Ukrainasit janë zgjuar sot nga sirenat dhe zhurma e raketave nga sulmet ajrore ruse derisa frika e tyre po rritet në çdo çast, e në Kiev pati disa shpërthime që nga detonimi u thyen edhe xhamat e objekteve.
Në tërë Ukrainën qytetarët po vrapojnë nëpër bodrume për t’i shfrytëzuar si strehimore nga frika se ndonjë bombë ruse mund të bie mbi ata, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat të fillojnë pushtimin, transmeton Telegrafi.
Pak minuta pas orës 5 të mëngjesit filluan shpërthimet e para, ku nga detonimi u thyen xhamat e hoteleve ku po qëndronin gazetarët e mediave ndërkombëtare, e ndër ta ishte edhe fotografi i Daily Mail, Simon Ashton që qëndronte me helmetë në kokë dhe jelek antiplumb të veshur.
Për orë të tëra qielli u shndrit në lindje dhe veri të vendit nga granatimet e pandërprera nga forcat ruse, ku qytetarët shikonin të habitur nga bodrumet duke hapur vrima të vogla mbi sipërfaqen e tokës për të parë se çfarë po ndodhë.
Me të kuptuar se filloi sulmi, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë ukrainase u pozicionuan nëpër pikat e parapara, e qytetarë të shumtë në Kiev dhe qytete tjera ia mësyn edhe bankomatëve për të tërhequr nga para – duke e ditur se do të kenë nevojë për to pasi që nuk dihet se si do të përfundojë situata.
Shumë prej tyre me veturat e tyre morën rrugë për zona tjera duke shpresuar se do të gjejnë strehim larg bombave të ushtrisë ruse, e futja e tyre me mjete të rënda ushtarake është dokumentuar me video të ndryshme.
Fillimisht raportohej se nga Krimea ishin futur, e më pas CNN publikoi pamje ku shihen qindra tanke duke u futur edhe përmes Bjellorusisë. Kolona ka pasur edhe pranë pompave të derivateve, ku qytetarët mbushin veturat e tyre për të marrë rrugë të gjata.
Rrugët e qyteteve të mëdha u zbrazën e ajo çfarë vërehej më së shumti në Kiev, ishte se qytetarët po strehoheshin nëpër stacionet e metrosë duke i shndërruar në bunkerë të improvizuar. Deri më tani mediat e atjeshme kanë raportuar për 8 civilë të vrarë, kurse ushtria ukrainase pretendon se ka rrëzuar disa fluturake të ushtrisë ruse.
Në anën tjetër, Perëndimi ka dënuar ashpër operacionin ushtarak rus mbi Ukrainë, duke e cilësuar si veprim të panevojshëm dhe se është një dëshmi se Putini prej kohësh kishte organizuar pushtimin dhe nuk kishte për synim zgjidhjen diplomatike. /Telegrafi/