Në vitin 699h, mbreti mongol Gazani i cili ishte mysliman, u përball në luginën e Selemijes, në Alepo, me ushtrinë e Nasir të cilin e theu.
Ushtria e thyer dhe mbarë princat e pushtetarët, u drejtuan për në Egjipt, duke e lënë Damaskun pa pari.
Shejhul Islam, Ahmed ibn abdil Halijm ibn Tejmijeh, qëndroi pranë popullit bashkë me dijetarët e tjerë, ai kryesoi dhe një delegacion që u nis për të takuar mbretin Gazan, të cilin e takuan në Nebek (Nebek do të thotë malësi është një qytezë e vogël 80 km në veri të Damaskut, me një popullsi prej 50.000 banorësh dhe në një lartësi 1400m mbi nivelin e detit).
Gazani ishte mbreti i katërt mysliman prej mongolëve, por edhe pse kishin pranuar islamin, nuk zotëronte njohuritë e duhura rreth tij, ishin mizorë, plaçkitës, e thyenin besën etj, kjo sa për të treguar se para cilit qëndron ky dijetar dhe çfarë guximi kishte.
Ibn Tejmijeh: -Ti je ai që pretendon se je Mysliman, në shtetin tënd ke gjykatës fetar, prihesh nga imamllarë dhe shoqërohesh nga muezinë, mirëpo s’ke lënë gjë pa bërë në vendin tonë?!
Babai dhe gjyshi yt kanë qenë jobesimtarë, e megjithatë nuk na kanë sulmuar pasi që ramë dakord për paqe, ndërsa ti na dhe fjalën dhe e theve besën, fole por nuk e mbajte fjalën, plaçkite vrave e bëre njëmijë të zezat,- hoxha foli edhe fjalë të tjera, ndërsa Gazani e dëgjonte në heshtje (dialogu i tyre përkthehej nga një përkthyes pasi Gazani nuk dinte arabisht).
Më pas mbreti u shtroi një gosti për t’u uruar mirëseardhjen dijetarëve, të gjithë hëngrën ndërsa Ibn Tejmijeh, nuk e preku ushqimin.
Gazani: -Përse nuk po ha?
Ibn Tejmijeh: -Si mund të ha prej ushqimit që ua keni zhvatur popullatës, e keni gatuar në zjarrin që e keni ndezur prej pemëve të tyre, që i keni prerë me të padrejtë?
Gazani e dëgjonte me vëmendje dhe i çuditur, pyeti dijetarët e tij: -Kush është ky hoxhë, se s’kam parë kurrë njeri kaq guximtar, që bart virtyte të tilla dhe që e ka forcën e ndikimit në zemër?
Ata i treguan se ai është një ndër dijetarët e Damaskut, është njeri i diturisë, i veprës dhe asketizmit.
Mbreti kërkoi nga Ibn Tejmijeh, që të bëjë lutje për të.
Ibn Tejmijeh u lut dhe tha: -Zoti im! Nëse ky njeri lufton për lartësimin e fjalës dhe fesë Tënde, ndihmoje, forcoje, shti nën sundimin e tij këto treva dhe këta njerëz, por nëse ky lufton për famë, pozitë e syfaqësi dhe kërkon të ushtrojë pushtetin e tij dhe të nënçmojë islamin dhe myslimanët, dridhe tokën nën këmbët e tij dhe shkatërroje!
Gazani kish ngritur duart dhe thA: -Amin!
Thotë një ndër dijetarët e pranishëm Muhamed ibn Umer el Balisij: -Ne që ishim afër mblidhnim rrobat se mos do na bëhen me gjak, kur Gazani t’ia fluturojë kokën tutje, dhe kur dolëm që aty Kadiu i Damaskut i tha: -Ç’bën kështu se desh na vrave të gjithëve,ta dish se ne nuk kthehemi në Damask me ty. Ibn Tejmijeh: -Vallahi as unë nuk pranoj të kthehem me ju (pasi që nuk reaguan).
Ata ecën para, ndërsa Ibn Tejmijeh u vonua, sepse e ndalën komandantë e princërit të ushtrisë së Gazanit, duke i kërkuar që të bëjë lutje për ta, dhe aq shumë simpati fitoi sa kur mbërriti në Damask shoqërohej nga 300 kalorës, ku një prej tyre isha unë vetë, ndërsa dijetarët që u ndanë prej tij u plaçkitën nga Mongolët rrugës sa dhe rrobat e trupit ua morën.
El-bidajeh uen-nihajeh 14/7, 14/89 si dhe Muhtesar Minhaxh es-suneh 329-333.
Mblodhi dhe përgatiti në shqip Gentjan Mara.