Në një kurs për azilantët në Belgjikë, gjuha frënge mësohet me fjalët si “Babai im hodhi bombë dhe hyri në burg”, “Jam duke ngrënë sanduiç në burg”
BRUKSEL (AA) – Në një kurs për azilantët në Belgjikë, gjuha frënge mësohet me fjalët si “Babai im hodhi bombë dhe hyri në burg”, “Jam duke ngrënë sanduiç në burg”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Materialet e përdorura në një kurs të frëngjishtes në rajonin Anderlecht të kryeqytetit Bruksel në Belgjikë, i quajtur “Erasme” shkaktuan reagime të shumta.
Sipas lajmit të ueb faqes De Redactie, e cila është e lidhur me kanalin VRT, transmetues në gjuhën holandeze, një grua me emrin Catherine Lemaire e cila po e mësonte një azilant irakian, ishte habitur pasi që i kishte parë shembujt e fjalive në librin e punës.
Lemaire ka postuar librin në llogarinë e saj sociale në Facebook, ku në kapitullin “Ushtrimet 16” brenda 15 fjalive ishin shprehjet si “Babai im hodhi bombë dhe hyri në burg”, “Babai im gërhiu dhe hyri në burg”, “Ma tregoi bombën dhe burgun”, “Jam duke ngrënë sanduiç në burg”.
Azilanti irakian, emri i të cilit nuk u bë i ditur, tha se nuk di përse thëniet e tilla ndodhen në libër dhe se ato po ia kujtojnë dhunën nga e cila ka ikur. Kurse mësuesja e gjuhës frënge, Lemaire reagoi ndaj kësaj duke thënë se “Ky është materiali përgjegjës i mësimit i propozuar nga vendi nikoqir me qëllim të integrimit”.
Ndërsa transmetuesi publik RTBF bëri të ditur se përgjegjësi i kursit Bernard Delecluse ka pranuar që kjo përmbajtje është e “gabuar”. Duke njoftuar se ky libër përdoret për tre vite, Delecluse tha se nuk dëshirojnë që ta përdorin librin me përmbajtje të njëjtë, por që është e pamundur që çdo vit dhe për çdo klasë të përgatisin libra e t’i kontrollojnë ato. Ai tha se dëshirojnë që t’i fillojnë hetimet për të gjetur përgjegjësin e rastit.
Ministrja Rajonale e Arsimit, Isabelle Simonis në një deklaratë për media tha se është “shokuar” nga ky rast, por që dëshiron ta presë rezultatin e hetimeve para se të ndërmarrë ndonjë hap.