Shtetasja gjermane, Iris K., e cila u alivanos gjatë protestës së Vetëvendosjes të hënën e kaluar, vazhdon të jetë në gjendje kome. Ajo është transferuar të premten në Gjermani, ku mjekët ia kanë ndërruar terapinë. “Mjekët shpresojnë që në ditët në vijim, Irisi të zgjohet nga koma cerebrale”, tha deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila është kunata e Irisit.
Shtetasja gjermane, Iris K., që nga e premtja është transferuar në një spital në Gjermani për shërim të mëtejmë, kanë bërë të ditur të afërm të pacientes dhe mjekë nga Klinika Intensive, ku Irisi ndodhej në kujdes intensiv.
Shaqir Uka, mjek në Klinikën Intensive, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se Irisi është transferuar për në Gjermani, të premten, ndërsa ndodhej në gjendje kome.
“Në bazë të të gjitha raporteve, incizimeve dhe fotografimeve që i janë bërë kur është pranuar në Emergjencë, vështirë se gjendja e saj shëndetësore mund të përmirësohet. Kjo paciente ka mundësi që të mbetet në këtë gjendje”, kishte deklaruar më herët Uka, për mediet kosovare.
Por, në spitalin e qytetit Sundern, Irisi ka dhënë shenja lëvizjeje.
Albulena Haxhiu, deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila është e kunata e Irisit, tha për Gazetën JnK se mjekët gjermanë e kanë parë të arsyeshme që t’ia ndërrojnë asaj medikamentet dhe terapinë e dhënë nga mjekët kosovarë.
Haxhiu bëri të ditur se Irisi ka treguar disa shenja lëvizjeje, siç është kollitja. “Mjekët shpresojnë që në ditët në vijim, Irisi të zgjohet nga koma cerebrale”, tha ajo.
Shtetasja gjermane u alivanos gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër bisedimeve Kosovë-Serbi. Gjatë protestës disorëshe, policia kishte përdorur mes tjerash gaz dhe sprej lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Gjatë përplasjeve ndërmjet policisë dhe aktivistëve të VV-së, të lënduar pati nga të dyja palët.
Policia e Kosovës ka thënë se Iris K. nuk ka qenë pjesëmarrëse në protestë dhe se shkaktar i alivanosjes ishte gjendja e saj paraprake shëndetësore. “Një qytetare, kalimtare e rastit e cila ka qenë në afërsi të protestuesve është alivanosur dhe zyrtarët policorë i kanë ofruar ndihmë duke e vendosur në automjetin transportues emergjent të Policisë së Kosovës për të vazhduar me tretman të mëtutjeshëm mjekësor në QKU”, kishte deklaruar Beki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Por, deputetja Haxhiu, edhe vetë pjesëmarrëse në protestë, ka thënë se “krejt kjo ka ndodhur si pasojë e dhunës brutale, fizike dhe psikologjike të policisë”.