(Artikull i publikuar në rrjetin informativ Al Xhezira)
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi dy urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Joav Galant. Gjykata u shpreh se kishte “arsye logjike” për të besuar se ata kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës .
Gjykata shtoi në një deklaratë të enjten se “ka arsye për të besuar se Netanjahu dhe Galanti mbikëqyrën sulmet ndaj popullatës civile”.
Ajo tha se krimet e luftës që i atribuohen Netanjahut dhe Galantit përfshijnë përdorimin e urisë si armë lufte dhe gjithashtu përfshijnë krime kundër njerëzimit, përkatësisht vrasje, persekutime dhe akte të tjera çnjerëzore.
Gjykata pohoi se pranimi i juridiksionit të gjykatës nga Izraeli ishte i panevojshëm dhe gjithashtu konsideroi se zbulimi i këtyre urdhër-arresteve ishte në interes të viktimave.
Përveç Netanjahut dhe Gallantit, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti edhe kundër Muhamed Daifit, udhëheqësit të Brigadave Izedin Kasam, krahut ushtarak të Lëvizjes së Rezistencës Palestineze (Hamas).
IZRAELI DHE AMERIKA REFUZOJNË
Netanjahu dhe udhëheqës të tjerë izraelitë dënuan vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhër-arrestin e lëshuar ndaj tij dhe ndaj Galantit, duke e përshkruar atë si të turpshëm dhe antisemitik.
Presidenti i SHBA Xho Bajden e kritikoi duke shprehur mbështetje për atë që ai e përshkroi si të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Hamasit.
Mikael Valtz, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit të zgjedhur të SHBA-së , Donald Trump, tha: “Pritni një përgjigje të fortë janarin e ardhshëm ndaj paragjykimeve antisemite të Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, duke iu referuar datës kur Trump do të marrë zyrtarisht detyrën.
Valtz shtoi se Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka asnjë kredibilitet dhe konsideroi se Izraeli “e mbrojti ligjërisht popullin dhe kufijtë e tij kundër terroristëve”, sipas pretendimit të tij.
Në kuadër të reagimeve izraelite ndaj urdhër-arresteve për Netanjahun dhe Galantin, ish-ministri izraelit i Mbrojtjes Beni Gantz e cilësoi vendimin e Gjykatës së Hagës si verbëri morale dhe një turp historik që nuk do të harrohet kurrë, sipas tij.
Sa i përket liderit të opozitës izraelite Jair Lapid, ai e konsideroi atë një “shpërblim për terrorizmin”.
Nga ana tjetër, Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gviri i konsideroi urdhrat e arrestimit kundër Netanjahut dhe Galantit një turp të pashembullt, por aspak befasuese. Ai tha se Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë “dëshmon edhe një herë se është antisemitike kokë e këmbë.
Ben Gviri shtoi se përgjigja ndaj urdhrave të arrestimit është vendosja e sovranitetit mbi Bregun Perëndimor, forcimi i vendbanimeve, ndërprerja e lidhjeve me atë që ai e përshkroi si “autoriteti terrorist” (ka për qëllim Autoritetin Palesitinez të Ebu Mazinit) dhe vendosja e sanksioneve ndaj tij.
Nga ana tjetër, Ministrja izraelite e Transportit Miri Regev tha se urdhër-arrestet kundër Netanjahut dhe Galant janë një absurditet ligjor dhe se Izraeli nuk do të kërkojë falje për mbrojtjen e qytetarëve të tij.
Sa i përket Ministrit izraelit të Energjisë, Eli Kohen, ai tha se vendimi i gjykatës ishte “anti-semitik dhe i neveritshëm dhe do të mbahet mend si pika më e ulët në historinë e gjykatës”.
Nga ana e tij, stacioni izraelit Channel 13 tha se urdhrat e arrestit ndaj Netanjahut dhe Gallant janë lëshuar kohë më parë dhe janë konsideruar sekrete dhe janë vendosur të shpallen sot.
Me mbështetjen amerikane, Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke lënë më shumë se 148,000 të vrarë dhe të plagosur – shumica prej tyre fëmijë dhe gra – dhe më shumë se 10,000 të zhdukur, mes shkatërrimeve masive dhe urisë që vranë dhjetëra fëmijë dhe të moshuar, në një nga fatkeqësitë më të rënda humanitare në botë.
Izraeli vazhdon masakrat e tij, duke injoruar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i dhënë fund atyre menjëherë dhe duke injoruar urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të marrë masa për të parandaluar aktet e gjenocidit dhe për të përmirësuar situatën katastrofike humanitare në Gaza.
Burimi : Al Xhezira