Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka reaguar pas komenteve të ndryshme që ndërlidhen me një deklaratë të tij lidhur me Turqinë dhe Serbinë.
Në një koment në Facebook, Dedaj ka thënë se distancohet nga çfarëdo spekulimi dhe manipulimi në emrin e tij, për Turqinë apo Serbinë, dhe simbolet e tyre.
“Une mbaje pergjegjesi vetem per ate çka e theme une personalisht, per Perandorine Otomane dhe Serbine e Millosheviqit dhe se asnje veprim, shkrim apo video montazh ne te cilin permendet me porosi apo qellim te keq emri im, nuk ka te beje me mua”, ka shkruar Gjergj Dedaj në profilin e tij në “Facebook”.
Zëvendësministri Dedaj duket se ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një video-incizimi ku disa persona djegin dhe përdhosin flamurin e Turqisë, duke bërë thirrje që kështu të veprojnë të gjithë shqiptarët me flamujt turq e serbë.
Të njëjtit thonë se këtë veprim po e bëjnë në përkrahje të Gjergj Dedajt.
Ky është komenti i plotë i Gjergj Dedajt:
“Gjergjin e mbrone Gjergji!
Distancohem publikisht nga çfaredo spekulimi dhe manipulimi ne emrin tim, per Turqine apo Serbine, dhe simbolet e tyre nacionale.
Une mbaje pergjegjesi vetem per ate çka e theme une personalisht, per Perandorine Otomane dhe Serbine e Millosheviqit dhe se asnje veprim, shkrim apo video montazh ne te cilin permendet me porosi apo qellim te keq emri im, nuk ka te beje me mua.
Kosova eshte shtet sovran dhe jo vilajet turk apo pokrahine serbe dhe une jam zevendesminister i Kosoves dhe jo zevendesvezir i Turqise.
Manipulimet me historine dhe me komunitetet ne Kosove, per qellime politike nuk iu bene ndere asnje shteti mik!”