1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024


Haaretz: Izraeli në prag të fashizmit, a do të vazhdojë bota të bëjë sehir?

Më të lexuarat

Turma të tërbuara sionistësh linçojnë arabët dhe të tjerët në rrugët e Jeruzalemit

Nga David Ohana & Oded Heilbronner

Zhurma e hapave të banditëve që vraponin nëpër rrugicat e qytetit të vjetër në Ditën e Jerusalemit javën e kaluar, na kujtuan tingujt e marshimeve të njësive paraushtarake SA gjatë viteve 1920-1930 në Gjermani.

Dhe ndërsa atëherë, militantët me këmishët ngjyrë kafe hynin me dhunë në çdo dyqan që ishte në pronësi të hebrenjve apo komunistëve, tani të rinjtë me bluzat e verdha – dishepujt memecë të udhëheqësit të tyre të dhunshëm dhe me një të kaluar kriminale, që sot ka tërë forcat policore nën kontrollin e tij – rrahën dhe fyen qytetarët arabë dhe gazetarët.

Në atë ngjarje të shëmtuar, ishte e vështirë të dalloje banditët nga përfaqësuesit e shtetit, nën petkun e Policisë Kufitare. Sepse secili prej tyre kishte një rol të mirëpërcaktuar në imponimin e terrorit dhe frikës mbi banorët e qytetit të vjetër në ritualin e përvitshëm fashist. Me dhunën e tyre, adoleshentët nga fraksioni sionist, të cilët besojnë në supremacinë e racës hebreje dhe të “tokës hebreje”, na risollën në mendje të djathtët radikalë dhe fashistët evropianë që qëllonin dikur mbi socialistët, komunistët dhe hebrenjtë.

Gati 100 vjet më vonë, rolet kanë ndryshuar: tani, hebrenjtë e dhunshëm turren drejt Murit Perëndimor dhe rrahin pa dallim njerëz të etnive të tjera. Paralelisht me forcimin e së djathtës radikale dhe valën populiste që po ndodh aktualisht në Evropë, grupet proto-fashiste janë në rritje edhe në Izrael.

Këto procese pasqyrojnë tendencat globale, dhe tregojnë një fuqizim të një baze sociale radikale “para-fashiste” të krahut të djathtë në Izrael, pra grupime neofashiste (përfshirë disa votues të partisë Likud, të njohur zakonisht si “bibistë”), të cilët po fitojnë një ndikim më të madh tek shtresat e ulëta.

Radikalizimi nacionalist tek kjo bazë shoqërore, e lehtëson krijimin e një aleance midis të djathtës politiko-kulturore, konservatore dhe grupeve tradicionaliste periferike të klasës së ulët dhe grupimeve ultra-ortodokse që mbrojnë vlerat e gjakut, atdheut hebre, tokës, racës, shenjtërisë, sakrificës dhe vdekjes.

Grupime të tilla neofashiste, janë të rrezikshme për të ardhmen e demokracisë izraelite, pasi ato prodhojnë një kulturë fashiste ,me farat e tyre që bartin nju potencial social të madh. Izraeli po përjeton aktualisht një mini-luftë civile, që të kujton momente të ngjashme në Evropën e viteve 1920.

Ajo të kujton Gjermaninë e Republikës së Vajmarit dhe Italinë në prag të marshimit fashist të Musolinit në Romë. Izraeli nuk është i vetmi vend që po përballet me një krizë të tillë. Refuzimi i vlerave liberale dhe demokratike, po jehon sot në mbarë Perëndimin, me përjashtimin e mundshëm të Britanisë e Madhe, e cila ka bërë gjithmonë zgjedhjen e duhur qytetaro-liberale.

Kjo ishte e dukshme tek trazirat e “Jelek-verdhëve” në Francë (ku Marine Le Pen ka shumë të ngjarë të zgjidhet presidente në zgjedhjet e ardhshme), sulmi në Kapitol Hill në Uashington, tek mbështetja në rritje për partinë “Alternativa për Gjermaninë” e ekstremit të djathtë.

Por edhe tek zgjedhja e Xhorxhia Melonit, një fanse e Musolinit, si kryeministre e Italisë dhe tek rritja e paprecedentë e mbështetjes për liderin nacionalist Gert Vilders në Holandë.  E djathta radikale u forcua shumë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Kriza izraelite, ushqehet nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të nëntorit 2022. Megjithatë duhet të jesh naiv ta cilësosh fitoren e bllokut të ekstremit djathtë fetar, si shkakun e vetëm të krizës në këtë vend. Sepse këtu, ashtu si në SHBA, Britani dhe vende të tjera, trazirat reflektojnë procese më të thella:ndryshime gjeopolitike të rëndësishme, koncepte radikale ekonomiko-kulturore që shfaqen brenda natës, kriza klimatike dhe mjedisore, kërcënimet ndaj mënyrës shekullare e liberale të jetesës dhe lufta kundër regjimeve të korruptuara dhe antidemokratike.

Që të gjitha këto, kanë nxjerrë në rrugë turma të mëdha njerëzish në mbarë botën. Por kriza izraelite ka karakteristika unike:strukturën komplekse të shoqërisë izraelite, hijen kërcënuese të pushtimit dhe rrezikun e besimit tek supremacia e gjakut dhe racës hebreje.

Krahasimi midis Izraelit dhe Evropës në kohën e ngritjes së fashizmit, vihet re tek tre procese kryesore. E para është kriza kushtetuese në Gjermani në vitet 1930-1933, një krizë politike që përfundoi vetëm me rënien e demokracisë së Republikës së Vajmarit.

Në Izrael qeveria Netanyahu, u formua pas një palë zgjedhjeve ku pati një rritje të fuqisë negociuese të partive fetare dhe ultra-ortodokse, të racistëve nacionalistë laikë dhe një aleance midis nacionalistëve fetarë, përfshirë kolonët me partitë neofashiste.

Ashtu si në Gjermani dhe vende të tjera anembanë botës, edhe këtu pati një përpjekje të dështuar për një grusht shteti në gjyqësor, që synonte të shtrembëronte kontrollet dhe balancat demokratike midis tre degëve të qeverisë. Hapi i radhës është lufta në Gaza.

Procesi i dytë ka të bëjë me ndarjet në shoqëri. Në Itali, Spanjë dhe natyrisht në Gjermani, pati një ndarje midis kampeve politike të polarizuara, krahut të djathtë nacionalist, radikal, antisemit nga njëra anë dhe kampit socialist (SPD) dhe komuniste në anën tjetër.

Në Izrael, paralelizmi ka të bëjë me përçarjen midis kolonëve dhe mbështetësve të tyre dhe atyre që kundërshtojnë pushtimin, midis hebrenjve ultra-ortodoksë nga njëra anë dhe izraelitëve laikë nga ana tjetër, së bashku me ndarje të tjera politike dhe sociale.

Procesi i tretë, zbulon një tension të madh midis një shoqërie liberale dhe forcave konservatore dhe radikale të së djathtës. Në shoqërinë italiane, në prag të marshimit në Romë, dhe veçanërisht në Gjermaninë e Vajmarit, ishin aktive prirjet në dukje të kundërta – nga njëra anë, përparimi, liberalizmi dhe modernizimi, dhe nga ana tjetër një revolucion fashist dhe një “revolucion konservator“,  i promovuar nga mendimtarë të tillë të shquar italianë si Xhovani Xhentile, dhe gjermanë si Shmit, Ernst Junger, Osvald Shpengler, Martin Hajdeger etj.

Edhe në Izrael po ndodh një revolucion konservator, mbi dhe nën sipërfaqe, i mbajtur mbi krahët e “bibizmit” dhe i mbështetur tek Kolegjin Shalem dhe tek konservatorizmi amerikan. Po ashtu mbështetet tek lëvizjen Im Tirtzu – një nga themeluesit e së cilës, Ronen Shoval, është ndikuar nga romantikët gjermanë, të konsideruar si paraardhësit e fashizmit gjerman.

Kjo lëvizje është cilësuar nga ish-deputeti i Likud Benny Begin si me “elementë fashistë” dhe nga Zeev Sternhell si “jo më keq se fashizmi”. Ky revolucion konservator mbështetet edhe nga Forumi i Politikave Kohelet, nxitësi i ligjit të shtetit kombëtar të Izraelit, dhe nga Fondi Tikvah, i cili zhvilloi “reformën gjyqësore”, dhe që inkurajon një ndjenjë të rreme të unitetit kombëtar.

Këto prirje shfaqen në kuadër të tendencave të tjera shqetësuese dhe në rritje në shoqërinë izraelite. Ne jemi përballur me një kombinim të krizave sociale, kushtetuese dhe të sigurisë, më i keqi që ka përjetuar ndonjëherë Izraeli që nga fillimet e ekzistencës si shtet.

Përplasjet mes shumë klasave për shkak të paqëndrueshmërisë politike; protesta masive që në rrethana të caktuara, mund të degradojnë një luftë civile dhe që janë pjesë e një proteste të vazhdueshme që tregon një humbjen e besimit publik tek sistemin politik; ngritja e mediave sociale si një arenë publike e dhunshme që zëvendëson mediat tradicionale dhe që dikur përfshinin redaktimin, hierarkinë dhe përgjegjësinë; rritja meteorike e populizmit dhe rënia e liberalizmit, që kanë të bëjnë me paqëndrueshmërinë globale dhe proceset globale; ekzistenca dhe madje rritja e një blloku radikal të djathtë, para-fashist dhe antiliberal. Të gjithë këto janë tregues, që paralajmërojnë një stuhi që po afron dhe që kërcënon të shkatërrojë gjithçka në Izrael.

Ja tre shembuj nga java e kaluar: thirrja e 39 studentëve, anëtarë të Unionit Kombëtar të Studentëve, në mbështetje të një projektligji që do të lejonte shkarkimin e anëtarëve të fakultetit që mohojnë “ekzistencën e Izraelit si hebre dhe demokratik”.

Një shembull tjetër, është kërkesa e Nadav Haetzni për nisjen e procedurave ligjore kundër njerëzve nga bota akademike, media dhe gjyqësori, në përputhje me nenin 103 të kodit penal, i cili ndalon “propagandën disfatiste” dhe nenin 99 që ndalon “dhënien e ndihmës për armikun në kohë lufte”.

Këtyre mund t’i shtohet edhe njoftimi i kryebashkiakut të Haifës, Yona Yahav, se në qytetin e tij nuk duhet të zhvillohen demonstrata kundër luftës. Këta janë vetëm tre shembuj të korrupsionit moral, një shenjë zymtë e gjërave më të këqija  që do të vijnë. Dhe çfarë do të sjellë e nesërmja?

Shënim: Shkrimtarët janë historianë të fashizmit dhe nazizmit evropian. Profesor Ohana është autor i librit “Tundimi fashist” (2021), ndërsa profesor Heilbronner është autor i librit “Nga liberalizmi popullor tek nacional socializmi” (2017).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit