1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Haaretz: Izraeli goditi ndërtesën 13-katëshe në Gaza pavarësisht se kishte mësuar se ka zyra shtypi

Më të lexuarat

Njoftohet se gjatë sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës në maj, komandantët e lartë izraelitë urdhëruan sulmin në ndërtesën 13-katëshe Al-Jala, pavarësisht se kishin mësuar se aty kishte zyra të mediave të huaja.

Sipas lajmit të gazetës izraelite Haaretz, ushtria izraelite gjuajti të shtëna paralajmëruese në çatinë e ndërtesës 13-katëshe Al-Jala në Gaza në maj përpara se ta bombardonte dhe shkatërronte atë, edhe pse aty gjendeshin televizioni Al Jazeera dhe agjencia e lajmeve Associated Press (AP). Punonjësit e mediave të huaja paralajmëruan kolegët e tyre izraelitë dhe zyrtarët izraelitë të mbrojtjes se në ndërtesë kishte zyra mediash.

Ndërkaq, thuhet se megjithëse disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes izraelite u përpoqën të parandalonin sulmin, komandantë të lartë urdhëruan goditjen e ndërtesës. Sipas kësaj thuhet se 1 orë e 20 minuta pas goditjes së parë paralajmëruese, godina u bombardua përsëri dhe u kthye në një grumbull rrënojash.

– Fatkeqësi në marrëdhëniet me publikun

Në lajm thuhet gjithashtu se me sulmin në fjalë ushtria izraelite shkaktoi një “katastrofë të marrëdhënieve me publikun”. Më tej theksohet se ushtria izraelite u përpoq të mbronte sulmin me deklaratën se “Hamasi kishte njësi të inteligjencës digjitale, qendra kërkimi dhe zhvillimi, si dhe pajisje teknologjike në ndërtesë”.

Në lajm theksohet se administrata amerikane nuk ishte e bindur për domosdoshmërinë e sulmit dhe kërkonte prova konkrete nga autoritetet izraelite. Po ashtu thuhet se edhe pse ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, njoftoi se kishte informuar homologët e tij për këtë çështje, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se i duheshin prova më të forta.

– Sulmi mund të ishte shmangur

Duke folur për gazetën, një burim i lidhur me procesin e vendimmarrjes për sulmin tha: “Të qëllosh një ndërtesë ku ndodhen mediat e huaja nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë duke e bërë atë të duket sikur po synon Hamasin dhe ata e dinë se çfarë do të thotë kjo, kurse sulmi mund të parandalohej disa herë gjatë procesit të vendimit”.

Burimi tha se ushtria izraelite e kuptoi se Hamasi kishte fituar luftën e perceptimit në qytetet ku arabët dhe hebrenjtë jetojnë së bashku, përfshirë Kudsin, dhe se politikanët dhe komanda e ushtrisë po kërkonin një lloj “foto fitoreje” kundër kësaj.

Më tej thuhet se ushtria izraelite nuk mund të kuptonte pasojat e shkatërrimit të një ndërtese ku ndodheshin mediat dhe publikoi fotot e rrënojave “si një fitore”.

Në sulmet 11-ditore në maj të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës të rrethuar humbën jetën të paktën 232 persona, 65 prej tyre fëmijë dhe 39 gra, 75.000 njerëz u zhvendosën dhe 1.800 shtëpi u shkatërruan plotësisht.

Në ndërtesën Al-Jala, e cila u shkatërrua nga avionët luftarakë izraelitë më 15 maj, kishte zyrat e rreth 30 organizatave të shtypit vendas dhe të huaj dhe rreth 30 banesa ku jetonin civilët, si dhe agjencia e lajmeve me bazë në Amerikë, Associated Press (AP), dhe kanali televiziv me bazë në Katar, Al Jazeera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit