0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Gjithçka për avionin e Azerbajxhanit që u rrëzua në Kazakistan

Më të lexuarat

Ja çfarë dimë për aksidetin më të fundit ajror në botë

Azerbajxhani ka shpallur ditë zie pasi një aeroplan pasagjerësh që i përkiste një kompanie ajrore lokale u rrëzua në brigjet e Detit Kaspik.

Autoritetet nga Azerbajxhani, Kazakistani dhe Rusia po hetojnë uljen emergjente të aeroplanit të mërkurën në mëngjes, ku humbën jetën të paktën 38 persona.

Ja çfarë dimë për rrëzimin e avionit:

Ku u rrëzua avioni i pasagjerëve?

Avioni u rrëzua tre kilometra larg qytetit Aktau në Kazakistan, në bregun lindor të Detit Kaspik.

Ai ishte duke u nisur nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në Grozny, kryeqyteti i Çeçenisë në Rusinë jugore.

Kush ishin pasagjerët?

Embraer 190, me numër fluturimi J2-8243, mbante 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit.

Sipas zyrtarëve kazak, pasagjerët ishin shtetas të katër vendeve të ndryshme: 42 azerbajxhanas, 16 rusë, gjashtë kazakë dhe tre shtetas kirgistanas.

Sa mbijetuan?

32 persona mbijetuan, mes tyre dy fëmijë, të cilët u shtruan në spital dhe shumë prej tyre janë në gjendje kritike. Shumë prej tyre u nxorrën nga rrënojat, ndërsa disa, sipas shpëtimtarëve dhe siç shihet në video, dolën vetë të mbuluar me gjak.

Zëvendëskryeministri i Kazakistanit Kanat Bozumbayev njoftoi se 38 persona kishin vdekur.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi punonjësit e urgjencës në vendngjarje të kenë thënë se të dy pilotët mendohet se kanë vdekur në aksident.

Pse u rrëzua avioni?

Rrëzimi i aeroplanit dyshohet se u parapri nga një “situatë emergjente” pas një goditjeje zogjsh, tha agjencia ruse e monitorimit të aviacionit në Telegram.

Avioni duhej të devijonte nga rruga e tij fillestare për shkak të mjegullës së dendur në Grozny, destinacioni i synuar, dhe të bënte një ulje emergjente.

Uebsajtet komerciale të gjurmimit të fluturimeve regjistruan fluturimin që shkonte drejt veriut përgjatë rrugës së tij të planifikuar në bregun perëndimor përpara se të zhdukej. Më vonë u rishfaq në bregun lindor, duke u rrotulluar pranë aeroportit Aktau përpara rrëzimit të tij përfundimtar.

“Sipas raporteve paraprake, avioni kërkoi të ulej në një aeroport alternativ përpara aksidentit […] për shkak të mjegullës së dendur në Grozny,” raportoi gazetarja e Al Jazeera-s Yulia Shapovalova nga Moska.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha në një deklaratë se, “sipas informacionit të dhënë atij, avioni i kompanisë AZAL, i cili po fluturonte në linjën Baku-Grozny, ka ndryshuar drejtim për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit dhe është nisur drejt aeroportit të Aktaut, ku ka ndodhur aksidenti gjatë uljes”.

Aeroporti më i afërt rus, Makhachkala, u mbyll më herët gjatë ditës për shkak të aktivitetit të dronëve.

Bllokimi i rëndë i GPS në rajon, i cili ka qenë i lidhur me incidentet e kaluara, mund të ketë komplikuar më tej navigimin dhe ka kontribuar në rrëzimin, sipas një raporti nga FlightRadar24.

Specialistët e urgjencës kazake punojnë në vendin e rrëzimit të një avioni pasagjerësh të Azerbajxhanit, pranë qytetit Aktau, Kazakistan (Ministria e Emergjencave të Kazakistanit nëpërmjet AFP)

Aliyev pranoi se ka teori të shumta rreth shkaqeve të rënies, por paralajmëroi kundër spekulimeve.

“Në media dhe në rrjetet sociale ka video të rrëzimit të avionit dhe mund t’i shikojë kushdo. Megjithatë, shkaqet e rënies nuk janë ende të njohura për ne”, tha presidenti i Azerbajxhanit. “Ka teori të ndryshme, por mendoj se është shumë herët për t’i diskutuar ato.”

Çfarë po ndodh në terren?

Shërbimet e shpëtimit iu përgjigjën në mënyrë aktive situatës.

Zjarrfikësit shuan zjarrin e shkaktuar nga rënia, ndërsa 150 shërbime emergjente dhe ekipe mjekësore, mes të cilëve specialistë nga Astana, po trajtojnë të plagosurit.

Azerbajxhan Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet midis Baku dhe Grozny, si dhe midis Baku dhe Makhachkala deri në përfundimin e hetimit.

Kompania ajrore gjithashtu ka krijuar një linjë telefonike për anëtarët e familjeve të pasagjerëve dhe ka publikuar të gjithë emrat e tyre në rrjetet e saj sociale.

Aliyev nënshkroi një vendim për shpalljen e 26 dhjetorit ditë zie në vend. Presidenti i Azerbajxhanit, i cili po udhëtonte me aeroplan për në Rusi për samitin në atë kohë, tha se ishte informuar për rrëzimin ndërsa ishte në ajër.

Çfarë hetimesh janë duke u zhvilluar?

Autoritetet e Kazakistanit, Azerbajxhanit dhe Rusisë po hetojnë përplasjen.

“Ekipi hetimor, i kryesuar nga zëvendësprokurori i shtetit të Azerbajxhanit, është dërguar në Kazakistan dhe po punon në vendin e aksidentit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit të Azerbajxhanit.

Azertac, agjencia shtetërore e lajmeve e Azerbajxhanit, raportoi se një ekip i dërguar në Aktau për një “hetim në vendngjarje” përfshinte ministrin e urgjencës të Azerbajxhanit dhe nënpresidentin e Azerbajxhanit Airlines. Azertac tha se kutia e zezë e avionit, një regjistrues fluturimi i përdorur nga hetuesit për të përcaktuar shkakun e rrëzimit të avionit, ishte gjetur.

Aliyev tha në një deklaratë se “procedimi penal është nisur” dhe se publiku i Azerbajxhanit do të “informohet rregullisht” për ecurinë e hetimit.

Kazakistani ka formuar një komision qeveritar për të hetuar shkakun e katastrofës dhe për të siguruar që familjet e të vdekurve dhe të plagosurve të marrin ndihmën e nevojshme.

Hetimet janë fokusuar në problemet e mundshme teknike dhe mbylljen e hapësirës ajrore aty pranë.

Embraer, prodhuesi brazilian i avionëve, ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar në hetim. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit