërie) dhe kjo foto nuk iu bashkëngjit dot asaj.

Hafiz Ibrahim Dalliu, lindur e banues në Tiranës, me arsim të lartë, fliste dhe shkruante turqisht, persisht e greqisht, profesor në medresenë e Tiranës, ishte 85 vjeç kur u arrestua më 16.5.1947. Ishte pjesë e arrestimeve të shumta që u zhvilluan në maj 1947 kundër inteligjencies shqiptare të quajtur tekniko-intelektualë. Gjatë kësaj kohe u arrestuan mbi 100 persona si dhe u përpiluan disa procese politike, ku më të njohurat mbetën dy gjyqet e para ndaj deputetëve. Arrestimi i Hafiz Ibrahim Dalliut, nuk duhet parë i shkëputur nga këto procese, sepse është pjesë e pandashme e tyre. Në listën e përgjithshme të arrestimeve, emri i tij gjendet në numrin 52.

Aktakuza u miratua më 5.2.1948 nga ndihmësprokurori i Garnizonit të Tiranës, Faik Minarolli. U akuzua në bazë të nenit 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kundra popullit e shtetit”, për agjitacion kundër pushtetit dhe reformave të tij me elementë të pakënaqur, komentimin e radiove “reaksionare” me Hafiz Dibrën, Hasan Tahsinin, Jonuz Bulajn, etj, popullarizimin se së shpejti do kishim një zbarkim anglo-amerikan dhe pushteti do përmbysej.

Hetuesia u zhvillua më 13.10.1947 në Seksionin e Sigurimit të qytetit të Tiranës nga nëntoger Koli Miti. Procesi gjyqësor u hap më 19.2.1948. Dokumentacioni është përpiluar gjithë gabime, jo vetëm për datën e arrestimit, por edhe për tekstin dhe arsyetimin e tij. Madje të pandehurit i shkruhet keq edhe emri, në “Haziz Dolliu”. I pandehuri hedh poshtë akuzat dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Edhe mosha i vihet 70 vjeç, kur vetë ai shkruan se ishte 85 vjeç. Ai nuk e pranon procesin e hetuesisë ndaj tij.

Me vendimin nr.89, datë 24.2.1948 Gjykata Ushtarake Tiranë, e përbërë nga major Gjon Banushi, kapiten I Abdyl Hakiu, kapiten II Shaban Nezha, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.227, datë 31.5.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Në kërkesën ankimore që i dërgon Gjykatës së Lartë Ushtarake, ndër të tjera shkruan:

“Akuzat që u paraqitën kundër meje janë:

1-“Ke fole kundër reformës agrare dhe reformave shoqërore”. Kjo akuzë rrëzohet vetvetiu, sepse jo vetëm që s’ka ndonjë fakt serioz mbi këtë, por nga ana tjetër, unë jam i vobektë, as kam tokë e ullinj dhe as më prekin fare reformat e pushtetit.

2-“Ke propaganduar në mes të profesorëve të medresesë mbi zbarkimin e trupave anglo-amerikane”. Edhe kjo akuzë nuk është aspak e vërtetë. Unë jam plak 85-vjeçar, zoti kryetar, i lodhur nga jeta. Ka më tepër se 15 vjet që kam heq dorë nga politika. Unë kam bërë politikë dhe jam përpjekur për fitimin e të drejtave të popullit shqiptar në kohën e rilindjes dhe ka, qenë i burgosur më tepër se 10 herë nga Turqia e sulltanëve. Këto fakte historike dihen prej të gjithëve. Sot me një këmbë në varr, me përgjegjësi familjare, unë mundohem t’i bëj ballë jetës me nder dhe s’kam as dëshirë, as kohë të bëj propagandë”.

Hafizi u lirua me dekretin nr.819, datë 27.4.1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Emri i tij gjendet në numrin 253 të listës së të burgosurve që ndodheshin në Tiranë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit