Me Ajetin kuranor: “…u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, …” (Araf 157).
Allahu i Madhëruar në mesin e të gjitha planetëve të sistemit Diellor ka caktuar Tokën për të jetuar njerëzit. Në këtë planet Allahu ka krijuar gjithçka në shërbim të njeriut ushqime dhe pije të llojllojshme njëkohësisht edhe të dobishme për ata.
Mirëpo në mesin e atyre ushqimeve gjenden edhe ushqime dhe pije në një numër shumë të vogël, që janë të dëmshme për njeriun. Allahu i Madhëruar ushqimet e dobishme i ka lejuar, gjegjësisht i ka bërë hallall për robërit e Tij, ndërsa të dëmshmet i ka bërë të ndaluara – haram. Allahu i Madhëruar për t’ua bërë këto dallime të qarta robërve të Vet u ka dërguar pejgamberë, e disave prej tyre u ka zbritur (shpallur) Libra. Të gjithë pejgamberët, që nga Ademi alejhi selam e deri te pejgamberi i fundit Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem ua kanë bërë të qartë popujve të tyre gjërat e lejuara dhe të ndaluara. Allahu i Madhëruar e thekson në Kuran këtë mision të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: “…u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet,…“ (Araf, 157) Ibën Kethiri në komentin e tij të Kuranit, në lidhje me këtë pjesë të ajetit thotë: se do t’ua lejojë ushqimet që ata vetë ia kanë ndaluar vetes dhe kështu e kanë ngarkuar veten, siç mund të përmendim disa lloje devesh, si behira, saibe, vasile dhe ham. Po ashtu do t’ju ndalojë ushqimet e dëmshme, të cilat Allahu i kishte ndaluar, e ata i kishin bërë të lejuara për veten si mishin e derrit dhe kamatën.
Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Hallalli është i qartë, po edhe harami është i qartë, mirëpo mes tyre ka gjëra që janë të dyshimta, shumë nga njerëzit nuk i dinë, prandaj kush bien në ato të dyshimtat, ka rënë në haram.” (Muslimi), prandaj për atë që dihet qartë se është hallall, merret qëndrimi hallall për ato, ndërsa kur dihet qartë së është haram, merret qëndrimi haram. E për sa i përket për ato që janë mes hallallit dhe haramit, që janë të dyshimta për masën e gjerë, nëse bie në ato je në haram, mirëpo në hadith thuhet se shumë nga njerëzit nuk i dinë, d.m.th., ka të tjerë që e dinë vërtetësinë e tyre, e ata janë dijetarët. Allahu i Madhëruar ka thënë: “…Ju pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini.” (Nahël, 43) Allahu i Madhëruar nuk ia ka dhënë këtë leje kujtdo, përpos atij që ka shkallën e dijetarit.
Rregullat që kanë vënë dijetarët në përkufizimin e haramit dhe të hallallit janë nga objektivat e kësaj feje madhështore. P.sh., në sferën e ushqimeve Allahu për t’ua lehtësuar konceptin e ndalesës së alkoolit (dhe bixhozit) gjatë përshkallëzimit të kumtimit të fesë ka thënë: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre.” (Bekare 219), pra e ka theksuar se dëmi është më i madh. Kjo pastaj i shpuri në atë që të ndalohen rreptësisht më pas, d.m.th. të bëhen haram. Kur zbriti ajeti i ndalesës së alkoolit, Allahu i Madhëruar theksoi edhe dëmin: “…Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi…” (Maide 91). Në bazë të këtyre ajeteve edhe Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selemnë mënyrë të përgjithshme ka thënë: “Nuk lejohet dëmi, as ndaj vetes, as ndaj të tjerëve.” Me këtë hadith të Pejgamberitsal-lallahu alejhi ue selem besimtarët mund të gjinden shumë lehtë në situata të ndryshme për gjëra që nuk janë përmendur shprehimisht me emra në Kuran dhe hadith, si p.sh. duhani dhe droga, të cilat e kanë dëmin jashtëzakonisht të madh. Duhani ka një erë të keqe dhe është shumë i dëmshëm për organizmin e njeriut. Mjekët kanë dalë me përfundimin, se 60% e rasteve të sëmundjeve të kancerit në mushkëri, fyt dhe gojë (buzë) janë nga duhani. Pas kësaj disa vazhdojnë akoma të thonë se është vetëm mekruh. Duhani po ashtu është helmues. Ai përmban përbërje toksike, që po t’ia jepnim ndonjë kafshe do ta mbyste.
Kur bëhet fjalë për ushqimin hallall, Allahu e ka përmendur në përgjithësi, sepse nuk ka nevojë të theksohen të gjitha një nga një, se janë shumë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Të pyesin ty (Muhammed), çka u është lejuar atyre? Thuaju: “U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira.” (Maide, 4), ndërsa ushqimet e ndaluara i ka theksuar në veçanti, se janë pak dhe mund të përfshihen. Prej tyre janë: E ngordhura, gjaku, mishi i derrit dhe kafsha që theret për idhuj.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “(Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të Allahut.” (Bekare 173)
Për sa i përket të ngordhurës, gjakut dhe mishit të derrit ato janë të dëmshme nga aspekti fizik, ndërsa kafsha që theret jo në emër të Allahut është e dëmshme në aspektin e besimit, gjegjësisht në kuadër të besimit, se ajo vepër është shirk, Allahu na ruajt. AMIN.
Alkooli
Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës(për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit).” (Maide 90, 91).
Gjërat që përmenden në këtë ajet, Allahu i Madhëruar i ka theksuar si “vepra të ndyta nga shejtani”. Alkooli është haram në të gjitha format e konsumimit. Mirëpo veprat e tjera, si bixhozi dhe manipulimet e tjera, që bëjnë mashtruesit me anë të fallit, sihrit dhe rrugëve të tjera, si prostitucioni, kamata janë rrugë të ndaluara të përfitimit. Andaj edhe të ushqyerit me anë të atij përfitimi është haram.
Besimtarët duhet të kenë kujdes në përdorimin e ushqimeve, sidomos në kohët e sotme nga ushqimet e ndryshme të paketuara, të konservuara, ku ekziston mundësia të ketë përzierje me ushqimet e ndaluara. Ato po ashtu nuk lejohet të konsumohen. I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo pjesë e trupit (mishit) që është zhvilluar nga ngrënia e haramit, nuk ka për t’i shpëtuar Zjarrit (xhehenemit).” (Ahmedi) Allahu i Madhëruar i porosit besimtarët dhe pejgamberët të konsumojnë nga të mirat me të cilat Ai i ka furnizuar. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet Allahu është Tajjib (I mirë) dhe nuk pranon përpos të mirës. Allahu i Madhëruar i urdhëroi besimtarët me atë që i urdhëroi të Dërguarit. Ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjëra të mira dhe veproni mirë.”, po ashtu ka thënë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë.” (Muslimi)
E Lusim Allahun e Madhëruar që të na furnizojë me hallall, të na mbrojë nga haramet, nga ngrënia haram, Ai është furnizuesi me i mirë dhe mbrojtësi më i mirë.
ALI SHABANI/albislam.com