Me dy figura emblematike të luftës për liritë e njerëzve: Martin Luter King dhe Nelson Mandela, e ka krahasuar veten drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke iu referuar arrestimit të tij në Kosovë para dy javësh.
Në një letër që ua kishte dërguar disa prej ambasadave ndërkombëtare në Beograd, dy ditë pas arrestimit në Kosovë, Gjuriq shkruante se aksioni ishte përpjekje e shqiptarëve për të dëbuar serbët nga Kosova dhe duket se në një moment e krahason veten me Nelson Mandelën dhe Martin Luter Kingun.
Ai i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë fuqishëm kundër bashkësisë ndërkombëtare për ngjarjen e 26 marsit, sepse përndryshe, thotë se “do të rreshtohen në anën e gabuar të historisë, sikurse ata që në mënyrë të heshtur e shikonin persekutimin e Nelson Mandelës ose ata që ishin të shurdhër në vrasjen e Martin Luter King”.
Në këtë letër, të cilën e ka siguruar KTV-ja, Gjuriq i referohet Njësitit ROSU si “njësit terrorist”.
“Duke qenë targeti kryesor i këtyre terroristëve, fillimisht jam rrahur publikisht në sallën ku ka ndodhur takimi, e pastaj jam zvarritur në gjunjë deri te vetura transportuese”, u ka shkruar Gjuriq, ambasadave në Beograd.
Ai ka thënë se policët kosovarë ia shkulën flokët.
“Në mënyrë që të më dehumanizojnë sa më shumë që është e mundur, në atë veturë, ata m’i shkulnin flokët dhe ma përplasën kokën për veturë, teksa vazhdimisht bënin selfie dhe i postonin ato në rrjetet sociale”, thotë Gjuriq, në këtë letër.