4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gjuetarët kërkojnë ndryshimin e Ligjit për armët

Më të lexuarat

Komisioni parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e FSK-së ka mbajtur dëgjim publik të martën, për zbatimin e Ligjit për armët, me ç’rast përfaqësues të Federatës së Gjuetarëve të Kosovës kanë adresuar vërejtje lidhur me këtë ligj. Mospërputhja e këtij ligji me atë të gjuetisë po i obligon gjahtarët e kualifikuar në periudhën e para dhe pas luftës deri në vitin 2007, që t’i nënshtrohen për së dyti provimit kualifikues për përdorimin e armëve. Ky fakt, sipas Rexhep Shkodrës, kryetar i Federatës së Gjuetarëve të Kosovës, përveçse është “i pakuptimtë, degradues dhe në kundërshtim me Kushtetutën, po ashtu po i dëmton shumë edhe materialisht gjuetarët.

“Ligji për armë nuk e ka marrë parasysh në asnjë moment që njerëzit të cilët e kanë dhënë provimin më parë duhet të lirohen nga ai. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paraparë që të gjithë ata t’i nënshtrohen provimit për armë për herë të dytë dhe atë, vetëm në një organizatë të licencuar nga kjo ministri, e cila është organizata e vetme e licencuar tani për tani për këtë gjë”, ka thënë Shkodra.

Ai ka shpjeguar se në bazë të nenit 63 të Ligjit për gjueti, thuhet se të gjithë personat që e kanë dhënë një herë provimin të mos detyrohen t’i nënshtrohen për së dyti provimit të njëjtë.

“Jemi takuar disa herë me zyrtarë të Departamentit për siguri publike në MPB dhe kemi kërkuar që t’u përmbahen dispozitave që i parasheh Ligji i gjuetisë”, ka shtuar Shkodra. Në bazë të kërkesave të Federatës, ministri i Brendshëm në nëntor të vitit 2011 e kishte sjellë një vendim në të cilin thuhet, sipas Shkodrës, që do të shqyrtohen mundësitë e përjashtimit nga provimi për poseduesit e lejeve në rast se kualifikimet e tyre mund të dëshmohen me certifikata të rregullta të lëshuara nga një organ legjitim. Andaj, sipas tij, ky vendim duhet të zyrtarizohet.

Shkodra ka bërë të ditur se edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka nxjerrë vendim për realizimin e programit për edukimin e kuadrove të reja në gjueti dhe aty thuhet se Federatës i jepet e drejta për organizimin e këtij programi.

“Është koha që MPB-ja ta zbatojë vendimin që e ka nxjerrë dhe ta zyrtarizojë që personat që kanë dhënë provimin të mos hyjnë për së dyti, ngase gjahtarët po konsiderojnë se kjo është antiligjore, antikushtetuese, që një ligj që ka ardhur pesë vjet më vonë sesa Ligji i gjuetisë të mos i pranojë provimet e tyre”, ka shtuar Shkodra.

Nuredin Ibishi, anëtar i Federatës së Gjahtarëve dhe ekspert i sigurisë, ka theksuar se gjahu në Kosovë ka rënë në minimumin ekzistencial, falë neglizhencës së dy ministrive: MPB-së dhe MBPZHR-së, të cilat, sipas tij, “nuk e zbatojnë ligjin në kuptimin e njohjes së kualifikimeve të mëhershme”.

Ai ka bërë të ditur se nga 29 mijë gjahtarë që kanë armë gjahu në dispozicion, 10 mijë gjahtarë kanë certifikata dhe MPB-ja nuk e sheh të rrugës t’i pranojë ato.

“Gjendja është kaotike në terren, gjuetarët janë të armatosur sikurse në luftë dhe gjahu ka rënë në minimum. Thuhet se nuk janë më shumë specie me të cilat jemi mburrur. Dhe ministria nuk ndërmerr asgjë, që këta gjahtarë që sillen lirshëm në terren t’i integrojë në shoqata edhe në vende të obliguara sipas ligjit”, ka shtuar ai.

Ndërsa anëtari tjetër i kësaj federate, Xhavit Mustafa, ka bërë të ditur se është vetëm kompania “Katana” e licencuar për t’i trajnuar gjuetarët e rinj.

“Është monopol, në të cilin duhet të paguhen 170 euro dhe plus 50 euro të tjera për certifikatë”, ka shtuar ai.

Në pozitën aktuale që gjendet Kosova sa i përket gjuetisë, është duke rrezikuar, sipas Mustafës, që të përfundojë si Shqipëria “që ka mbetur pa asnjë zog”.

E zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë dhënë përgjigje për këto vërejtje, duke thënë se ata vetëm po e zbatojnë ligjin. Naim Shala, nga Departamenti ligjor i kësaj ministrie, ka thënë se MPB-ja edhe pse po ka vështirësi të shumta po e zbaton ligjin në këtë fushë.

“MPB-ja ka zbatuar ligjin dhe po vazhdon të zbatojë pavarësisht vështirësive që i ka, se të zbatosh një ligj për armët është tepër i rëndë në rrethanat tona. Është bërë një punë e madhe dhe janë krijuar bazat. Tani kemi filluar një disiplinë në këtë fushë dhe ligjet kanë për qëllim të rregullojnë fushën, e jo të ngatërrojnë”, ka thënë Shala, sipas të cilit ligji mund të jetë “pak strikt”, mirëpo ka ardhur koha që gjërat të vihen në binarë.

Ai madje ka treguar shembuj se si familjarët e tij kanë marrë në kohët e kaluara certifikata të gjuetisë pa ndjekur asnjë trajnim, dhe kështu ka vlerësuar se është e nevojshme që të gjithë t’i nënshtrohen këtij provimi.

Ndërsa përfaqësuesi i MBPZh-së, Shefki Zeqhairi, ka thënë se kjo ministri nuk është kundër vërejtjeve të Federatës, mirëpo ka vlerësuar se e vetmja mënyrë që të realizohen kërkesat e gjuetarëve është që të amendamentohet Ligji për armët.

Anëtari i Komisionit parlamentar për siguri, Fatmir Xhelili, deputet nga radhët e PDK-së, është pajtuar plotësisht me atë se një provim që dëshmon aftësinë për ruajtjen dhe përdorimin e armës duhet të jetë valid, ashtu siç ndodh edhe në provimet e institucioneve tjera.

“Dhënia dhe përsëritja e provimit për mendimin tim është e pakuptimtë. Unë them hapur se do të loboj lidhur me këtë”, ka shtuar ai.

Edhe zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Rexhep Selimi, deputet nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, ka potencuar se anëtarët e komisionit do të lobojnë në favor të Federatës dhe ka shtuar se komisioni do të përgatisë rekomandime për MPB-në në mbledhjen e radhes.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit