-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Gjuha islamofobe në media dhe politikë

Më të lexuarat

FITIM ZEKTHI 

Për shkak të vuajtjeve të pa përshkrueshme që shkaktuan ideologjitë djallëzisht ndarëse, si komunizmi apo racizmi, si fashizmi apo antisemitizmi, bota nisi pas Luftës së Dytë Botërore një proces të gjerë reflektimi, në mënyrë që ndarje të tilla, forma të tilla racizmash apo ksenofobish të mos kenë më fuqi të shkaktojnë plagë.

U bënë studime të mëdha, një kulturë e thellë kujtese mori jetë, u ushqye me literaturë dhe u prodhua një kulturë e panjohur më parë e respektit për etninë, racën, fenë etj., të kujtdo. Në universitete, dhjetëra e qindra akademikë, sociologë dhe filozofë, antropologë dhe psikologë shkruan libra, mbajtën leksione dhe krijuan një traditë të fuqishme studimesh, e cila e shihte paqen sociale si të mundshme vetëm mbi këtë respekt. Edhe mediat e mëdha, gazetarët e njohur, opinionistët me ndikim, u bënë të gjithë pak a shumë pjesë e kësaj përpjekjeje.

Megjithatë, e keqja, ajo që ndan, djallëzorja, ajo që ushqehet nga urrejtja, ajo që rritet nga injoranca dhe epshi, ishte e pranishme vazhdimisht në botën perëndimore. Prania e saj ka qenë periferike, nuk ka qenë në universitete dhe as në media, nuk ka qenë në qendër të hapësirës publike. Dy dekadat e fundit, kjo e keqe është bërë më e fortë, prania e saj është rritur shumë. Ajo nuk ka hyrë dot në akademi, ajo nuk ka zaptuar mediat e rëndësishme, gazetarët e njohur dhe opinionistët e rëndësishëm nuk u bënë kurrë pjesë e saj. Megjithatë, ajo u rrit edhe si pasojë e mënyrave të shtuara të komunikimit, nëpërmjet internetit dhe portaleve online.

Shqipëria, e cila është themeluar nga burra me fuqi të madhe morale, nga burra që dolën përtej të gjitha dallimeve të tyre, ka vuajtur shumë gjatë 45 viteve komunizëm. Kjo frymë përcëlluese ndarjeje solli një formë të ndyrë racizmi, lufte klasash dhe prodhoi krime të neveritshme. Duke qenë një nga format më të poshtra të ideologjive ndarëse, komunizmi sulmoi egërsisht edhe fenë. Ai vrau, burgosi dhe pushkatoi priftërinj dhe hoxhallarë dhe shkatërroi kisha e xhami. Në fund, ai e ndaloi fare fenë.

Edhe gjatë viteve pas Pavarësisë, 1912-1944, edhe gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri janë vënë re, në periferi të jetës së saj, shenja të një ndarjeje tjetër të poshtër, të një lufte tjetër të ndyrë, asaj që merr për shkas fenë. Por duke qenë se politikanët dhe patriotët e lartë: Ismail bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Nikollë Kaçorri, Vehbi Dibra, Visarion Xhuvani, Sulejman Delvina, Fan Noli, Kadri Prishtina, Isa Boletini etj., etj., kishin sakrifikuar gjithçka për një Shqipëri të pavarur të të gjithë shqiptarëve, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, ishte e pamundur që zëra kristianofobë apo islamofobë të kishin peshë.

E njëjta gjë edhe me njerëzit me ndikim të shtypit të atyre viteve. Branko Merxhani apo Vangjel Koça, Nebil çika apo Krist Maloki, Ismet Toto apo Tajar Zavalani nuk shkruan kurrë një fjalë që të kishte brenda ngjyra të kristianofobisë apo të islamofobisë.

Ndërsa sa i takon klerit, ata janë një epope më vete. Kleriku i madh, meshtar patriot i papërsëritshëm dhe poet i rrallë, Gjergj Fishta, apo Hafiz Ali Kraja, edhe ky patriot i përkorë, njihen për respektin e thellë që predikonin për shqiptarët e besimit të ndryshëm nga ai i veti. Kleriku Anton Harapi, dijetar dhe patriot me zemër të madhe, që sakrifikoi edhe veten për paqen në këtë vend apo Hafiz Ibrahim Dalliu, patrioti dhe hoxha i madh i Tiranës, i cili ngriti flamurin e Pavarësisë në Tiranë dhe që u rrah barbarisht nga njerëzit e Haxhi Qamilit, jo vetëm nuk shkruan kurrë një fjalë problematike për fenë e shqiptarëve të tjerë, por ishin frymëzimi më i madh i dashurisë dhe i respektit për fenë e vëllezërve të tjerë. Lista me priftërinj dhe hoxhallarë të dorës së parë që bënë gjithçka për vëllazëri fetare dhe fuqizim të kombit shqiptar është e madhe, pavarësisht se edhe në atë kohë kishte zëra periferie, që kërkonin të hidhnin helm.

