1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Hafiz Ali PODGORICA ngren flamurin kombëtar në Durrës

Më të lexuarat

Ngritja e flamurit 26 nëntor të vitit 1912 nga kryetari i parë i Bashkisë së Durresit Hafiz Ali Podgorica tregon qarte se hafizët dhe hoxhallaret ishin ata që kontribuan ne formimin e shtetit shqiptar. Rasti i hafizit përbën shembullin më domethënës në historinë e atyre viteve të veshtira qe kaloi vendi dhe populli ynë.Kryetar i parë i Bashkisë Durrës (1909-1912), Kadi e Myfti i Durrësit, Ngritës i Flamurit në Durrës. I dekoruar me urdhrin e Klasit I në vitin 1992, “Qytetar nderi i Durrësit” 1996, “Mirënjohje e qytetit të Durrësit” 2005. Atë e tërhoqën xhaxhallarët e tij, që banonin në Shkodër, ku kreu filloren dhe gjimnazin osman. Ai mësoi edhe Kur’anin përmendësh, duke marrë titullin Hafiz. Më vonë shkoi në Stamboll, ku u njoh me patriotët e atjeshëm. Ishte shok i Ismail Qemalit, Jani Vretos, Koto Hoxhit e shumë të tjerëve. Bashkë me ta u pajis me ndjenjat dhe idetë kombëtare për lirinë e Shqipërisë dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe.Hafiz Ali Podgorica lindi në vitin 1855 në Podgoricë në një familje patriotësh shqiptarë. Prindërit e tij Abdullah dhe nëna Pashja e lanë jetim Aliun në moshën 6 vjeçare.Mbasi u kthye në Shkodër punoi si avokat e ndihmës gjyqtar. Bashkëpunoi me patriotët dhe intelektualët shkodranë. Më pas e transferuan në Durrës, ku punoi si kadi (gjykatës) dhe pastaj u zgjodh myfti.Në Durrës u bashkua me patriotët: Nikollë Kaçorri, Abaz Celkupa, Seit Kertusha, Dr. Neki Libohova e shumë të tjerë.Me formimin e klubeve “Vëllazëria” e “Bashkimi”, Hafiz Aliu ka qenë anëtar i këtyre klubeve (1905-1909). Ai ka dhënë kontributin e tij për çështje me rëndësi kombëtare dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në kushtet e asaj kohe.Hafiz Aliu është dërguar gjithashtu si përfaqësues i Durrësit në “Kongresin e Dibrës” në korrik 1909. Këtu Hafiz Aliu e Dervish Hima fituan miratimin e të gjithë delegatëve për përkushtimin në çështjet kombëtare në planin arsimor, kulturor e politik.Në vitin 1909, në zgjedhjet bashkiake, Klubi paraqiti kandidaturën e Hafiz Aliut. Ai ishte brumosur me idealet e Rilindësve tanë dhe kishte udhërrëfyes mësimet e Sami Frashërit nga ku kishte mësuar konceptet e qeverisjes së vendit. Ai ishte personi më i kompletuar për të përballuar detyrat e kryetarit të bashkisë.Kështu u zgjodh kryetar i parë i Bashkisë së Durrësit në legjislaturën 1909-1912. Duke qenë gjithmonë konsekuent në lëvizjen patriotike, hidhte bazat e administratës shqiptare edhe në fushën e drejtësisë.Pas dështimit për ngritjen e flamurit në Durrës më 24 nëntor 1912, si kryetar Bashkie nënshkroi aktin e përfaqësimit për delegatët e Durrësit, që do të shkonin në kuvendin e Vlorës.Akt i rëndësishëm i qytetarisë durrsake, pas largimit të Ismail Qemalit për në Vlorë, qe ai i Hafiz Ali Podgoricës, Kryetar i parë i Bashkisë dhe personalitet i shquar, i cili më 26 nëntor 1912 ngriti me dorën e tij Flamurin Kombëtar në Pallatin qeveritar të Durrësit.Menjëherë pas këtij akti madhor patriotët durrsakë nën drejtimin e Hafiz Aliut më 27 nëntor 1912 firmosën telegramin Nr. 3300 dërguar të gjithë qyteteve me rëndësi të Shqipërisë për shpalljen e pavarësisë në Durrës (shpallën indipendencën në emër të kombësisë tonë të shtrenjtë e të gjithë Shqipërisë).[1]Njëkohësisht iu dërguan memorandume konsujve të Austrisë, Francës dhe përfaqësuesit italian në Durrës. Në dokumentet historike që ndodhen në Arkivin e Shtetit (Fondi i pavarësisë) shkruhet:“Hafiz Ali Podgorica (1855-1929) më 26 nëntor 1912, me cilësi si kryetar Bashkie, pati nderin e posaçëm me ngritë me dorën e vet Flamurin e Shqipërisë në pallatin qeveritar të Durrësit”.[2]Administrata që kryesoi Hafiz Ali Podgorica më 1909-1912 për meritat e saj përbën faqe historie në jetën e qytetit të Durrësit. Është e kohës së tij dhe vula e parë e Bashkisë së Durrësit. Kjo detyrë lidhej padyshim me momentin historik që kalonte qeveria e përkohshme e Vlorës.Për veprimtarinë patriotike atdhetare Hafiz Aliu gjithë jetën e tij ia kushtoi veprimtarisë për të mirën e vendit në organizimin e administratës shtetërore, si dhe në planin arsimor, kulturor e politik. Për figurën intelektuale janë zhvilluar disa mbledhje ku janë dhënë disa kumtesa për veprimtarinë e tij.Në atë kohë Esat Pashë Toptani, duke shfrytëzuar postin e tij si ministër i brendshëm i Qeverisë së Vlorës, në vitin 1913, e përdori xhandarmërinë për interesat vetjake, ambicioze kundër Qeverisë Kombëtare. Hafiz Aliu e kuptoi qëllimin e tij politik pro-serb. Bashkë me patriotët e tjerë durrsakë u larguan me familjet e tyre nga Durrësi. Për dënim u janë plaçkitur shtëpitë e tyre. Po e njëjta gjë ndodhi në vitin 1924 kur Esat Pasha erdhi për të dytën herë në Durrës.Hafiz Aliu ishte përkrahës i mendimeve demokratike të Fan Nolit.Gjatë regjimit të Zogut dëbohet në Kavajë në vitin 1926. Ka vdekur në vitin 1929 duke lënë familjen në gjendje të vështirë ekonomike.Në vitin 1992, Hafiz Ali Podgoricës i jepet nga Presidenti i Republikës z. Sali Berisha titulli “Urdhri i Klasit të I-rë” për veprimtari patriotike me motivacionin: “Si figurë intelektuale, i dalluar në organizimin e luftës për çlirim kombëtar, për ngritjen e Flamurit në Durrës (26 Nëntor 1912) dhe për organizimin e administratës shtetërore”.Më 16.10.1996, këshilli bashkiak i qytetit të Durrësit i jep Hafiz Ali Podgoricës (pas vdekjes) titullin: “Qytetar nderi i qytetit të Durrësit” me motivacionin: “Intelektual dhe patriot i shquar. Si delegat i Durrësit në Kongresin e Dibrës, ka luftuar me sukses synimet xhonturke. Bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, me porositë e të cilit ngriti Flamurin Kombëtar në Durrës më 26 Nëntor 1912. Kryetari i Parë në Bashkinë e Durrësit në vitet 1909–1912”.Më 16-17 gusht 2003, nga Bashkia e Durrësit e Shoqata “Durrësi”, i akordohet Hafiz Ali Podgoricës (pas vdekjes) titulli: “Simbol i Qytetit – Kryetarit të Parë të Bashkisë së Durrësit, intelektualit të shquar që organizoi administratën shtetërore, patriotit të flaktë që më 26 Nëntor 1912 ngriti Flamurin e Pavarësisë në Durrës”.Më 26 nëntor 2005, nga Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi” i akordohet Hafiz Ali Podgoricës titulli: “Mirënjohje e qytetit të Durrësit” me motivacionin: “Për kontributin që ka dhënë për Pavarësinë e shtetit shqiptar dhe për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në qytetin e Durrësit më 26 Nëntor 1912”.Më 26 nëntor 2008 u bë inaugurimi i përmendores së kryebashkiakut të parë të Durrësit, Hafiz Ali Podgorica 1909-1912.[1]. Bebeziq, Danish, “Kontributi i Durrësit për shpalljen e pavarësisë. Akte të Rilindjes Kombëtare.

/hoxhallaret.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit