Pamjet televizive, që tregojnë një grup aktivistësh të huaj, të cilët janë hedhur në ujë në orët e para të mëngjesit për të penguar transferimin e refugjatëve nga ishulli grek i Mitilinit drejt portit turk të Dikilit, kanë bërë xhiron e të gjitha mediave vendase dhe të huaja.
Aktivistët, midis të cilëve edhe një vajzë, pasi kanë notuar midis anijeve, kanë shkuar te spiranca e anijes që do të kryente transportin, duke e penguar atë, ndërsa edhe ditë më parë, ata kanë protestuar për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Është dashur ndërhyrja e forcave të Marinës detare greke, që 45 emigrantët të mund të largoheshin nga ishulli grek, ndërsa pak më vonë janë dërguar në Turqi edhe rreth 79 të tjerë.
Bëhet fjalë për grupin e dytë të emigrantëve, që Greqia kthen në Turqi sipas marrëveshjes që ka nënshkruar BE-ja me Ankaranë. Rreth 200 të tjerë janë deportuar në brigjet turke ditën e hënë.
Por procesi i dëbimit të të gjithë emigrantëve, që kanë hyrë në Greqi pas 20 marsit dhe që nuk kanë kërkuar azil, po has në vështirësi, pasi shumica e tyre aplikon tek organet greke dhe koha e shqyrtimit të kërkesës zgjat shumë, për arsye të mungesës së personelit nga BE-ja, që ende nuk ka mbërritur.
Ndërkohë, edhe gjatë së premtes, forcat e Marinës greke kanë shpëtuar mbi 60 emigrantë në ujërat e Egjeut dhe i kanë sjellë ata në Mitilini. Gjithashtu në Pire, ku mijëra refugjatë janë çuar në një ambient tjetër të portit, shumica e tyre nuk pranon të shkojë në kampet e organizuara me frikën e deportimit, ndërsa thuhet se, pas këtyre kundërshtimeve dhe protestave, sidomos në Idomeni, në veri të Greqisë, ndodhen përsëri grupe aktivistësh vendas dhe të huaj.
Në Athinë mbërrijnë sot dhe nesër përfaqësi ministrash nga vendet anëtare të BE-së për të diskutuar me organet greke për përballimin e krizës së refugjatëve.
/ Top Channel