3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Hadithe që kundërshtojnë besëtytnitë

Më të lexuarat

Dijetar i nderuar: Shpresojmë se do të na sqaroni fjalën e Resulull-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, kur thotë: “Nuk ka epidemi, as ogur, as bestytni me Hamme-n (qokthin) e as bestytni në muajin safer”[1]. Çfarë lloj mohimi është ky në këtë hadith dhe si mund të pajtojmë këtë hadith me hadithin “Ik nga murtaja (lebra gërbula) ashtu si ikën nga luani”[2]?

Përgjigje:Shejh Muhammed bin Salih el Uthejmin

Epidemi është transferimi i sëmundjes nga i sëmuri tek i shën­doshi, kjo sikurse ndodh në sëmundjet fizike, po ashtu mund të ndo­dhë edhe në ato psikike-morale.

Për këtë Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thë­në se sho­ku i keq është sikurse farkëtari, ose ta djeg rrobën, ose kur të dalësh nga ai, del me erë jo të mirë.

Pra, fjala epidemi në këtë rast i përfshin që të dy kuptimet.

Ogur është pesimizmi apo dëshpërimi nga diçka që sheh, dë­gjon apo e di.

Hamme, kjo është komentuar me dy komente:

I pari: Se ajo është një lloj sëmundje, e cila po ashtu tran­s­fe­ro­het tek i shëndoshi, nëse është kjo për qëllim atëherë mund të the­mi se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, këtë e ka për­mendur me një fjali (me epideminë) si përcaktim (pjesë të ve­çan­të) të asaj që ka kup­tim më të gjerë (d.m.th. epidemia).

I dyti: Se është për qëllim shpendi i njohur me emrin qokth[3], e ara­bët më parë kanë besuar se kur të vritet ndonjë njeri, vjen qok­thi te fa­mil­ja e të vrarit dhe këndon, e ata e kuptojnë se ka ar­dhur për t’i nxitur në hakmarrje, bile disa kanë besuar se ai ësh­të vetë shpirti i të vrarit dhe vjen te familja e tij, këndon dhe nuk i lë të qetë derisa të hakmerren.

E kur ndonjëherë ky shpend u ndalte mbi shtëpinë e dikujt (ku nuk kishte ndodhur ndonjë vrasje) dhe këndonte, ata mër­zi­te­shin dhe thonin se kjo lajmëron vdekjen e pronarit të asaj shtë­pie, mirëpo e gjithë kjo ësh­të besim i kotë.

Safer është komentuar me disa komente:

Një: Kanë thënë se është për qëllim muaji i seferit, sepse ara­bët e kon­sideronin si muaj i pafat.

Dy: Se është një sëmundje e barkut, e cila e godet devenë dhe trans­fe­rohet prej te njëra në tjetrën.

Nëse kjo kishte qenë e vërteta do të thonim prapë se Re­sulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, këtë e ka përmendur me një fjali (me epi­deminë) si përcaktim të asaj që ka kuptim më të gjerë.

Tre: Se është për qëllim dredhia e njohur e muajit sefer, dre­dhi­në të ci­lën e kanë bërë pabesimtarët, të cilët e zgjasnin (e vo­no­nin) shenj­të­ri­në e muajit Muharem në muajin Sefer, herë e shenj­tëronin muajin Mu­ha­rem e herë jo.[4]

Mendimi më i vërtetë është: me këtë është për qëllim muaji i se­ferit, mu­aj të cilin e konsideronin si të pafat në kohën e injo­ran­cës.

Në të vërtetë kohërat nuk kanë kurrfarë ndikimi në ndodhitë dhe në cak­­timin e All-llahut, azze ue xhel-le, muaji Sefer është një­­soj sikurse mu­ajt e tjerë, në të cilin mund të ndodhin gjëra të mi­ra dhe gjëra të kë­qija.

E në anën tjetër, dikush prej njerëzve sot kur kryen ndonjë pu­në gja­të muajit Sefer, është i qetë dhe thotë: “kjo punë u krye në filan datë të mu­ajit të mirë Sefer”.

Kjo fjalë e këtij bën pjesë në mjekimin e bidatit me bidat apo mje­ki­min e paditurisë me padituri. Muaji Sefer nuk është as mu­aj i mirë e as i keq, por është sikurse çdo muaj tjetër.

Pikërisht për këtë disa nga selefi kanë urrejtur kur dikush e ka dë­gju­ar qokthin duke kënduar të thotë “ hajr inshaAll-llah”, nuk thu­het as hajr as sherr, por ai këndon sikurse çdo shpend tjetër.

Këto katër gjëra që Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, i ka mohuar në këtë hadith, tregojnë se e kemi detyrim që të mbështetemi në All-llahun me bindje, të kemi vendosje të sin­qer­të dhe të mos trego­he­mi të dobët kur të ballafaqohemi me kë­to gjëra.

Kur muslimani shqetësohet shumë me bestytni, nuk shpëton prej kë­tyre dy gjendjeve:

Një: T’iu përgjigjet këtyre gjërave, duke vazhduar punën e tij ose du­ke u larguar nga ajo për shkak të tyre.

Në këtë rast, ky person i ka lidhur gjërat me diçka që nuk ësh­të reale.

Dy: Të mos iu përgjigjet, duke vazhduar punën e tij pa u inte­re­suar për këto, mirëpo në veten e tij ka një lloj pasigurie apo mër­zie.

Kjo edhe pse është më e lehtë se e para, prapë se prapë e ka de­tyrim që mos t’u përgjigjet këtyre gjërave, por të jetë i bindur dhe i mbështetur ve­tëm në All-llahun, subhanehu ue teala.

Dikush prej njerëzve hap Mus’hafin për të kërkuar fat, nëse e sheh se aty ku e ka hapur Kur’anin përmendet zjarri, thotë “kjo she­një nuk është e mirë”, e nëse ndodh të përmendet xheneti tho­të “kjo është mirë”.

Kjo vepër në të vërtetë është e njëjtë me veprën e atyre që e ka­në bë­rë gjatë injorancës, të cilët me short (me hedhjen e shi­gje­ta­ve në dy anët e të cilave shkronin vepro dhe mos vepro, dhe si­pas kësaj u orientonin sh.r.) kërkonin fatin.

Mohimi që është në hadith, nuk është mohim i ekzistimit të ty­re sep­se ato ekzistojnë te njerëzit, por është mohim i ndikimit të tyre, sepse ndi­kues është vetëm All-llahu.

Prej këtyre gjërave, ajo për të cilën dihet se është shkak, ajo ësh­të shkak i vërtetë, e ajo për të cilën vetëm mendohet, ën­dë­rro­het apo sup­o­zo­het se është shkak, ajo është shkak i kotë.

Pra, këto shkaqet e llojit të dytë, nuk mund të ndikojnë në diç­ka apo të shkaktojnë diçka.

Epidemia ekziston dhe për këtë është argument fjala e Re­su­lull-lla­hut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “Mos të afrohet i sëmuri pra­në të shëndoshit”, d.m.th., të mos afrohet ai që i ka devetë e së­mura pra­në atij që i ka devetë e shëndosha dhe që mos të për­ha­pet së­mun­d­ja.

Po ashtu është argument edhe hadithi: “Ik nga gërbula ashtu si ikën nga luani”, pra, ka urdhëruar që të iket, që të mos për­ha­pet sëmundja, këtu pohon se epidemia ka ndikim, por ndikimi i saj nuk është i pavarur që të ndikojë vetë.

Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka urdhëruar që të iket nga zgjebeja dhe ka ndaluar që të afrohet i sëmuri pranë të shën­doshit nga as­pekti i largimit prej shkaqeve, jo nga aspekti se ato ndikojnë ve­të.

All-llahu, subhanehu ue teala, ka thënë: “…e mos hidhni ve­ten në rre­zik…” (el-Bekare 195).

Pra, nuk është e drejtë që të thuhet se Resulull-llahu, sal-lall-lla­hu alej­hi ue sel-lem, e mohon ndikimin e epidemisë, sepse kë­të e tregojnë si të pavërtetë realiteti dhe hadithet që i lexuam.

Nëse dikush thotë se kur Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, tha: “Nuk ka epidemi…”, një njeri tha: O i Dërguar, ç’thua për disa de­­ve, të cilat rrinë në një ranishte dhe janë të shën­dosha, e aty afrohet një de­ve e sëmurë nga zgjebeja, kështu që edhe ato i godet sëmundja?! Re­su­lu­ll-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, tha: “E kush e sëmuri të pa­rën”?!

Përgjigjemi: Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, me fja­lën e tij “E kush e sëmuri të parën”, dëshiron të tregojë se së­mund­ja ësh­të transferuar nga e sëmura te të shëndoshat me cak­ti­min e All-llahut, az­ze ue xhel-le. Ngase sëmundja nuk e ka go­di­tur të parën me epidemi, por e ka goditur nga caktimi i All-lla­hut, sepse ndonjë gjëje mund t’ia dij­më shkakun, por mundet edhe të mos ia dijmë.

Pra, për sëmundjen e të parës nuk dihet, përveç se është me cak­ti­min e All-llahut, azze ue xhel-le, e për sëmundjet e të tje­rave kemi njo­hu­ri për shkakun, e nëse kishte dashur All-llahu të mos sëmureshin, nuk do të sëmureshin, prandaj ndodh që de­ve­në ta godet zgjebja pastaj të shërohet dhe të mos vdesë.

Po ashtu edhe kolera, e cila ka mundësi që të përhapet në një shtë­­pi, t’i godasi disa dhe të vdesin, e një grup tjetër shpëton, bile as që i godet ajo.

Besimtari duhet të mbështetet në All-llahun dhe të jetë i bin­dur në Të.

Tregohet se Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ish­te me një njeri që ishte i sëmurë nga zgjebja dhe i tha: -“Ha!” (nga ush­qimi ku han­te edhe vetë Resulull-llahu), sepse ai e kish­te bin­d­jen e fortë në All-lla­hun, subhanehu ue teala, dhe kjo lloj bind­je mund t’i bëjë ballë këtij shka­ku, i cili është në dorë të All-lla­hut, az­ze ue xhel-le.

Këtë pajtim të haditheve që përmendëm është pajtimi më i mi­rë që është ndërmjet këtyre haditheve.

Disa dijetarë kanë thënë se hadithi i parë është i deroguar, por ai pre­tendim nuk është i vërtetë. Sepse prej kushteve të de­ro­­gi­mit është pa­mundësia e pajtimit (bashkimit), e kur është e mundur të bëhet paj­ti­mi është detyrim të pranohet ai, sepse me paj­­timin e argumenteve d.m.th., punohet me që të dy argu­men­tet. E nëse e derogon ndonjërën, atë­herë njërin argument e ke lë­në anash.

Punimi me që të dy argumentet është më i kërkuar sesa më­nja­nimi i njërit argument. All-llahu e di më së miri.

nga arabishtja: Omer B.

[1] Buhariu (5707) dhe Muslimi (2220).

[2] Buhariu (5707).

[3] Shpend grabitqar me pendë të murrme, pak më i vogël se kukuvajka që këndon natën në verë, quhet edhe gjon. (sh.p.).

[4] Në Islam ka katër muaj të shenjtë: Rexheb, Dhul-Ka’de, Dhul-Hixhxhe dhe Mu­ha­rem, muaj në të cilët nuk lejohet lufta. E dredhia e këtyre ka qenë se ata shenjtërinë e mu­ajit Muharem e zgjasnin për në muajin sefer. (sh.p.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit