0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

GJEOGRAFIA DHE KUR’ANI

Më të lexuarat

Kur’ani është një libër i shenjtë, i cili pasqyron udhëzimet e Allahut (Zotit) për njerëzimin nëpërmjet të dërguarit të Tij të fundit, Muhamedit a.s. Gjeografia është një shkencë që studion Tokën dhe i ka fillimet e veta që në lashtësi. Midis Kur’anit dhe Gjeografisë ka një lidhje mjaft të ngushtë, e cila pasqyrohet në shkrimet e shenjta, të cilat nuk mungojnë edhe në literaturat e kësaj shkence.

Kur’ani ka zbritur në gjysmën e parë të shekullit të VII pas erës sonë dhe jep fakte konkrete dhe të sakta, në të cilat shkenca e gjeografisë, dhe ato që kanë lidhje të ngushtë me to, i kanë verifikuar nëpërmjet teorive dhe aparaturave të ndërtuara për këtë qëllim. Fillimisht shumë shkencëtarët të saj kohe dhe më pas, pushtetarë dhe udhëheqës të shteteve të ndryshme të Mesjetës apo dhe njerëz të zakonshëm i përbuznin shkrimet që ndodheshin në Kur’an dhe i quanin si trillimet e Muhamedit a.s. Por zhvillimi i shkencës në vendet myslimane dhe dhënia e mendimeve e teorive shkencore në Evropë në kundërshtim me dogmat kishtare, bëri që të verifikohen një e nga një shkrimet që ndodheshin në Kur’an. Këtu nuk bëjnë përjashtim edhe shkrimet e karakterit gjeografik, duke filluar që nga modeli heliocentrik i Kopernikut dhe më pas me ligjin e gravitetit të Njutonit, ligjin e Relativitetit të Ajshtajnit apo edhe zbulimin e fakteve shkencore të sakta mbi formimin e fenomeneve meteorologjike, lëvizjeve të pllakave tektonike etj.

Gjeografia fizike e përgjithshme si degë e Gjeografisë së Përgjithshme, që nga koha parahistorike është marrë me studimin e mënyrës së krijimit të universit, objekteve të cilat ndodhen në të (galaktikat, yjet, planetët, asteroidet e kometat), rrotullimin e tyre, e deri te dhënia e hipotezave rreth shkatërrimit të universit bashkë me objektet hapësinore. Kjo degë e Gjeografisë, gjithashtu merret me përshkrimin dhe studimin e Tokës, duke i përfshirë të gjitha sferat e saj: Atmosferën, Litosferën, Biosferën dhe Hidrosferën. Ajo merret edhe me orientimin në natyrë (orientimi me anë të yjeve dhe yjësive, Diellit dhe Hënës), si dhe llogaritjen e kohës sipas kalendarit (kalendarit diellor dhe atij hënor).

Kur’ani ka shumë ajete që na tregojnë për veçoritë shkencore – gjeografike, të cilat vërtetojnë se Kur’ani është me të vërtetë libër i shenjtë. Njëra prej shumë veçorive është fakti se një numër i konsiderueshëm i këtyre fakteve shkencore të lartpërmendura, njeriu i ka zbuluar vetëm me ndihmën e teknologjisë së shekullit XX, të cilat janë shpallur në Kur’an 1400 vjet më parë. Këto fakte shkencore, në kohën e Muhamedit a.s. as që mund të perceptoheshin apo imagjinoheshin. Këto fakte shkencore e vërtetojnë edhe më tepër prejardhjen hyjnore të Kur’anit. Për këtë Zoti xh.sh. në Kur’an thotë:

“A nuk shikojnë ata me vëmendje nga qielli se si mbi ta e kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti? Edhe tokën se si e kemi shtrirë e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura. Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen. Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren. Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluar njëri mbi tjetrin.” (Kaf, 6-10)

Zoti xh.sh. i fton njerëzit të studiojnë dhe të reflektojnë rreth qiejve, tokës, maleve, yjeve, bimëve, farave, kafshëve, ndryshimeve të natës me ditën, krijimit të njeriut, shiun dhe shumë gjëra të tjera të krijuara. Duke i eksploruar këto fakte, njeriu arrin ta njohë aftësinë artistike të krijimtarisë së Zotit. Më këto krijime njeriu arrin ta njohë Krijuesin e tij, i Cili krijoi të gjithë universin dhe çdo gjë që ndodhet në të nga asgjëja. Për këtë Zoti xh.sh. në Kur’an thotë:

“Është fakt se në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e Tokës, (në të gjitha këto), ka argumente për një popull që ka mend.” (Bekare, 164)

Edhe pse në Kur’an gjejmë shumë fakte shkencore, të cilat janë zbuluar në mënyrë të plotë më ndihmën e teknologjisë bashkëkohore, Kur’ani nuk është një libër shkencor e as që mund të pretendojmë një gjë të tillë. Qëllimi i shpalljes së tij është udhëzimi i njerëzve drejt së vërtetës dhe jo shtjellimi i fakteve shkencore apo shpjegimi i dukurive natyrore.

Muhamedi a.s. nuk ishte gjeograf, që ta studionte këtë shkencë dhe t’i shkruante këto teori kaq të sakta dhe precize para 1400 viteve, ku shkencëtarët e asaj kohe as që mund t’i paramendonin, e jo më t’i studionin dhe të shkruanin për to. Por edhe nëse supozojmë se Muhamedi a.s. ishte shkencëtari më i mirë i kohës, ai nuk do të kishte mundësi t’i dinte dhe t’i studionte këto fakte që gjenden në Kur’an, për arsye se teknologjia e asaj kohe nuk do t’ia kishe mundësuar këtë gjë. Për këtë Zoti xh.sh. në Kur’an thotë:

“Që pranojnë të dërguarin (Muhamedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon)…” (Araf, 157)

Zoti xh.sh. me anë të Kur’anit nuk iu drejtohet vetëm arabëve, por të gjithë njerëzimit pa dallim race, ngjyre, moshe, gjinie, apo niveli arsimor. Gjithashtu Zoti xh.sh. e dërgoi Muhamedin a.s. pejgamber për mbarë njerëzimin:

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse si mëshirë për botët.” (Enbija, 107)

Përveç kësaj, Kur’ani ka shumë fakte shkencore, jo vetëm të shkencës së Gjeografisë, por edhe shkencave të tjera si: Biologjisë, Mjekësisë, Astronomisë, Fizikës etj., disa prej tyre janë zbuluar vetëm në shekullin e kaluar. Këto zbulime në kohën e Muhamedit a.s, as që ishin menduar se mund të ekzistojnë, si dhe nuk kishin mundësi as që të zbulohen me teknikën e asaj kohe. Me përputhjen e plotë të të dhënave shkencore në fushën gjeografike dhe jo vetëm, të zbuluara në 2-3 shekujt e fundit, me shkrimet e shenjta, dëshmohet se këto nuk janë trillime të të dërguarit të Allahut, por fjalët e të Madhërishmit Fuqiplotë, i Cili ka formuar gjithçka që ndodhet në Tokë dhe në hapësirën e pafund të gjithësisë. Për këto fakte shkencore Zoti xh.sh. na tregon në Kur’an ku thotë:

“Thuaj: ‘Më tregoni, nëse ai (Kur’ani) është prej Allahut, e ju e mohuat atë, kush është më i humbur se ai që është në kundërshtim të fortë?’ Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 52-53).

 

Artan S. Mehmeti

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit