2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Gjeografët arabë dhe roli i tyre civilizues

Më të lexuarat

Prof. Dr. Abdul Fet-tah Mustafa Ganime

Perëndimit i ka interesuar çështja islame që kur, ka filluar të lexojë për qytetërimin, kulturën dhe civilizimin. Një herë kishte lulëzuar civilizimi grek, pastaj ai romak në juglindje të Evropës, po u përqendrua kryesisht në pellgun e detit Mesdhe dhe nuk u përhap në Evropën e Mesme dhe as në veri të saj, kështu që ato anë mbetën të prapambetura për një kohë të gjatë.

Myslimanët i kushtuan kujdes të madh shkencës së gjeografisë dhe ua kaluan të tjerëve. Ata lanë pas përpilime (librash), që edhe sot janë objekt studimi në Lindje dhe Perëndim dhe ende pimë (ujë nga ato burime).

Për këtë kishte ndihmuar zgjerimi i shtetit arab-islam dhe shtrirja e kufijve në Lindje dhe Perëndim. Myslimanët e konsideronin çështje të dorës së parë bartjen e diturisë edhe tek të tjerët. Në ato udhëtime gjenin edhe tregje të reja, prandaj u përgjigjeshin vendet e botës në atë kohë gjerë e gjatë.

Roli i Islamit është treguar pozitiv gjatë përhapjes së zërit të tij dhe prestigjit edhe përtej kufijve të botës islame

Myslimanët lidhën marrëveshje tregtare me shumë vende; evropianët bënë shumë përkthime librash të gjeografisë nga gjuha arabe në gjuhën latine nga fundi i mesjetës. Duhet shtuar se evropianët u janë mirënjohës arabëve për faktin që i kanë ruajtur njohuritë e grekëve të vjetër (nga shkenca) e gjeografisë nëpërmes përkthimeve që u kishin bërë arabët atyre në fund të mesjetës. Po, nëse arabët në fillim mbështeteshin në njohuri (informacione) nga libri “Mexhseti’’, ato ishin nga gjurmët e grekëve të vjetër, por me gjithë atë, profesorët arabë kishin përmirësuar shumë gabime që kishin bërë gjeografët grekë dhe atyre u kishin shtuar shumë përvoja të tyre.

Ndoshta duhen vëllime të shumta për të bërë fjalë për udhëtimet që kishin bërë gjeografët arabë, të cilët na kanë pajisur me të dhëna gjeografike. Në vazhdim po përmend disa prej tyre:

l. Jakubi (ka vdekur në vitin 284 h. 897 m.);

2. El-Esteri (ka vdekur 287 h. 997 m.);

3. El- Makdesi (ka vdekur 287 h. 997 m.);

4. El-Muhlebi (ka vdekur 285 h.);

5. Ibni Hardadhibe (ka vdekur 300 h. 912 m).

Dhe nga gjeografët e shekullit të gjashtë hixhri më i njohuri është Idrisi (560 h. 1166 m); Kazvini, Jakut El- Hamevi (shekulli VII h. 626 h. 1228 m) e nga shekulli VIII h. Ebul-Feda.

Arabët gjithashtu janë ata që ditën t’i shfrytëzonin detet për tregti . Edhe në këtë drejtim Evropa ka pasur dobi nga myslimanët.

Nga shekulli i nëntë hixhri dallohet Ibni Shahini, kurse nga udhëpërshkruesit më të njohur myslimanë janë: Ibni Minkidhi, Ibni Xhubejri (viti 614 h. 1216 m.), Ibni Betuta (ka vdekur 777 h. 1278 m). Çdo njëri prej tyre ka dhënë kontributin e vet në shkencën e gjeografisë. Shumica e librave të tyre janë përkthyer në latinisht. Arabët gjithashtu janë ata që ditën t’i shfrytëzonin detet për tregti. Edhe në këtë drejtim Evropa ka pasur dobi nga myslimanët.

Pastaj është përhapur civilizimi islam në pjesën më të madhe të botës që ishte e njohur në agimin e Islamit. Pushteti islam shtrihej nga India në lindje, deri në Oqeanin Atlantik në perëndim, dhe nga vendet e Kaukazit në veri e deri në Afrikën e Mesme në jug. Njohuritë që kishin, myslimanëve u mundësuan të zgjeronin tregtinë nëpër rrugë tokësore dhe ujore (detare). Më shumë se çdo popull tjetër, para se të zbulohej Amerika në gjysmën e dytë të shekullit të nëntë hixhri.

Ishte e natyrshme që karvanët tregtarë të myslimanëve të udhëtonin nëpër vendet e Vollgës dhe të Evropës së Mesme, jo veç në këto drejtime, po edhe në veri të saj. Në këto udhëtime ata përfitonin të mira materiale nga tregtia, po edhe zbulonin vende të panjohura dhe shihnin mënyra të jetës së atyre popujve. Kjo ishte pikënisje për të kontaktuar edhe me njerëz me përkatësi të ndryshme fetare e kombëtare; në ato udhëtime nganjëherë binin në kontakt me njerëz që kishin mosmarrëveshje civilizimesh. Këto udhëtime hapnin derën e garave, në mënyrë që në fund të arrinin rezultate për njohuri sa më të mira gjeografike.

Ato udhëtime bëheshin me synime të frytshme e të llojllojshme -ekonomike,fetare,shkencore, zbulime vendbanimesh etj… Të gjitha këto ishin një verifikim i hapjes së asaj që stimuloi Islami. Prandaj myslimanët u angazhuan në jetën e tyre të përditshme në përhapjen e thirrjes në Islam, në të gjitha regjionet, për të eliminuar mosmarrëveshjet civilizuese, pikërisht me shembullin e civilizimit islam, për të tubuar sa më shumë njohuri gjeografike e historike, dhe kjo sqaron rolin pozitiv të Islamit gjatë përhapjes dhe prestigjit të tij përtej kufijve të shtetit islam. Përgjatë shtrirjes së myslimanëve jashtë rajoneve arabe për t’u përballur me realitetin natyror njerëzor dhe për të ushtruar jetën faktike shoqërore në këto rajone të reja, argumenti më i mirë është shtrirja e myslimanëve në territorin e Evropës, dhe kjo argumentohet me farkimin e monedhës islame, e cila daton që nga shekulli i parë h. (monedhat – dinari i artë dhe dërhemi i argjendtë janë farkuar në kohën e kalifit emevit Abdul Melik ibni Mervani – sundoi 65-86 h./683- 7o5 m./, i cili deshi të ishte i pavarur nga monedhat e jashtme që përdoreshin deri në atë kohë. Vlen të përmendet se ai kishte thënë – nuk duhet të ketë monedha pa mbulesë! (vërejtja e jonë).

Ngecjet që kanë qenë në Rusi , Finlandë, Suedi, Norvegji e vende të tjera evropiane, janë dëshmi e faktit se në ç’nivel tregtar kanë qenë myslimanët

Tregtarët arabë-myslimanë importonin nga Evropa lloje të gëzofit,lëkura, shpata, këmisha mbrojtëse etj., kurse eksportonin në Evropë gjëra që prodhoheshin në Kinë, Indi, Egjipt e vende të tjera të Lindjes së Largët e të Mesme, si myshke kjafur-lloje parfumesh, tekstil, sixhade, xhama, qeramikë etj…

Ishte e natyrshme që historianët dhe gjeografët myslimanë t’u kushtonin vëmendje çështjeve të vendeve perëndimore, prandaj ata do të udhëtonin atje shpesh për të vështruar ç’kishte andej dhe për t’i shkruar ato të reja. Në përpilimet e tyre për historinë dhe shkencën kalendarike të vendeve, ata mbështeteshin në shkrimet nga udhëtimet si dëshmi që u bënë burime për dijetarët e mëvonshëm evropianë.

Autori i librit ’’Lidhjet shpirtërore’’, Ibni Rrustemi, ishte nga të parët e (udhëpërshkruesve myslimanë që kanë përshkruar vendet në jug të Rusisë dhe në Evropën e Mesme dhe për ato që kishin ndodhur atje rreth viteve 290 h. (902 m.). Pastaj atë e pasoi Ahmed ibni Fadlan, i cili kishte shkuar si i deleguar i Halifit abasit Muktedir Bil-lah, në vitin 309 h.(921m) te mbreti Bullgar në jug të Rusisë. Ai që më përpara e kishte përqafuar Islamin, por nuk dinte asgjë nga parimet islame dhe kishte kërkuar nga Halifi Muktedir të dërgonte dikë që t’ia mësonte parimet dhe Sheriatin islam. Ibni Fadlanin Halifi Muktedir e ngarkoi dhe e dërgoi atje me detyrën që t’ia lexonte letrat e Halifit Muktedir mbretit bullgar Kajser, e pastaj t’ia mësonte atij dhe popullit bullgar bazat e fesë islame. Mbreti i Sicilisë, Roxheri i Dytë 11o1-1154, zgjodhi Sherif Idrisin(1099-1166)për t’i hartuar librin-kalendarin e vendeve.

Kjo është një dëshmi se në ç’nivel shkencor ishin myslimanët në atë kohë. Ky libër mbeti një burim konsultimesh, tek i cili mbështeteshin studimet në Evropë deri në shekullin XVIII. Idrisi në udhëtimet e tij përshkruante qytete të ndryshme të Endelusit (Spanjës), dhe pati hedhur dritë mbi të gjithë ishujt dhe qytetet nëpër të cilat kishte qarkulluar.

Mandej kishte përshkruar lumenjtë, luginat, tregjet, minierat dhe llojet e tregtisë që bëheshin nëpërmes komunikacionit detar nga rajone të ndryshme. Përshkroi pastaj lloje mëndafshi, rrobash, kategori të bakrit dhe hekurit. Gjithashtu Idrisi kishte përshkruar pallate, kala, kështjella dhe kishte përmendur historinë e tyre në përputhshmëri me përshkrimin e mjedisit gjeografik për ato shtete-vende e qytete, si Xheneva, Roma, dhe të gjitha qytetet e Italisë, Francës dhe Anglisë. Idrisi, më tutje, kishte vizituar vendet e Endelusit, Veriun e Afrikës dhe Azinë e Vogël. Gjithashtu thuhet se kishte vizituar Francën dhe Anglinë, dhe këto i kishte vënë në përshkrimin e rajoneve veriore. Gjeografi Kazvini (12o8- 1283) autor i librit ’’Axhaib- Mahlukat’’, ku bënte fjalë për Qiellin dhe ç’ka në të bënte fjalë edhe për astronominë. Mandej kishte folur për Tokën dhe ç’ka në të, ka përmendur origjinën e Tokës dhe natyrën e saj, klimën që e rrethon atë; ka bërë fjalë edhe për erërat dhe llojet e tyre, për liqenet , ishujt , kafshët e çuditshme etj.. Pastaj ka folur (për tokë) e thatë dhe ç’ka mbi të nga gjërat e ngurta, po edhe për bimë e kafshë e për gjallesa në përgjithësi. Kazvini, në udhëtimin që kishte bërë në Francë, Gjermani e Holandë, në shekullin e VII-h / XIII m/, përpiloi një libërth, të cilin e quajti ’’Atharul-Biladve Ahbarul- Ibad’’ dhe të cilin e kishte filluar me tri parathënie:

E para bën fjalë për nevojën e njeriut për ngritjen e katundeve dhe qyteteve; E Dyta bën fjalë për specifikat e vendeve dhe atë e kishte ndarë në dy kapituj:

I pari – ndikimi i vendit tek banorët , i dyti – ndikimi i vendit tek bimët dhe kafshët, kurse parathënia e tretë bën fjalë për zonat e Tokës dhe njoftimet për popujt në të shkuarën dhe biografi të shumta për ulema, sulltanë, poetë, vezirë dhe shkrimtarë. Kështu filloi lidhja ndërmjet Perëndimit dhe Islamit, atëherë kur Perëndimi mësoi qytetërimin lindor.

Pastaj (mësoi) kulturën dhe civilizimin e tij, dhe filloi të pëlqente qytetërimin islam. Qytetërimi, kultura dhe civilizimi rrjedhin nga burimi dhe barten përmes Sicilisë, Italisë dhe Endelusit, këto rrjedhin nga gjurmët e tyre të qarta në librat e letërsisë , filozofisë dhe shkencave evropiane.

Në shekullin VI h./12 m., filluan lëvizje kombëtare politike në Evropë. Franca, Italia dhe vende të tjera u pavarësuan nga Perandoria Romake e Lindjes dhe kështu u shtua interesimi i Perëndimit për Lindjen, dhe prandaj u përpoqën të nënshtronin vendet e shenjta, u ndez fitili i zjarrit të luftërave kryqtare. Luftërat kryqtare (Kryqëzatat) u zhvilluan në tokat e vendeve të Shamit dhe Egjiptit. Në këto luftëra pati ndikim të drejtpërdrejt klima, dhe të dy palët u përpoqën të shfrytëzonin faktorin gjeografik në interesin e vet. Dhe vërtet bënë plane e taktika ushtarake, duke u mbështetur në natyrshmërinë gjeografike, e cila pati ndikim në disfatën e armikut.

Klima ka qenë armiku kryesor për kryqtarët – ajo kishte treguar ndikimin e vet në rrjedhën e luftës: myslimanët arritën të shumtën e rasteve ta shfrytëzonin klimën në luftërat e tyre. Për të ndjekur okupatorët evropianë myslimanët përdornin çdo resurs që kishin në dispozicion.

Armë tjetër ka qenë uji dhe/ose etja; ajo ka qenë me ndikim të fortë dhe, si pasojë e këtij resursi, ka ndodhur të dorëzoheshin kala e kështjella dhe në fushën e luftës ata (ushtarët) vraponin pas ndonjë pike që të çon te një burim uji; myslimanët këtë armë e përdornin në saje të njohurive që kishin për natyrën e vendit. Dhe, nga ana tjetër, myslimanët dëshironin të luftonin në verë, duke shfrytëzuar vapën e verës, ngase ajo ishte një kundërshtar i drejtpërdrejtë i luftëtarëve nga Perëndimi evropian gjatë luftës.

Në vitin 583 h.- 1187 m., Salahuddin Ejubi vendosi, t’u dilte përballë okupatorëve evropianë, pas shumë përpjekjeve që t’i largonte pa luftë, por negociatat përfunduan pa sukses. Atëherë, i mbështetur në Allahun e Lartësuar, ai iu kundërvu kryqtarëve duke shfrytëzuar të gjithë faktorët gjeografikë që kishte në dispozicion. Ata i takoi në muajin korrik afër Hitinit, ku mbretëronte një vapë e madhe. Shfrytëzimi i faktorëve gjeografik ishte i ngjashëm me taktikat e kryqtarëve, ata, për të u mbrojtur nga shigjeta, përdornin këmisha mbrojtëse të hekurit ose të llamarinës, një veprim që ua shtonte edhe më shumë vuajtjen nga vapa që mbretëronte në atë muaj. E asaj i shtohej edhe distanca, rruga e gjatë që kishin kaluar nëpër shkretëtirë derisa kishin arritur në fushën e betejës. Më pastaj aty pati marrë flakë bari i thatë dhe erërat frynin në drejtim të ushtrisë së krishterë, që shtonte edhe më shumë vështirësitë e tyre. Ushtrinë e krishterë e mbërthyen etja, vapa e ditës dhe vapa e luftës, sa kohë që arma e dytë që përdorën myslimanët kundër okupatorëve perëndimorë, ishte ujët. Salahud-Dini vendosi forcat e veta afër burimeve të ujit, duke u siguruar myslimanëve ujë, e nga ana tjetër, Salahud-Dini shkatërroi cisternat rrugëve nga kalonin forcat kryqtare. Këto masa që morën myslimanët, bënë që lufta të përfundonte shpejt në favor të myslimanëve. Ato luftëra të pakuptimta patën marrë fund, kryqtarët u shpërndanë, po ngelën të habitur nga sjellja e Salahud-Dinit, i cili nuk iu hakmor për krimet e papara që kishin bërë deri atëherë, kur patën hyrë në Jerusalem. Perëndimi pati rastin të shihte tolerancën, kulturën dhe civilizimin islam. (Për të mësuar më shumë ç’përfituan dhe ç’mësuan kryqtarët e Perëndimit nga myslimanët, shih: Bajrush Ahmeti, Historia islame 4).

Dhe filloi koha e shëtitjeve dhe udhëtimeve nga Perëndimi në Lindje. Një udhëtim të tillë kishte bërë Marko Bulu, lindur në Venecie në v. 1254 m. Ai kishte shkuar në Indi dhe Kinë përmes Azisë së Vogël e Veriut të Irakut dhe shkroi për këtë shëtitje, të cilën e quajti “Udhëtimi i madh’’. Më pastaj Fasko Dimaxhio nga Portugalia, në vitin 1497 m. zbuloi një rrugë tjetër, nga e cila u godit shteti Memalik në Egjipt, sepse ajo rrugë e dobësoi në masë të madhe ekonominë e Egjiptit, meqenëse u bë si rrugë tregtare drejtpërdrejt për në Evropë nga Lindja e Largët, sa kohë që më përpara tregtia bëhej kah Egjipti. Kështu Egjipti humbi doganat me të cilat mbulonte buxhetin e shtetit. Kësisoj u shtuan shëtitjet e perëndimorëve në vendet e Lindjes, sikurse u shtuan edhe shkrimet për përshkrimin e atyre vendeve. Disa perëndimor vini për të bërë pelegrinazhin në vendet e shenjta, disa të tjerë si të deleguar politikë për të vërtetuar miqësinë e mbretërve perëndimorë me sulltanët e Lindjes…

Në mesin e pelegrinëve që kishin ardhur në Lindje, ishte kalorësi gjerman Arnold fon- Haif, që kishte ardhur me synimin për të vizituar “Bejtul-Makdis’’-in në Jerusalem. Në atë shëtitje të gjatë, e cila zgjati tre vjet (1496-1499m), përveç Jerusalemit, ai vizitoi Egjiptin, Etiopinë, Palestinën dhe disa vende të tjera. Ato që vërejti në atë udhëtim, ai i përmblodhi në librin e tij në gjuhën gjermane, në dialektin e banorëve të rajonit të Rinit, dhe nga origjinali i asaj që transmetonte nga kjo shëtitje. Ai u takua me disa metalikë nga bashkëvendësit e tij, të cilët kishin ruajtur traditat e vendit të tyre dhe e kishin marrë mysafir në shtëpitë e tyre. I kishin ofruar pijebirrë të prodhuar në mënyrën gjermane. Mirëpo nga gjenerata e gjysmës së dytë të shekullit njëzet, ka orientalistë që pranojnë të studiojnë civilizimin islam, të bëjnë studime shkencore të shtyrë nga dëshira e admirimi dhe me frymë bashkëpunimi.

Marrë nga “Minberul-islami’’ nr.11, nëntor 2008

Përktheu: Bajrush Ahmeti

Dituria Islame 234

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit