Një gjykatë palestineze ka ndaluar divorcet gjatë muajit të Ramazanit pasi njerëzit mund të marrin vendime të nxituara “sepse nuk kanë ngrënë dhe nuk kanë pirë duhan”.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Mahmoud al-Habbash, kreu i sistemit gjyqësor islamik sheriatik palestinez, ka thënë se njerëzit që privohen nga ushqimi dhe cigaret gjatë orëve të ditës mund të “krijojnë probleme” në marrëdhëniet e tyre dhe pastaj të marrin “vendime të shpejta dhe të këqija”.
E për të shmangur vendime të tilla, gjyqtarët do të shqyrtojnë dhe vendosin vetëm për kërkesat për divorc pas muajit të agjërimit.
Ai ka thënë se urdhri ishte bazuar në “përvojën e viteve të mëparshme”.
Në territoret e okupuara palestineze, por edhe në Izrael dhe Liban, vetëm gjykatat fetare kanë fuqinë për të lejuar martesat dhe divorcet.
Vetëm gjatë vitit 2015, më shumë se 50,000 dasma u festuan në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Rripin e Gazës, por u regjistruan mbi 8,000 divorce, sipas Autoritetit Palestinez.
Miliona myslimanë në të gjithë globin po agjërojnë për Ramazanin, një nga pesë shtyllat e Islamit.
Gjatë muajit, shumë myslimanë do të agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke braktisur ushqimin dhe ujin, pirjen e duhanit dhe seksin gjatë ditës. /