1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Greva në sektorin publik – Ministria e Financave, grevistëve: Do t’ua ndërprejmë pagën

Më të lexuarat

Sektori publik në Kosovë nga sot ka nisur grevën e përgjithshme, pasi që sindikalistët nuk kanë arritur të bien dakord me Qeverinë e Kosovës rreth kërkesës së tyre për mbështetje prej 100 eurove.

E pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu në një prononcim për Telegrafin ka konfirmuar se një email lidhur me çështjen e pezullimit nga paga i ka përcjellë anëtarit të Këshillit Grevist, njëherit edhe përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj. Spahiu tha se paga e secilit grevist do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë.

Në komunikimin zyrtar përmes emailit që Spahiu i ka dërguar Sefajt shkruan “ju njoftoj që këtë njoftim ne (po flas për SP-të që janë punëdhënës nëpër ministri) do të duhej të pranonim së paku shtatë ditë para grevës, në përputhje me nenin 8 të Ligjit për Greva. Sidoqoftë, neve respektojmë të drejtën e zyrtarëve për grevë dhe do të mundohemi maksimalisht të përmbushim obligimet ligjore për mbajtjen  e grevës dhe mos diskriminimin e zyrtarëve që marrin pjesë”.

Më tej në emalin e Spahiut theksohet se janë të detyruar të ndërmarrin disa veprime menaxheriale për sigurimin e informatave lidhur me grevën në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Greva.

“Konkretisht, duhet të sigurojmë materiale përkatëse për përmbushjen e kushteve ligjore për mbajtjen e grevës (procedurale dhe materiale) dhe listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në  nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva. Ju garantojmë që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjmë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë. Shpresoj që edhe ju e kuptoni këtë dhe e përcjellni këtë informatë kolegëve tuaj dhe pjesëmarrësve në grevë”, thuhet në emailin e zv.sekretarit të Përgjithshëm të MF-së.

Anëtari i Këshillit Grevist, njëherit edhe përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj i ishte drejtuar mëngjesin e sotëm Ministrisë së Financave ku i kishte njoftuar për grevën që do të mbahej, si dhe vendimin i cili ishte marrë pak ditë më parë.

Emaili i dërguar nga anëtari i këshillit Grevist dhe Përfaqësuesi i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj

“Siç jeni të njoftuar, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur Grevë të Përgjithshme në Sektorin Publik, e të cilës i është bashkuar edhe administrata shtetërore – shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal. Greva mbahet në institucione në vendin e punës në pajtim me paragrafin 1 të nenit 10 të  Ligjit për Grevat nga ora 8 deri në 16 dhe gjatë grevës nuk punohet. Kërkojmë nga ju të krijoni kushte dhe të mos pengoni mbajtjen e grevës e cila ka për qellim mbrojtën dhe avancimin e statusit dhe të drejtave të shërbyesve civil. Greva do vazhdoj deri në realizimin e kërkesave të shërbimit civil”, thuhej në emalin e Sefajt drejtuar MF-së. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit