3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Grabitje si në filma e argjendarisë në Fier (video)

Më të lexuarat

Dy grabitës, të armatosur me kallashnikovë kanë plaçkitur dje në një argjendari dy kilogramë flori. Gazeta “Shqip”publikon pamjet që fiksuan grabitësit.

Sekonda 1 – Në argjendari ndodhen 8 persona, gjashtë klientë dhe dy shitësit. Midis klientëve edhe tre gra, ku njëra prej tyre duket e moshuar. Të gjithë po shohin sendet që ndodhen në argjendari

Sekonda 3 – Dy persona, të armatosur, njëri prej të cilëve me kallashnikov, futen në argjendari. I pari mban një pistoletë në dorë, ndërsa tjetri armën automatike. Njëri prej shitësve ngre duart lart

Sekonda 4 – Autorët futen në banakun ku ndodheshin shitësit. Autori i veshur me të zeza godet shitësin dhe e përplas në dysheme. Shitësi tjetër ulet poshtë banakut. Autori i dytë mban një çantë të zezë

Sekonda 5 – Një nga autorët i drejton kallashnikovin shitësit që ndodhet në dysheme. Autori i dytë vepron me shpejtësi dhe merr tabakët në të cilat janë varëset, unazat dhe vathët e floririt

Sekonda 6 – Në këtë sekuencë, një nga autorët arrin të nxjerrë jashtë argjendarisë klientët. Autori i dytë vijon me shpejtësi të marrë sendet me vlerë, duke i futur në çantë. Armët drejt shitësve

Sekonda 9 – Në këtë kohë kanë dalë jashtë të gjithë klientët. Një nga autorët i drejton pistoletën shitësit dhe tjetri mban tabakanë në duar, duke i futur me shpejtësi në çantë

Sekonda12 – Një nga autorët godet gjatë hapjes me sirtar shitësin e veshur me të bardha

Sekonda 18 – Në këtë kohë, një nga autorët godet me qytë kallashnikovi shitësin

Sekonda 21 – Autorët ia kanë arritur qëllimit, por shpejtojnë të mbyllin çantën sportive

Sekonda 22 – Autori me kallashnikov godet me qytë shitësin dhe me shpejtësi i drejtohet derës

Sekonda 23 – Autorët dalin jashtë derës. Dy shitësit ndodhen të ulur poshtë banakut. Ankthi mbaron. Autori 1 Mban kapele dhe i veshur me të zeza. Në këmbë, atlete. Ka pistoletë në dorë. Autori 2 Është i veshur me xhinse e bluzë me vija. Ka kapele dhe shall. Me kallashnikov në dorë Më pas, ata janë larguar me motorin e tyre ngjyrë gri, tip “Skuter”, duke shkuar në drejtim të shkollës nëntë-vjeçare “Mark Dashi”, ku edhe janë parë nga persona të rastit. Sipas dëshmive të këtyre të fundit, grabitësi, që mbante veshur bluzën e zezë, e ka pasur ende shaminë me të cilën maskonte fytyrën dhe armën në sup. Ndërkaq, të dëmtuarit kanë mbetur të shokuar dhe nuk kanë kryer asnjë lëvizje, derisa e kanë kuptuar se personat, që po u rrezikonin jetën, ishin larguar. Ka kaluar gati gjysmë minute derisa ata e kanë marrë veten dhe kanë nisur të kërkojnë ndihmë. Por të vetmit që kanë mbërritur aty, kanë qenë familjarët e Ilijas dhe disa miq. Ndërkohë, policisë i janë dashur rreth 20 minuta për të mbërritur në vendngjarje. Blutë kanë nisur të ngrenë postblloqe në gjithë kryqëzimet e qytetit dhe në periferi të tij. Por, për 20 minuta autorët kanë pasur mundësinë të largohen me motorin e tyre jo shumë kubikësh, të paktën 15 kilometra jashtë qytetit të Fierit. Kontrollet dhe verifikimet e policisë nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e ngjarjes. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, të dhënë dje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, lidhur me grabitjen e argjendarisë, theksohet fakti se dy autorët, duke ushtruar dhunë e duke kërcënuar, kanë arritur të vjedhin një sasi prej rreth 2 kg bizhuteri floriri. Gjithashtu, në njoftim sqarohet edhe fakti se nga këqyrja e vendit të ngjarjes u arrit të fiksohen dhe të përfitohen gjurmë papilare, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një palë syze dielli, të cilat dyshohen se i kanë rënë njërit prej autorëve të ngjarjes. Në njoftim thuhet se po vazhdon të punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje./koha/kohaislame

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit