Në serinë e de-konstruktimit të ligjërimit hipokrit dhe me dy standarde të “imamit të universit” të gylenistëve, po ju sjellim një tjetër video të Gylenit ku ai shpall se dalin nga feja ata të cilët nën kërcënim me burg apo dhunë “shpifin” dhe “trillojnë” për miqtë e tyre për të shpëtuar veten.
Kjo është që ai thotë në mënyrë publike, por që kush sheh kontekstin dhe njeh gjuhën dhe retorikën e Gylenit, sidomos ndjekësit e tij, e kupton se ai po kërcënon publikisht pikërisht ndjekësit e tij puçistë nën hetim, që nëse tregojnë për shokët e tyre apo edhe për veten se i përkasin kultit të tij ata dalin nga feja, kështu që më mirë të durojnë edhe burgun edhe vdekjen sesa të tregojnë se kush janë!
Fakti që Gyleni shpall si qafira ata që kryejnë një veprim të tillë, ndërkohë që një veprim i tillë dhe sidomos në kushtet e detyrimit të cilat ai përmend, nuk i bën njerëzit qafirë, atëherë kemi të bëjmë me një sjellje tipike tekfiriste, ku myslimanët shpallen me pa të drejtë si jomyslimanë, kështu që Gyleni e meriton të quhet tekfirist.
Është e çuditshme se si ky njeri nuk guxon publikisht të quaj qafirë shumë prej atyre që e meritojnë padyshim këtë epitet, por nuk heziton, madje me sigurinë më të madhe, të shpall si qafira ndjekësit e tij, që në kushte të vështira e “tradhtojnë” atë!
Më e pakta kjo tregon se çfarë shenjtërie dhe paprekshmërie ai i atribuon kultit të tij dhe çfarë hipokriti ai është.