Qëndrimet e qeverive greke ndaj komunitetit shqiptar në Çamëri pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe pushtimit të kësaj krahine nga Greqia më 1913 e deri më sot kanë qenë në funksion të zhbërjes se çdo gjëje shqiptare dhe greqizmit të saj me emigrantë nga Azia e Vogël.
Hyrje
Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e vitit 1913, e cila ishte mbledhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve ballkanike, la jashtë shtetit të ri shqiptar gati gjysmën e territoreve shqiptare; Kosovën, pjesën shqiptare të Maqedonisë dhe Çamërinë, të cilat në mënyrë permanente iu nënshtruan përndjekjes dhe shkombëtarizimit.
Ashtu si fati i shqiptarëve të tjerë të mbetur jashtë trungut të shtetit amë, edhe fati i shqiptareve të Çamërisë ishte tragjik dhe i dhimbshëm. Tragjedia çame kishte jo vetëm aspektin territorial, por edhe njerëzor.
Qëndrimet e qeverive greke ndaj komunitetit shqiptar në Çamëri pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe pushtimit të kësaj krahine nga Greqia më 1913 e deri më sot kanë qenë në funksion të zhbërjes se çdo gjëje shqiptare dhe greqizmit të saj me emigrantë nga Azia e Vogël. Athina zyrtare nuk u ka njohur asnjë të drejtë kombëtare shqiptarëve të Çamërisë, përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë i ndaluar si në shkolla ashtu edhe në përdorim publik.
Ky koncepti shovinist ishte përcaktuar në dy drejtime:
1. Ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks, politikën e asimilimit, duke i privuar nga çdo e drejtë etnie, kulture, apo gjuhësore, duke i konsideruar grek, pra ngatërronin me qëllim fenë dhe kombësinë, veprim që e bëjnë edhe sot ndaj shqiptarëve duke pretenduar se të gjithë ortodoksët janë grek.
2. Ndaj shqiptarëve të besimit islam aplikuan politikën e gjenocidit dhe shfarosjen duke mohuar gjithashtu etninë. Në shumë raste me qëllim i kanë konsideruar turko-çam dhe jo shqiptaro-çam.
Ajo që do t’i pllakosë çamët në shpirt edhe më shumë janë veprimet e shtetit grek në vitet 1923-1924, e që pa mëdyshje se për popullatën e kësaj ane do të jenë vdekjeprurëse. Marrëveshjes së Lozanës të janarit të vitit 1923 ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, për shkëmbimin e turqve myslimanë me grekët e Anadollit, do t’i jepej konotacion tjetër nga qarqet zyrtare greke, sepse midis turqve myslimanë do të përfshihen edhe çamët myslimanë me origjinë shqiptare që banonin në Greqi, edhe pse përfaqësuesi i Qeverisë greke, më 19 janar 1923 në Lozanë deklarohej se qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend t’i fuste në shkëmbim, myslimanët me origjinë shqiptare.
Në kundërshtim me realitetin historik dhe marrëveshjet e arritura, shteti grek detyron forcërisht këmbimin e çamëve, që arrijnë disa dhjetëra mijëra vetë, duke realizuar në atë kohë një pjesë të planit të kahershëm për një spastrim etnik të minoritetit autokton.
I gjendur i tmerruar përball kësaj politike represive dhe hegjemoniste të shtetit grek, njëri nga patriotet më në zë të kohës së tij, Hafëz Ibrahim Dalliu, si kryeredaktor i gazetës “Dajti”, që asokohe botohej në Tiranë, do t’i kushtonte një vëmendje të veçantë në faqet e kësaj gazete këtyre tragjedive, duke u bërë zë i fuqishëm në sensibilizimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për represionin dhe përndjekjen e popullit çamë nga autoritetet e shtetit grek.
Dy fjalë për gazetën “Dajti” të Hafëz Ibrahim Dalliut
Gazetë e përjavshme politike, ekonomike e letrare. Numri i parë doli më 5 janar 1924 në Tiranë; vijoi deri në nr. 125. Doajeni dhe studiuesi i gazetarisë shqiptare Hamit Boriçi, kur flet për gazetat që dilnin në fillim të shek. XX, ndër të tjera, shkruan: “Xhoka” dhe “Dajti” ishin dy gazeta që u botuan në Tiranë, por jehona e tyre u dëgjua edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë…., “Dajti”, e drejtuar nga Hafëz Ibrahim Dalliu, një prej figurave përparimtare e demokratike të klerit muhamedan në Tiranë. Ajo filloi botimin më 5 janar 1924, i kushtoi vëmendje të veçantë luftës kundër opinionit patriarkal, feudal, të prapambetur. Kjo gazetë shquhej për rubrikën “Dajti në gaz”, e cila botohej në faqe të parë dhe kishte autor vetë kryeredaktorin e fletores, publicistin H. I. Dalliun. Përmes humorit e satirës, stigmatizohej e vjetra, kritikoheshin mbeturinat feudale në jetën qytetare; përcilleshin ide e mesazhe përparimtare e demokratike. Në 125 numrat e saj, “Dajti” e ruajti natyrën, përmbajtjen, përparimtare e demokratike.(1)
Gazeta “Dajti” për tragjedinë çame
Në faqet e gaztës “Dajti” çështja çame zuri një vend meritor. Me këtë rast do të sjellin disa nga numrat e saja, ku lexuesi ka rastin të shoh se çfarë mënyre dhe çfarë dimensioni i jep kjo gazetë çështjes çame dhe raporteve shqiptaro-greke në përgjithësi. Edituesit e saj pothuajse në çdo numër ia kushtonin nga një shkrim fatit të popullsisë çame, duke u shndërruar në një organ që po denonconte para publikut vendor dhe ndërkombëtar politikat shfarosëse të shtetit grek, i cili në intencë për të realizuar idenë nacionaliste të Megalit. Ideja synonte shkombëtarizimin, jo vetëm ndaj Çamërisë, por edhe pushtimin e Jugut të Shqipërisë. Në këtë shkrim do të trajtojmë artikullin e gazetës “Dajti” nr. 42, të dt. 6 gusht 1924, me titull: “Populli çam dhe kabineti Noli”(2), në të cilin është dhënë një tablo e përgjithshme e sjelljeve më çnjerëzore të autoriteteve të shtetit grek ndaj komunitetit shqiptar në krahinën e Çamërisë; “Autoritetet greke, me sjelljet e tyre çnjerëzore për deparimin dhe për çrrënjosjen e popullit shqiptar të Çamërisë, kujtojnë që realizojnë qëllimet imperilaistike të megalloidesë së tyre qesharake, në dam të popullit dhe të shtetit Shqiptar”, thekson shkrimi në fjalë, duke vënë në dukje qëllimet djallëzore të Athinës zyrtare ndaj shqiptarëve. Njëherazi, përmes këtij artikulli gazeta “Dajti” i bënë me dije kabinetit Noli që çështjen çame duhet marrë shumë seriozisht; “Jemi sigurt se Kabineti Noli do t’i marri gjith masat q’i lyp nevoja, interesi dhe nderi i Shqipërisë; edhe shpresojme se do të ket nevojë t’ja kujtojmë her tjetër Qeverisë detyrën e sajë,” vinte theksin në artikullin e saj kjo gazetë shqiptare.
Ndërsa më 7 nëntor 1924, gazeta “Dajti” në nr. 53, me titull: ”Çamerija në vajtim bijt e saj në panik!”, i bënte të njohur opinionit mbarë shqiptar për përndjekjen dhe mizorit e shtetit grek ndaj kësaj popullate, respektivisht vinte theksin te mënyra çnjerëzore e dëbimit të çamëve nga vendbanimet e tyre. Artikulli në fjalë përfundonte me një apel, ku thuhej: “Në emër të njerëzimit e të interesave kombëtare, bëjmë apel, për të fundit herë, në ndërgjegjen e popullit e të Qeverisë Shqiptare që t’i ndejnë dorën e shpëtimit racës Shqiptare të Çamërisë e cila po s’u interesuat juve me shpirt, ësht’ e dënuar të humbasijë për jetë! Popull, Shyp, djalëri, është detyra e juaj njerëzore e atdhetare të detyroni Qeverin Shqiptare të zbatoj dëshirën e juaj të vertetë- (Tiranë më, 19-IX- 24, Zëri i Camërisë).”(3) Po në këtë numër kemi edhe një shkrim me titull; “ Nji sy mbi Camëriën”, ku vë në spikamë qëndrimin e delegatit italian Montagna, gjatë nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, i cili ka mbrojtur popullin çam duke u bërë më dije autoriteteve të nënshkrimit se këta nuk duhet të konsiderohen si turq.
Kurse në nr. 58, të dt. 11 dhjetor 1924, kjo gazetë sjellë shkrimin: “Sjelljet e Greqisë kundrejt Shqipnis”, të ideologut të çështjes shqiptare nga Kosova, Hasan Prishtina, i cili me një stil plot nerv diplomatik dhe patriotik ve në pah interesat, siç thotë ai, të përbashkëta të dy popujve fqinj për ekuilibrimin e çështjes në Ballkan. Duke qenë një diplomat me eksperiencë të gjatë, Hasan Prishtina ka edhe sugjerimet e tija në këtë artikull kur thotë së Qeveria Shqiptare është treguar tolerante kundrejt grekëve në territorin shqiptar, duke u dhënë të drejtat e tyre si në shkollim, gjuhë etj., andaj me plotë të drejtë, Hasan Prishtina konstaton se: “Pra edhe na kena të drejtë me lyp prej Greqisë sjellje reciproke për Shqyptarët qi banojnë në Greqi edhe sidomos për çamërit. Duhet Greqia me dhenë edhe Shqyptarëve të drejtat e pakicave sikundër qi ja u dha Bullgarëvet që banojnë në Greqi.”(4) Gjithashtu, Hasan Prishtina thekson se zgjidhja e çështjes çame dhe dhënia e të drejtave të tyre do të ishte shkak për zhdukjen e mosmarrëveshjeve në mes të këtyre dy kombeve, që sipas tij, janë më të moçmit kombe në Ballkan, “qi kan pasë nji lidhje historike ndermejt veti prej shumë shekujsh.”(5)
Vuejtjet e vllazënvet t’onë Camër,”(6) është shkrimi tjetër i gazetës “Dajti” nr. 98, të dt. 24 shtator 1925, ku publikohet një telegram nga Saranda të përfaqësuesit të përgjithshëm të popullit shqiptar të krahinës së Çamërisë, zotëri Adem Mehmet Klefit, të cilin telegram ia dërgon Ministrisë së P. të Jashtme të Shqipërisë, ku potencon ardhjen e komisionit ndërkombëtar në Çamëri, trysnitë e autoriteteve greke ndaj popullatës shqiptare për ta mohuar këmbësin para komisionit, konfiskimi i pasurisë nga ana e autoriteteve greke ndaj atyre që deklaronin se janë shqiptarë, dhe njëkohësisht me anë të këtij telegrami kërkohet nga qeveria shqiptare të marrë masa diplomatike, siç thuhej: “….për shpëtimin e nji pjesës së kombit shqiptar me shpëtue nga këto mizori, këto mizori e pa drejtësira të jashtë njerëzishme.”(7)
Edhe në numrat e tjerë, gazeta “Dajti” publikoi shkrime dhe artikuj përmes të cilëve pasqyrohet qëndrimi antishqiptar i shtetit grek dhe intenca e tij për shkombëtarizimin e krahinës së Çamërisë, duke ndryshuar dhunshëm strukturën etnike në dobi të elementit grekë, respektivisht duke vendosur emigrantë grekë dhe vllehtë në pronat dhe vendbanimet shqiptare pa asnjë kompensim.
Kush ishte Hafëz Ibrahim Dalliu (1878-1952)
Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe demokratike, hoxhë (hafëz), publicist, lëvrues i letërsisë artistike. Lindi në Tiranë, ku kreu Medresenë. Vijoi studime e larta në Stamboll.
Shërbeu në vendlindje si hoxhë (hafëz) dhe mësues. Dha mësim në shkollën e parë shqipe në Tiranë (1898). Më 1908 hapi shkollën shqipe të vajzave në Tiranë. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit në vitin 1909 dhe së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Aleksandër Xhuvanin, Hafëz Ibrahim Dalliu qe nga të parët që themeloi Normalen e Elbasanit, e cila u hap me vendim të Kongresit të lartpërmendur. Ishte njëri nga themeluesit dhe drejtuesit e klubit patriotik “Bashkimi” në Tiranë dhe e përfaqësoi atë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908. U bashkua me Qeten e kryengritësve kundër xhonturqve të Sarisalltekut më 1911. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtare të Vlorës me 1912, pas vitit 1921 zhvilloi veprimtari të gjerë politike e shoqërore.(8) Gjatë viteve 1920-1924 mori pjesë në Lëvizjen Demokratike.
Pas vitit 1912, Hafëz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë, drejtoi gazetën politike “Dajti”. Duke nisur nga viti 1918 deri më 1924 botoi një varg veprash, islame, satirike, patriotike etj.(9)
Ndër veprat e tij janë: “Dokrat e hinit”(1920), “Patriotizma në Tira- në”(1930), “Tefsiri shqip i Kur’anit” në dy vëllime, përkthyer nga arabishtja. “Udha muhamedane”, Tiranë më, 1936, etj.10 U përndoq, u burgos, maltretua nga xhonturqit, gjatë pushtimit italian, gjatë monarkisë së A. Zogut dhe diktaturës së Enver Hoxhës.
Përfundim
Nga materialet e lartshënuara të gazetës “Dajti” lidhur me çështjen çame, mund të përfundojmë se, për informacionet që vinin nga Çamëria dhe që kishin të bënin me represionin e shtetit grek ndaj popullatës shqiptare të kësaj ane, për dëbimet, vrasjet përdhunimet, shpronësimet e dhunshme, kjo gazetë u bë një dritare dhe një zë i fuqishëm për denoncimin e politikave antishqiptare të Athinës zyrtare. Natyrisht, një meritë të veçantë për këtë punë kaq të çmueshme e ka drejtori i saj përgjegjës, Hafëz Ibrahim Dalliu, i cili u kujdes përherë që në faqet e gazetës “Dajti” çështja çame të kishte një hapësirë të veçantë, respektivisht që informacionet nga Çamëria të jenë shumë herë kryelajm dhe për këtë, ato editoheshin në ballinat e saj.
Po kështu, nga kërkimet e bëra mund të themi së “Dajti” ishte ndër gazetat e vetme të kohës që i kushtoj një rëndësi të veçantë fatit të popullit çam dhe vuajtjeve të tij nën okupimin e shtetit grek, i cili me të gjitha mjetet bëri që kjo krahinë të greqizohet tërësisht, të mbetet pas asnjë shqiptarë. Gjithashtu vlen të shtohet se kjo gazetë çështjen çame nuk e trajtoi si një çështje të rastit, por ajo ishte e interesuar që çështja çame gjithmonë të jetë lart në listën e shkrimeve të saj, si një çështje që duhet denoncuar fuqimisht dhe në vazhdimësi.
_________________________
1. Hamit Boriçi, Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare ( 1848-1997), Tiranë, 1997, f. 84, 85.
2. “Dajti”, nr. 42, dt. 6 gusht, Tiranë, 1924, f. 1.
3. “Dajti”, nr. 53, dt. 7 nëntor, Tiranë, 1924, f. 3.
4. “Dajti”, nr. 58, dt. 11 dhjetor, Tiranë, 1924, f. 2.
5. “Dajti”, nr. 58, dt. 11 dhjetor, Tiranë, 1924, f. 2.
6. “Dajti”, nr. 98, dt. 24 shtator , Tiranë, 1925, f. 3.
7. “Dajti”, nr. 98, dt. 24 shtator , Tiranë, 1925, f. 3.
8. Ibrahim Hasnaj (Hima), Hafiz Ibrahim Dalliu ( jeta dhe vepra), në: “Ditura Islame”, nr. 64, Bashkësia Islame e Kosovës, Prishtinë, 1995, f. 64.
9. Hafëz Ibrahim Dalliu, Veprat letrare, Botime Enciklopedike, Tiranë, 2000. 10. Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzagjeza e tij kur’anore, Logos- A, Shkup, 1998.
Dr. Nuridin Ahmeti
Dituria Islame 379-380