Izraeli, Autoriteti Palestinez dhe Hamasi mund të jenë rivalë të betuar, mirëpo të gjithë bien dakord për një gjë: pikëkalimi kufitar Erez midis Gazës dhe Izraelit, për personat e paktë që lejohen ta përdorin, është mundësi e shkëlqyer për rekrutimin e spiunëve.
Në terminalin izraelit, një poster që tregon një shtrëngim duarsh ofron “Mundësinë e jetës tuaj” për palestinezët që shfaqin vullnetin për të dhënë informacione për militatët. Përtej zonës neutrale, në postat e Autoritetit dhe të Hamasit muralet paralajmërojnë palestinezët që të mos e tradhëtojnë atdheun.
Erez shënon rastin e kufijve më të çuditshëm të botës, duke ndarë fushat e gjelbëruara të Izraelit nga zonat e luftës, shkatërrimit dhe kaosit në Gaza – një territor që nuk është as shtet, as ndonjë territor autonom i Autoritetit Palestinez, apo as edhe një territor tërësisht i pushtuar pasi Izraeli u tërhoq në vitin 2005.
Në vend të gjithë këtyre, është një kamp i stërmadh përqëndrimi, ruajtur nga forcat izraelite (dhe trupat egjiptiane) dhe brenda për brenda nga Hamasi, grupi më i fortë mes organizatave të armatosura që nxori jashtë Autoritetin Palestinez në vitin 2007. Posta kufitare e AP shërben si zona më e volitshme neutrale në kufi midis Izraelit dhe Hamasit.
Fasada e terminalit izraelit maskon një mjedis surreal. Asnjë izraelit nuk duket, ndërsa palestinezët që vijnë nga Gaza bëjnë rrugën përmes portave të telekomanduara dhe skanerëve. Komandat thirren përmes altoparlantëve që shtrembërojnë tingutj ose jepen përmes sinjaleve me duar nga pas dritareve anti-plumb të dhomës së kontrollit.
Që nga largimi i izraelitëve, Izraeli dhe Hamasi janë angazhuar në katër raunde të mëdha luftimesh dhe përleshje më të vogla të pafundme. Të gjithë presin një luftë tjetër, edhe pse pak duket se e dëshirojnë. Një lagje e shkatërruar në themel nga bombardimet e vitit 2014 po rindërtohet me material të dobëta nga donacione bamirësie ose, për ata që ua mban xhepi, me material nga tregu i zi. Pjesa më e gjallë e ekonomisë së Gazës është riciklimi i rrënojave të luftës. Elektriciteti është me ndërprerje dhe ka pak furnizim me ujë të pijshëm.
Së fundmi, janë shtuar fjalët se Izraeli do të lehtësojë rrethimin ekonomik të Gazës, duke përfshirë edhe ndërtimin e një porti në një ishull pranë brigjeve. Një arsye është shmangia e rikthimit të luftës. Tjetra është ideologjike: duke e trajtuar Gazën si një shtet palestinez, e djathta izraelite mendon se mund të rrisë më lehtë presionin për koncesione territoriale në Bregun Perëndimor.
E gjitha kjo ushqen bindjen e Hamasit se dhuna është e vetmja gjuhë që kupton Izraeli. “Gaza u çlirua me anë të rezistencës”, thotë Mahmoud Zahhar, figurë e rëndësishme politike e Hamasit që ka humbur dy djem në luftime dhe shtëpia e të cilit është bombarduar katër herë. Në kontrast, sipas tij, bashkëpunimi i Autoritetit Palestinez për sigurinë me Izraelin në Bregun Perëndimor ka sjellë vetëm përhapje të vendbanimeve.
Lëvizje por jo progres
Megjithatë, Hamasi është nën presion. Më 1 maj, ai publikoi një dokument të ri politikash që përditëson, por nuk anulon, kartën e vet themeluese të vitit 1988. Aty hidhen poshtë pasazhe anti-semite dhe pranohet krijimi i një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gaza si “formulim i konsensusit kombëtar”. Por, kjo nuk është konvertim në pranimin e zgjidhjes përmes krijimit të dy shteteve: dokumenti mbetet i angazhuar në “çlirimin e plotë të gjithë Palestinës”, nëse është e nevojshme me “rezistencë dhe xhihad”.
Vizioni për një shtet palestinez është maksimalist dhe ashtu si Gaza, në konflikt të përhershëm me Izraelin.
Për Izraelin, dokumenti nuk sjell pikë startimi. Duke e distancuar Hamasin nga Vëllazëria Muslimane, dokumenti sinjalizon përshtatje me Egjiptin që e ka lehtësuar mbylljen e pikëkalimit Rafah.
Në kryeqytetin e Bregut Perëndimor, Ramallah, Abaz që tashmë është 82 vjeç trajtohet me indiferencë nga izraelitët dhe me përbuzje nga shumë palestinezë. Jeta në Ramallah mund të jetë më e lehtë sesa në Gaza, por korrupsioni në radhët e Autoritetit po e gërryen demokracinë. Abaz është në vitin e 13 të drejtimit, në mandatin e tij të katërt. Kandidatët rivalë potencialë tashmë po qarkullohen. Ndihmësit e Abaz mendojnë se marrëveshja mbi bazën e dy shteteve është e arritshme.
Zyrtarët e tij thonë se bota është “ngopur” me pushtimin izraelit. “Donald Trump mund të sjellë një marrëveshje të papritur. Ai thotë ‘Amerika e para, jo Izraeli i pari”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/