Edhe gjatë viteve të komunizmit, si pasojë sidomos e përpjekjeve përçarëse të regjimit, ka pasur zëra dhe veprime që kërkonin të nxisnin ndarje fetare. Këto zëra dhe këto veprime nuk u bënë kurrë të rëndësishme. Rezistenca në burgje e priftërinjve është e mahnitshme, qëndresa në burgje e hoxhallarëve është impresionuese. E dëshmon At Zef Pllumbi, e dëshmon Ejl Çoba, e dëshmon Ibrahim Dalliu në gjyq, e dëshmon At Pjetër Mëshkalla, e dëshmon kardinali Koliqi, e dëshmon Hafiz Dërguti, e dëshmon kardinali i gjallë Troshani etj., etj.

Për të krijuar vetëm një ide, po përmendim një rast fare të vogël të respektit dhe qëndresës së këtyre njerëzve. Drejtuesit komunistë të burgut, një ditë, marrin priftin At Aleks Baqli dhe e lidhin me pranga me Hafiz Mustafa Dërgutin, në mënyrë që prifti të fyhej kur Hafizi të falte namazet (ose të mos falej fare), pra, të kryente ritin mysliman të faljes. At Aleks Baqli, me një dashuri të rrallë dhe forcë të madhe njerëzore, thotë se i thashë hoxhës: “Mos u ban merak aspak. Nuk e kam asnji problem me u cue dhe me ul pas teje gjatë namazit tand, në mënyrë që ti ta bash tamam namazin”

Këto 30 vite liri, te shqiptarët është ruajtur kjo frymë, por zërat problematikë që ishin në periferi, që nuk kishin peshë, që nuk i përkisnin elitës së klerit dhe medias, që nuk i përkisnin elitës politike sot arrijnë të jenë në qendër të hapësirës publike. Këto 30 vite, Shqipëria ka vuajtur dhe vuan nga forma të caktuara dhe të shpifura, sidomos të islamofobisë. Që në krye, sapo ra regjimi komunist, shkrimtari Ismail Kadare bëri thirrje që shqiptarët të “zgjedhin për fe, tashmë që ajo u rikthye pas ndalimit në vitin 1967, fenë e krishterë, fenë e qytetërimit europian”.

Kjo ka qenë një deklaratë e shëmtuar dhe vetë Kadare disa vite më vonë thotë se gaboi. Ai është shprehur më vonë se “fakti që islami është i pranishëm, është i fortë, tregon se unë kam qenë gabim”. Në një debat që zhvilloi disa vite më parë Kadare me Rexhep Qosjen, u shpreh se islami është për shqiptarët shenja e unazës së prangosjes 500-qindvjeçare në këmbën e shqiponjës. Gjatë kohës që u sulmuan gazetarët e “Charlie Hebdo”-së në Paris, Kadare shkroi se islami e ka sulmuar Europën tri herë nga tri drejtime të ndryshme: një herë nga Spanja (e kishte fjalën për marrjen e Spanjës dhe Portugalisë në shekullin e tetë dhe zotërimin mysliman të gadishullit për 700 vite), një herë tjetër nga Ballkani me osmanët dhe një herë të tretë me terror.

Nuk do mend dhe kjo kuptohet edhe nga një student i vitit të parë se kjo është jo thjesht një gjuhë islamofobie e pastër, por edhe një gjuhë mungese të thellë respekti për njerëzit e popullit tënd, që i përkasin besimit mysliman. Nuk mund t’i kërkohet kurrë një populli apo një pjese të tij që ta zgjedhë fenë për arsye gjeopolitike, në një kohë që ajo është zgjedhje e lirë që e bën njeriu për t’i dhënë shpjegim fatit të tij, vetes dhe botës dhe është kërkimi më sublim që ai bën për të vërtetën. E njëjta gjë edhe me unazën në këmbën e shqiponjës. Nuk mund t’i thuhet një pjese të popullit tënd, pjesës dërrmuese që është 70%, se të qenit mysliman është shenja që ne kemi si pasojë e prangave 500-vjeçare. Kjo pjesë e popullit e beson islamin si fe të vërtetë, si fe që i sjell asaj paqen në këtë botë dhe në botën tjetër. Dhe e treta, kjo ideja se islami e ka sulmuar tri herë Europën është qesharake. Nuk e ka sulmuar kurrë islami, nuk sulmojnë fetë, sulmojnë shtetet. Kurrë krishterimi nuk ka sulmuar Shqipërinë apo Jerusalemin, Kostandinopojën apo Kajron.

Këto qëndrime të Kadaresë në forma të ndryshme gjenden herë pas here në shtypin shqiptar, shfaqen herë pas here në diskursin e ndonjë politikani apo të ndonjë njeriu apo intelektuali në media. Kjo është thjesht dhe vetëm islamofobi. Runnemede Trust, një think tank i famshëm britanik, i njohur shumë për studime në fusha të tilla, thotë se: “Islamofobia prek një segment nga armiqësia ndaj fesë islame te përbuzja për parimet e islamit, nga përçmimi për mendimin islam te përçmimi për stilin e jetesës së myslimanëve, nga konsiderimi i islamit si një fe e ardhur, te konsiderimi i islamit si një fe që nuk përputhet me vlerat e qytetërimit perëndimor, nga konsiderimi i islamit si fe e pushtuesit, te konsiderimi i islamit si një fe që prodhon terror apo dhunë..”. Parlamenti britanik në vitin 2000, në një raport të tijin, e cilëson përkufizimin e Runnemede Trust si më të saktin dhe ligjet në lidhje me çështje të tilla në Britani duhet të përputhen me këtë përkufizim. Gjithçka ka thënë Kadare, jo vetëm është islamofobi, por e tejkalon disa herë këtë përkufizim.

Megjithatë, nuk është fare çështja te Kadare. Ai ka bërë reflektimet e tij, siç ka thënë vetë dhe flet shumë rrallë për gjëra të tilla. Çështja se islamofobia nuk është thjesht racizëm (që do ishte plotësisht i papranueshëm), në rastin tonë ajo është edhe antishqiptarizëm dhe, për fat të keq, ajo gjendet në hapësirën tonë publike thuajse përditë. Siç e thamë më lart, në botë nuk ka studiues apo profesorë të njohur, nuk ka akademikë të rëndësishëm, nuk gjenden gazetarë apo opinionistë seriozë, që të përdorin gjuhë islamofobe. Përkundrazi.

Refuzimi i islamofobisë në botë ka qenë gjigant dhe emocionues, çka tregon vitalitet të perëndimit. Disa nga njerëzit më të njohur të botës akademike në perëndim, si filozofët dhe sociologët Habermas, Sloterdijk, Lessenich, Soeffner në Gjermani, Galston, Fukuyama, Brooks, Gutting në SHBA, Collin, Phoesel, Rosanvallon në Francë apo Negri në Itali, që kur nisën diskutime të tilla më shumë se 15 vjet më parë, jo vetëm nuk kanë qenë islamofobë, por kanë qenë në anën tjetër.

Sa u takon islamofobëve mund të përmendim vetëm njerëz që nuk vijnë nga akademia apo mediat e rëndësishme si: Magdi Allam bloger, i ashtuquajturi Ibn Warraq, një aktivist antimysliman; Pamella Gellner, blogere dhe organizatore konkursesh karikature; Glen Beck opinionist në “Fox News”; Phyllis Chesler, psikoterapist; Ann Coulter, komentatore apo edhe Breivik etj., etj.

Edhe në Shqipëri, sidomos në Kosovë, ka nga ky grup njerëzish, që për fat të keq dhe ndryshe nga perëndimi, nuk gjenden vetëm në blogje dhe media, por edhe në universitete apo qendra akademike. Kjo është diferenca jonë.

Kështu, p.sh., sapo mbaruan zgjedhjet në Kosovë dhe u bë e qartë se fitues do të ishte Albin Kurti, gazetarja Arbana Xharra. e njohur prej kohësh si islamofobe. shkroi se shpresonte që Albin Kurti të mos instalojë rryma islamiste dhe erdoganiste. Gjëja e parë që duhet të bëjë një gazetar është të kërkojë që Kurti të luftojë korrupsionin, të nxisë ekonominë, të mbrojë integritetin e Kosovës në bisedimet me Serbinë etj. Xharra ka shqetësim instalimin e rrymave islamiste dhe erdoganiste. Rryma islamiste është një term krejt i paqartë. Fjala islamist përdoret nga islamofobët në Francë sidomos dhe kërkon të shënjojë grupe politike me frymëzim fetar, që kërkojnë të sjellin një qeverisje në terma fetarë ose edhe një teokraci. Xharra e përdor këtë vetëm për të etiketuar Kurtin si një njeri që ka në parti njerëz me këtë synim dhe se, në fakt, ata ndihmohen ose janë të frymëzuar nga Erdogani. Qëllimi është etiketimi i VVsë, myslimanëve që janë aty ose që e kanë votuar si njerëz që duan të sjellin teokracinë. Kjo është një përrallë dhe bëhet me qëllim që të vërë në pozitë të vështirë myslimanët dhe VV-në, që ka marrë vota nga ata.

Kur ushtria turke, pak ditë më parë, hyri në Turqi, gjuhëtarja Ledi Shamku shkroi “…perëndimi i la kurdët vetëm dhe po bën aleanca fluide me turqit. Siç bëri dikur kur la vetëm Skënderbeun në motin e tij të madh, këtë gjë po bën edhe tani, por turqit janë njëlloj si atëherë dhe si tani”. Është e qartë se Ledi Shamku nuk ka hallin e kurdëve dhe të faktit që ata u lanë vetëm përballë ushtrisë turke. Po të ishte kështu, atëherë ajo do të fliste për sirianët e tjerë që janë lënë vetëm, për Rohingiat në Burma, për Ujgurët në Kinë, për të pambrojturit në Sudan apo në Afrikën Qendrore. Ledi Shamku e thotë këtë sepse ajo kërkon t’i lidhë turqit dhe sidomos kryetarin e shtetit të tyre, Erdoganin, me myslimanët dhe me këtë rast të thotë se kjo është një luftë e tyre. Këta turqit e sotëm, thotë ajo, janë ata që ishin përballë Skënderbeut. Pra, ata që ishin përballë Skënderbeut ishin të këqij dhe pushtues, ata na sollën fenë myslimane dhe shqiptarët myslimanë sot kanë fenë e këtyre, që bëjnë masakra në Siri te kurdët. Nuk ka nëntekst tjetër.

Për të sharë turqit dhe mbrojtur kurdët, kanë vrapuar me dhjetëra njerëz në shtyp apo “Facebook”, nga politika apo nga mediat. Që të gjithë as që kanë ndonjë shqetësim për popullin kurd.

Në momentin që në Turqi po ndodhte grushti i shtetit, mjaft njerëz në “Facebook”, deri edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së dhe të Asamblesë së PS-së, flisnin për rrëzim të diktaturës dhe për triumf të lirisë. Edhe këto qëndrime janë mbajtur sepse Erdogan është “islamisti”. Është feja shtysa kryesore e “diktaturës së tij”. Ai do të ishte i mirë, le të ishte diktator, por të ishte kemalist. Ata që mbronin grushtin e shtetit, nuk e bënë ngaqë janë kundër ndonjë diktature, e bënë ngaqë me diktaturën lidhin fenë e Erdoganit. Po të ishin kundër ndonjë diktature, do të ishin kundër krimeve që bën Sisi në Egjipt, Aung Su Kii në Burma, Lukashenko në Bjellorusi etj.

Në shtyp thuhet herë pas here se “Erdogan në Serbi çon 2,5 miliardë euro për autostrada, ndërsa te ne bën memorialë për ata që e mbrojtën dhe ndërton xhami”. Me këtë thuhet se ndërtimi i xhamive është një problem, se Erdogan ka qëllim “përhapjen e islamit etj”. Me këtë thuhet se islami është problem. I shqetësuar për ndërtimin e xhamive, u shfaq edhe Taulant Muka pak ditë më parë.

Në një shkrim tjetër nga një gazetar thuhet “…provincat e pushtuara nga islamikët…”. Fjala është për Spanjën e sotme, për Andaluzinë e mesjetës dhe saktësisht për vitet 1200. Në këtë kohë, gadishulli kishte 500 vjet nën kontrollin e myslimanëve, myslimanët aty ishin shumicë, jetonin në paqe me hebrenjtë dhe me të krishterët. Kur shkuan myslimanët aty, kishin ardhur rreth 200 vjet më parë visigotët. Bëhet fjalë për një kohë ku tërë bota lëvizte kufij dhe nuk kishte shtete-kombe që të përdorej gjuha e sotme e pushtimeve, aq më tepër islamike. Fjala islamike e bën edhe më problematike. Pra, kemi të bëjmë me një pushtim që është bërë nga islamikët. Çfarë janë islamikët? Sot përdoret ‘islamik’ në SHBA apo botën anglosaksone, siç përdoret ‘islamist’ nga Franca. Pra, është e njëjta fjalë si tek Arbana Xharra. Pra, islami pushtoi toka. Pse duhet thënë kjo sot njëherë, sidomos për Spanjën?

Kjo është e gjitha islamofobi dhe përdoret qëllimisht. Po ashtu, në televizione ka njerëz që thonë se ne po bëhemi “republikë islamike”, në kuptimin që jemi aq keq me demokracinë, sa vetëm një “republikë islamike” mund ta ketë. Me republikë islamike kuptohen diktaturat në vendet myslimane dhe qëllimi është të lidhet kjo gjë me islamin. Nuk thuhet për shembull bëhemi republikë si e Maduros dhe aq më pak republikë “kristiane si ajo e Sudanit të Jugut”. Për të thënë të drejtën, nuk ka ekzistuar kurrë një republikë diktatoriale, që është e krishterë. S’ka asnjë punë krishterimi me diktaturat. As islami dhe as hebraizmi apo shintozimi nuk kanë punë me diktaturat.

Islamofobi shfaqet gjithashtu edhe në gjuhën e politikanëve. Kryeministri Rama i tha njëherë deputetit Lefter Koka, se ai ishte burrë me kostum që ha pilaf. Dhe pilafi i përket, sipas Ramës, një kulture tjetër të prapambetur, nuk mund të hahet nga dikush me kostum. Rama është një nga islamofobët më të mëdhenj sa i takon gjuhës që përdor. Ai vazhdimisht tallet dhe fyen gjërat që ai i sheh si lindore, si të një bote të prapambetur, si islame.

Në shtyp ka njerëz që sa herë shkruajnë, nuk rrinë pa përdorur fjalë të tilla si bakllava, kadaif, hallvë ose shprehje si “është hallall me rrejt kaurin”, etj..

Tërë qëllimi është që të shihet islami si diçka “tjetër”, që të shihen myslimanët si diçka “tjetër”. Tjetri është ndryshe dhe i kundërt me Veten, me Ne. Tjetërsia është vetja e Tjetrit dhe gjendje e të qenit ndryshe. Në filozofi, termi Tjetërsi i referohet dhe identifikon karakteristikat e Kush dhe Çfarë. Gjendja e Tjetërsisë është mospërputhja e një personi me normat e shoqërisë, me të drejtën për të votuar, me të drejtën për akses publik, apo me veprimtaritë shtetërore, apo të institucioneve të tjera, që kanë pushtet. Kështu, në këtë gjendje, personi zhvendoset nga qendra e shoqërisë dhe dërgohet në periferi, duke qenë Tjetri.

Kjo islamofobi e shëmtuar, e përditshme, nuk shihet kurrë në shtypin francez apo anglez, në shtypin gjerman apo amerikan nga opinionistë të njohur. Kjo islamofobi e turpshme nuk është gjuha e studiuesve apo e akademikëve askund. Kjo islamofobi nuk është as gjuha e Kryeministrit apo politikanëve të tjerë. Kurrë nuk mund të ndodhë që Macron t’i thotë dikujt që “ha pilaf” apo që një opinionist në Berlin të shkruajë se “ha kadaif”.

Feja islame është feja e 70 % të shqiptarëve, të cilët janë këtu dhe janë vëllezër të krishterëve dhe të atyre me besim tjetër. Ky komb nuk mund të ekzistojë pa myslimanët. Në qoftë se nuk ngrihemi dot në nivelin e Branko Merxhanit apo të Luigj Gurakuqit, të Vehbi Dibrës apo Gjergj Fishtës, të Aleks Baqlit apo Ali Krajës, të paktën të përpiqemi të ngrihemi në nivelin e Dom Gjergj Metës ose të frymëzohemi nga ai që shkroi para ca kohësh se nëse BE kërkon të na fusë në BE pa vëllanë tim mysliman, unë pëlqej të rri me vëllanë tim mysliman dhe të mos hyj në BE. Në qoftë se nuk ngrihemi në nivelin e At Anton Harapit apo Ibrahim Dalliut, të paktën të ngrihemi në nivelin e poetit patriot dhe të burgosur politik për 20 vite, Uran Kostrecit, që thotë se:

Ngaqë aq shum ky popull vojtur,
Nuk e marr zët, e dua e kur gabon ,
Kur qorrolliset e kur s’di nga shkon …

Pra, edhe sikur islamofobët t’i gënjejë mendja se janë të ditur dhe të mençur dhe shqiptarët apo myslimanët gabojnë, ata duhet t’i duan. Uran Kostreci është sot në moshë të thyer, ka vuajtur gjithën jetën dhe përsëri flet me dashuri për popullin e vet, ndërsa ca inatçinj, interesaxhinj ose në rastin më të mirë, të paditur, sillen pa ndalur si islamofobë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit