4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Gjuha shqipe tashmë po mësohet edhe në Ankara të Turqisë

Më të lexuarat

Tashmë kanë filluar kurset e gjuhës shqipe në Ankara dhe për pjesëmarrje vërehet një interesim i madh jo vetëm i atyre me prejardhje shqiptare, por edhe atyre turq.

Këtë njoftim ia dërgoi portalit tonë Dr. Kushtrim Fana, kryetar i Unionit Studentor Shqiptar në Ankara.

Siç bën të ditur ai, këto kurse janë duke u zhvilluar në mjediset e Qendrës Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri” dhe tanimë janë bërë edhe grupet e studentëve që janë duke mësuar gjuhën shqipe.

Kjo është një ndërmarrje e Unionit Studentor Shqiptar në Turqi (Ankara) në vazhdën e aktiviteteve që ky Union po zhvillon me studentët e shqiptarë nga të gjitha trevat që studiojnë në universitetet shtetërore ose private në Ankara.

Ky kurs gjuhe, krahas mësimit të gjuhës mëmë, pritet të kontribuojë edhe në njohjen e shqiptarëve me njëri tjetrin, në përforcimin e kulturës dhe traditës si dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet e ndryshme që organizohen si nga Unioni Studentor Shqiptar në Turqi, Ankara ashtu edhe nga Ambasada e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë vend.

“Përpjekjet për të mbajtur gjithmonë të bashkuar shqiptarët që kanë lindur në Turqi me dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe me trevat e tjera shqiptare në Ballkan nuk kanë ndalur asnjëherë’’.

Kryetari i Unionit Studentor Shqiptar në Turqi (Ankara). Kushtrim Fana thotë se “Unioni Studentor Shqiptar në Turqi (Ankara) nuk do të ndalet vetëm në aktivitetin e gjuhës shqipe, por po ashtu punon edhe për promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare përmes aktiviteteve të ndryshme që janë duke organizuar’’.

Gjithë këto të aktivitete janë falë përpjekjeve të palodhshme të studentëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova si dhe viset e tjera shqiptare si dhe mbështetjen dhe përkrahjen nga organizata dhe aktivistë me prejardhje shqiptare, që janë në Turqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit