Muhamed Ibn Mesleme el Kanebij është një nga muhadithët e njohur, i cili ka transmetuar hadithe nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai njihet si transmetues i rangut më të lartë. Dijetarët e hadithit i klasifikojnë transmetuesit në disa kategori, në bazë të besueshmërisë, aftësive të tyre në mbajtjen përmendësh dhe disa kritereve të tjera që i kushtëzhen t’i plotësojnë këta transmetues.
Hadithet që janë transmetuar nga ai, i kanë vendosur edhe Buhariu, edhe Muslimi në koleksionet e tyre, gjë që na jep të kuptojmë vlerën e këtij dijetari, për shkak se Buhariu dhe Muslimi njerëzit nga të cilët i kanë transmetuar hadithet e tyre kanë qenë ata që kanë arritur shkallën më të lartë të besueshmërisë. Prandaj, vet fakti se Buhariu apo Muslimi transmetojnë hadithe nga një person, ajo është vlerësim dhe lavdërim për të.
Ajo që është e interesante të përmendim rreth këtij dijetari është historia e tij se si u bë muhadith (dijetar i hadithit).
Imam Dhehebiu në librin e tij me titull “Sijer alami nubela” përmend historinë e këtij dijetari, treguar nga i biri i tij.
Ai tregon se babai i tij, kur ishte në moshën rinore, nuk ishte i dhënur pas diturisë dhe praktikimt të Islamit, por ishte një njeri mëkatar (fasik) që ishte dhënë pas epsheve dëfrimeve dhe kënaqësive të kësaj bote.
Një ditë, derisa ai kishte përgatitur të gjitha gjërat e nevojshme për gosti, kishte bërë gati ushqimet dhe verën që do ta pinin në shtëpinë e tij me shokë dhe do të kalonin natën aty në dëfrim. Ndërkohë që ai priste te dera e shtëpisë shokët që do t’i vinin, dëgjon një zhurmë në hyrje të qytetit se si shumë njerëz ishin grumbulluar rreth një njeriu që ishte duke hyrë në qytet. Ky, si çdo i ri kurioz në atë që po ndodh, shkon dhe futet në turmë. Aty shikon një njeri me mjekërr të bardhë mbi gomar dhe pyet njërëzit që ishin të pranishëm.
-Kush është ky njeri?
-Shubeja[1].- iu përgjgjën.
-Kush është Shubeja?- pyeti përsëri.
-Është muhadith.- ia kthyen.
I veshur me një këmishë të kuqe (e që për atë kohë kjo rrobë ishte veshje e njerëzve fasik, mëkatarë) u nis drejt tij.
Më thanë se je muhadith, më tregi disa hadithe. – iu drejtua Shubes. Shubeja pasi vërejti nga rrobet se çfarë njeriu ishte i tha: -Ti nuk je nxënës i hadithit që të tregojë hadithe…
Në çast nxori thikën e tha: “Më trego hadithe se përndryshe do të vras me thikë!”
Shubeja u drejtua nga ai e i tha: “Më ka treguar Mensuri nga Rebiu, ky nga Ebi Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: ‘Nëse nuk të vjen turp, vepro çfarë të dëshirosh!’”
Kur Kanebiu e dëgjoi këtë hadith, u prek në zemrën e tij, u kujtuan mëkatet me të cilat lufton kundër Zotit me vite të tëra, e hodhi thikën dhe u kthye në shtëpi. E kapi verën që kishte në shtëpi dhe e derdhi, pastaj kërkoi nga nëna e tij që kur të vijnë shokët e tij në mbrëmje të shkojnë e ai menjëherë udhëtoi për në Medine për të kërkuar dituri dhe qëndroi atje gjashtë vite. Kaloi një kohë në shoqërimin e Imam Malik ibn Enesit dhe u bë dijetar e muhadith i madh e i dalluar, ku ka transmetuar shumë hadithe, por nga Shubeja nuk transmeton vetëm këtë hadith për shkak se ai më nuk është takur më të, pasi kur u kthye nga Medina, Shubeja kishte vdekur.
Shkak i udhëzimit të tij ishte një këshillë kalimtare, e cila zuri vend një zemër të gjallë dhe të kulluar…
Është për t’u çuditur fakti se si atij iu hap zemra kaq shpejt, pasi që ishte i fundosur në mëkate, mirëpo ajo që më shumë e shton çudinë është fakti se si Allahu e zgjodhi Shuben që nëpërmjet tij të udhëzohet Kanebiu.
Përgatiti: Alaudin Abazi
[1] Shube Ibën Haxhaxh, muhadith dhe dijetar i njohur, i cili ka transmetuar shumë hadithe nga Profeti (salallahu alejhi ue selem)