3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Gra që shiten dhe vriten

Më të lexuarat

Rudina Xhunga

Në një fotografi të vjetër bardhezi, pashë një grup grash gjysmë të veshura në det. Fotoja është shkrepur në Durrës. Mungon viti, pas saj. Më pas, mësova kush ishin ato gra. Ishin gra të veriut, të cilat partia komuniste i merrte në besë nga familjet e tyre, prej nga një grua dilte ose e vdekur, ose e martuar.

Ato ishin zgjedhur në çdo shtëpi veriu, për t’u mbledhur në Durrës. Aty, gratë i futën për herë të parë në det.

Ato nuk kishin parë kurrë det më parë.

Fotoja është shkrepur pikërisht në atë moment lumturie bllokuese.

Më treguan çfarë ndodhi mandej. Gratë u mblodhën në një sallë të madhe dhe gra të tjera nga qyteti ju mësuan ca gjëra për higjienën personale, për menstruacionet, për shëndetin e gruas, për larjen e fëmijëve, ca gjëra të thjeshta, por që ato i linin gojëhapur. Nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë. Të nesërmen, gratë u nisën për në shtëpitë e tyre, me premtimin se grua pas gruaje do të kalonin mësimet që morën.

Nuk e di, por e marr me mend: gjëja e parë që gratë u treguan shoqeve, kur u kthyen në kulla, ishte deti. Takimi i parë me detin që ju ndryshoi jetën.

Kur takova për herë të parë atë gruan 29-vjeçare, nënën e një fëmije 10 vjeç, që ishte veshur me të zeza për të dashurin dhe më pyeste a mund t’ia merrnin të bijën, meqë kishte dashur burrin e një gruaje tjetër, atë burrë të martuar që e vranë, m’u kujtua deti.

Edhe M. ishte nga veriu. Nga një fshat i harruar, ku kishte mbetur vetëm ajo dhe burri që mori. Bëri një vajzë dhe pastaj i iku burrit dhe fshatit. Bashkë me të bijën pesë vjeçe, në Tiranë, në mes të hiçit dhe të panjohurës.

Për pesë vjet ishte e dashura e një burri që e mbante. “Më blinte ushqime”, më tha. “Më paguante qiranë e shtëpisë. Dhe pastaj vajza luante te shkallët, kur ai vinte”. Ajo nuk e dinte përkufizimin se çfarë quhej kjo mënyrë jetese, madje as i interesonte të përkufizohej. Mjaftonte që ushqente vajzën dhe i gëzohej tek e vogla rritej.

Për mua, M. ishte skllave seksi. Pa punë, pa shtëpi, pa jetë, në pritje që ai të vinte, rrinte në ballkon. Në ballkon kishte ndodhur pjesa më e madhe e jetës së saj. Duke pritur që ai të vinte.

Gratë si M. janë normalitet tani, në Shqipëri. Kush më e vogël, kush më e re, kush më e pashkolluar, kush më e zgjuar, ato dinë të jetojnë vetëm në këtë mënyrë. Kjo është drama më e madhe e grave të Shqipërisë tjetër: shiten për të jetuar, për të dalë nga fshati, për të parë detin.

Por, tani deti për to nuk është si dikur.

Deti janë vajzat e lira të shou-bizit të shtirë shqiptar. Deti janë revistat me gra që flasin për gjëra të pakapshme, për jetë të bukura dhe madhështore. Deti janë telenovelat turke.

Gratë si M. nuk kanë shembuj, nuk kanë informacion, nuk kanë shans të dalin nga bataku.

Ne, të medias, kthejmë sytë nga to vetëm kur vriten, ose vrasin. Nëse ende jetojnë, sido që jetojnë, nuk janë lajm.

Kur dola nga shtëpia e asaj gruaje, që shkova ta intervistoj, e përfundova ta ngushëlloj, nuk kisha asnjë kënaqësi që të jep lajmi kur t’i e gjen e para.

Sapo e hodha atë intervistë, e morën të gjithë, çdo portal, çdo gazetë, e rrëmbyen, e bënë të vetën dhe të nesërmen e harruan. Se të nesërmen vranë Idën.

Idën që bëri foton e fundit me dorën mbi kokën e së voglës dhe sytë nga djali. Ai gjashtëvjeçari që bërtiste atë ditë, “babi mos, babi jo”, kur i ati po e ndante njëherë e përgjithmonë nga e ëma. E patë kur doli nga shtëpia, me duart në një përqafim. Ia patë sytë bosh? Duhet t’ia keni parë, keni qarë dhe pastaj psherëtirë e harruar. Se nesër, ka ardhur një tjetër lajm.

Ky vend po prodhon aq shumë fatkeqësi, sa ne nuk kemi kohë të mendojmë gjatë për to. I shkruajmë dhe i harrojmë.

Duke kërkuar lajmin tjetër dhe duke harruar se lajmi tjetër mund të jesh ti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit