Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit All-llahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së fundit e që e fal namazin, e jep zeqatin e nuk I frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit”
Sot, me 23 Ramazan 1438/ 18 qershor 2017, nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame- Muftinia Tetovë u vendos gurthemeli i Xhamisë në Kodrën e Diellit. Manifestimin të cilin e moderoi Xhemil ef. Sadiki, pjesmarrës në këtë ngjarje të shënuar për Muftininë e Tetovës dhe të gjithë besimtarët muslimanë të Tetovës me rrethinë ishin personalitete të shquara nga jeta fetare islame në vend, Reis ul-ulema Sulejman efendi Rexhepi, Kryetari i Kuvendit, Haki efendi Agushi, muftinjtë e muftinive të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, ish-muftinjtë e Tetovës, Hfz. Nexhadi ef. Limani dhe Alifekri ef. Esati, profesorët dhe nxenësit e Medresesë Isa Beu- Shkup në krye me drejtorin Ibrahim Idrizin, profesorë dhe student të Fakultetit të Shkencave Islame në krye me dekanin Doc. dr. Fahrudin Ebibin, imamët edhe këshillat e xhamive të Tetovës me rrethinë dhe një numër i madh besimtarësh.
Programi u hap me një ashër të kënduar nga imami i xhamisë së fshatit Reçiçë e Vogël, Abdurrahim efendi Murati.
Fjalën përshëndetëse e mbajti, Myftiu i Tetovës, Prof.dr. Qani efendi Nesimi, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke filluar nga reis ul-ulema, Sulejman efendi Rexhepi, myftijtë, hoxhallarët, këshillat e xhamive nxënësit, studentët, biznesmenët, banorët e shtëpive në Kodrën e Diellit, të cilëve ju shprehi mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhenë. Mirënjohje të veçantë ju shprehi autoriteteve lokale të Komunës së Tetovës në krye me Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi si dhe anëtarëve të Këshillit iniciativ për ndërtimin e xhamisë në Kodrën e Diellit. Në fjalimin përshëndetës, myftiu i Tetovës theksoi se ndërtimi i një xhamie në Kodrën e Diellit ka qenë iniciativë e kahmotshme e Muftinisë së Tetovës dhe Bashkësisë Fetare Islame, sidomos pas viteve 90-ta me në krye me Reis ul-ulema haxhi Sulejman efendi Rexhepin dhe si e këtillë ka gëzuar përkrahje të fuqishme nga të gjithë besimtarët muslimanë të Tetovës me rrethinë, prandaj ky gurthemel është kurorëzim i shumë përpjekjeve të njerëzve të devotshëm.
Fjalën e rastit e mbajti Reis ul-ulema Sulejman efendi Rexhepi, i cili falemnderoi Muftininë e Tetovës, në krye me myftiun Qani efendi Nesimin për këtë organizim të shkëlqyer dhe për këtë moment historik. Reis ul-ulemaja, theksoi se xhamitë janë burim i mirësisë dhe paqes dhe se asnjëherë nga xhamitë nuk ka dalur dhe nuk do të dalë ndonjë e keqe. Ne kemi kërkuar me ngulm ndërtimin e kësaj xhamie që para shumë vitesh. Neve si Bashkësi Fetare Islame nuk na pengon prezenca e një kishe ortodokse në Kodrën e Diellit por kërkesa jonë ka qenë ndërtimi i një xhamie, që sot bëhet realitet me vendosjen e këtij gurthemeli. Reis ul-ulemaja, premtoi se pas vendosjes së gurthemelit të kësaj xhamie edhe ndërtimi dhe hapja e saj do të bëhet shumë shpejt. Ne fund të fjalimit, ftoj të gjithë besimtarët muslimanë kudo që janë të bëhen pjesë e kësaj xhamie përmes kontributit të tyre, sado i vogël qoftë ai.
Programi vazhdoi me këndimin e disa ajeteve të Kuranit fisnik nga kryeimami i Muftinisë së Tetovës, Mr. Ejup efendi Selmani.
Duanë e vendosjes së gurthemelit e bëri, ish-myftiu i Muftinisë së Tetovës, Alifekri efendi Esati, i cili ashtu siç u theksua me lartë gjatë kohës kur ka udhëhequr me Muftininë e Tetovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ndërtimin e një xhamie në Kodrën e Diellit.
Në fund, Myftiu i Tetovës bashkë me bashkëpunëtoret dhe qindra mysafirë morrën pjesë në iftarin e shtruar nga disa restorane dhe të ndihmuar nga disa këshilla të xhamive të Tetovës me rrethinë. Ky iftar i veçantë dhe begatshëm filloi pas thirrjes së parë të ezanirt në lokacionin ku u vendos gurthemeli i xhamisë nga hfz. Abdurrahim efendi Murati.