5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Grua e suksesshme në karrierë, apo nënë e kompletuar në jetë?

Më të lexuarat

Nga Oriola Sula

Roli i gruas në familje dhe shoqëri është vendimtar dhe i pazëvendësueshëm, pasi është ajo që ngjiz jetën, rrit dhe edukon individë të denjë, që kanë në dorë të ardhmen e një vendi. Edukimi i një fëmije nis që në bërthamën e shoqërisë, në familje, ku nëna, me dashurinë, butësinë, por edhe zgjuarsinë e saj krijon bazat për personalitetin që ky fëmijë do të ketë kur të dalë në jetë. Dikur gruaja ishte përgjegjëse vetëm për mirërritjen e fëmijëve dhe mirëmbajtjen e shtëpisë. Detyra e saj mbetej brenda kornizës së familjes, t’i shërbente bashkëshortit, si i vetmi burim i të ardhurave për familjen, të rriste fëmijët dhe të kujdesej për mbarëvajtjen e tyre.

Por dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm, pasi roli i gruas në familje e shoqëri ka ndryshuar. Nëse në botë lëvizjet e para për të drejtat e grave datojnë që në shekullin e XIX, në Shqipëri këto zhvillime janë më të vonshme. Sot jemi shndërruar nga një shoqëri tradicionale, në një shoqëri të hapur dhe konsumuese të vlerave perëndimore, pa pasur vëmendje të shtuar në selektimin e vlerave pozitive në njërën anë, dhe në anën tjetër, pa qenë të përgatitur ekonomikisht si familje e shoqëri.
Zhvillimet pas tranzicionit prekën edhe familjen, ku ndryshuan katërçipërisht pozicioni i gruas dhe burrit. Tashmë gruaja fitoi besimin në vetvete dhe e konsideroi veten të aftë për punë dhe përgjegjëse për të siguruar të ardhura për familjen, njësoj si burri. Nga ana tjetër gratë e perceptuan mundësinë e punësimit të tyre, si një formë emancipimi dhe si një vlerë e shtuar për pavarësinë e tyre në familje dhe shoqëri. Fillimisht si fuqi punëtore e më pas si intelektuale të zonja, gratë treguan aftësitë e tyre jo vetëm si punëtore të denja përkrah burrave, por edhe si lidere në pozicione drejtuese apo në politikë.
Tashmë roli i gruas dhe burrit në familje u barazua, çka do të thotë se me punësimin e gruas, shumë detyra brenda kuadrit të familjes mbetën pa realizuar, ose iu ngarkuan burrit. Duke qenë se deri dje kishte mbi shpatulla të gjithë barrën e familjes, me punësimin e saj, gruaja nuk e realizonte dot më këtë detyrë të rëndësishme, duke lënë shpesh pas dore edhe mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Dëshira për të qenë burim të ardhurash në familje, apo për të ndjekur karrierën, i bëri shumë gra që të neglizhojnë disa nga detyrimet e tyre si bashkëshorte dhe si nëna. Mosqasja e plotë e raportit familje-punë, është edhe një nga shkaqet kryesore të konflikteve brenda familjes, që gjithnjë e më shumë po çojnë drejt divorcit, fenomenit që po shkatërron familjet shqiptare.

Roli i familjes u zbeh në masë të madhe, për sa i përket zgjidhjes së problemeve, sidomos në vendet urbane e veçanërisht te çiftet me shkallë të lartë të shkollimit dhe emancipimit. Pavarësia financiare dhe aftësitë intelektuale të gruas, i krijuan asaj iluzionin se nuk kanë asnjë detyrim ndaj bashkëshortit dhe se mund t′i rrisin edhe të vetme fëmijët e tyre. Këto ndryshime bënë që të vihet shumë më lehtë deri te marrja e vendimit përfundimtar për t’u shkurorëzuar, por pa menduar gjatë për pasojat psikologjike dhe emocionale që shkakton ndarja, sidomos tek fëmijët.
Një tjetër aspekt negativ i punësimit të gruas është edhe ndarja e përgjegjësisë për fëmijët edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes. Pas vitit të parë të jetës së një fëmije, nëna i rikthehet punës së saj, me orar të plotë ose të pjesshëm. Ndërsa për fëmijën duhet të merren të gjitha masat, për t′i siguruar atij një fëmijëri të qetë e të lumtur. Shumica e familjeve të reja shfrytëzojnë prindërit e tyre për të mbajtur foshnjat. Gjatë orëve që një grua është në punë, foshnja e saj lihet në duart e gjyshërve, të cilët duhet të kujdesen për mirëmbajtjen dhe ushqyerjen e fëmijës. Kjo në rastin më të mirë, pasi, kur çifti ka dy ose tre fëmijë, gjërat komplikohen edhe më shumë. Më të vegjlit kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, ndërsa fëmijët e rritur duhen ndjekur edhe gjatë përgatitjes dhe transportimit në orarin e shkollës. Në rastet kur gjyshërit e kanë të pamundur të kujdesen për fëmijët, çerdhet dhe kopshtet janë zgjidhja e vetme, madje disa nëna preferojnë të punësojnë bebisiter për fëmijët e tyre. Megjithatë këto zgjidhje nuk janë aspak të favorshme për fëmijët.
Në disa vende të botës, në kompanitë e mëdha ndiqet një politikë mjaft efikase. Aty janë ngritur çerdhe ose kënde të posaçme për kujdesin ndaj fëmijëve, ku gratë e punësuara në kompani mund të sjellin foshnjat gjatë gjithë orarit të punës, duke pasur mundësinë të ndjekin nga afër mbarëvajtjen e tyre. Kjo në një farë mënyre është lehtësim për nënat që punojnë dhe rrit efikasitetin dhe produktivitetin në punën e tyre. Nëse kjo politikë e ndjekur është mjaft e largët për vendin tonë, minimum që mund të bëjë shteti, është krijimi i lehtësirave në shërbimet e çerdheve dhe kopshteve. Gjithashtu është e domosdoshme që të ketë përhapje të gjerë të shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve.
Nga ana tjetër punësimi e ndryshon karakterin e një femre. Edhe pse nga natyra një grua është gjithnjë më e butë dhe delikate sesa burri, lodhja trupore, stërmundimi edhe në vendin e punës, edhe përkushtimi ndaj familjes, i krijojnë asaj stres, nervozitet dhe presion psikik, që në fakt nuk përkojnë me natyrën e një femre. E gjitha kjo bëhet shkak për nisjen e konflikteve me bashkëshortin dhe fëmijët, që në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të kuptojnë këtë lloj mbingarkese emocionale të gruas, duke e gjykuar atë. Situata përkeqësohet kur gruaja është e detyruar të punojë me orar të zgjatur, apo kur duhet të bëjë punë të rëndë, njësoj si burrat. Mungesa e gruas me orë të tëra në shtëpi, është një handikap shumë i madh për mbarëvajtjen e pjesëtarëve të tjerë të familjes. Nuk duhet të mohojmë faktin se fëmijët kërkojnë gjithnjë nënën për kryerjen e shumë nevojave, edhe nëse ata janë të rritur.
Si konkluzion, emancipimi i femrës në ditët e sotme është domosdoshmëri. Arsimimi dhe punësimi i saj janë të pashmangshme, por kur vjen puna tek të përkushtimi ndaj familjes dhe punësimi i tyre, e para kërkon vëmendje më të madhe. Të gjithë duhet të kuptojnë se, përveçse fuqi punëtore mjaft efikase, gruaja është ekuilibri i një familjeje, ndaj i duhen krijuar shumë lehtësira në vendin e punës. Gratë kanë treguar se, me vendosmërinë, përpikërinë dhe zgjuarsinë e tyre, janë të afta që të realizojnë detyrat e ngarkuara edhe brenda një orari më të kufizuar sesa meshkujt. Ndaj zgjidhja më e mirë për një grua është përkushtimi i plotë ndaj familjes dhe punësimi me orar të kufizuar, qoftë edhe kundrejt një pagese më të vogël sesa burri, pasi kjo është në të mirë të mbarëvajtjes së familjes së saj dhe një investim mjaft i mirë për të ardhmen e fëmijëve.

Mars 2018

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit