“Ky është një hap i madh për vendin tonë”, u tha gazetarëve të hënën kancelari Olaf Scholz, duke theksuar se Gjermania tani do të rrisë ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe do të përmbushë objektivat e shpenzimeve të NATO-s
Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të Gjermanisë ka arritur marrëveshje me opozitën kryesore Demokristiane për të krijuar një fond special prej 100 miliardë eurosh (107,8 miliardë dollarë) për të modernizuar forcat e armatosura të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ky është një hap i madh për vendin tonë”, u tha gazetarëve të hënën kancelari Olaf Scholz, duke theksuar se Gjermania tani do të rrisë ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe do të përmbushë objektivat e shpenzimeve të NATO-s.
“Forcat e armatosura gjermane (Bundeswehr) kanë nevojë për këtë mbështetje. Dhe ne kemi nevojë për një Bundeswehr të fortë, efikas, jo vetëm për ne, por edhe për NATO-n në tërësi. Ky është një kontribut që duhet t’i japim komunitetit të aleatëve të NATO-s”, tha ai.
Scholz fillimisht e kishte shpallur planin e qeverisë në shkurt, disa ditë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, por ai kishte nevojë për mbështetjen e opozitës kryesore për ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore.