2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Gjenerali Ristuccia: Në Kosovë trupat e KFOR-it shmangën një masakër, shpëtuam 15 policë të bllokuar në turmë

Më të lexuarat

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë dhe zhvillimet në veri të vendit, gjersa theksoi se arsyeja pse nuk është përshkallëzuar situata më 29 maj është për shkak se ushtarët e KFOR-it kanë vepruar në mënyrë shumë profesionale.

Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve AGI, komandanti Ristuccia ka thënë se ushtarët e KFOR-it më 29 maj kanë arritur siç tha ta shmangin “një masakër” dhe të shpëtojnë 15 policë në bllokuar në turmë.

“Falë profesionalizmit të njerëzve tanë, të cilët u përgatitën në mënyrën më të përshtatshme dhe që zbatuan rregullat e angazhimit në mënyrën më korrekte, u shmang një masakër. Ne arritëm t’i shpëtojmë 15 policë të bllokuar në turmë”, është shprehur komandanti i KFOR-it.

Ai më tej shtoi se arsyeja pse situata nuk u përshkallëzua më 29 maj ishte fakti që ishin të përgatitur shumë mirë.

“Ushtarët tanë vepruan shumë, shumë profesionalisht. Dhe dëshiroj të shpreh mbështetjen time të plotë për të plagosurit tanë dhe familjet e tyre. Ata vepruan aq profesionalisht, saqë arritën të menaxhonin që të mos përshkallëzohej situata, kështu shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam të dy palët të përplaseshin….”, theksoi ndër të tjera Ristuccia, transmeton Telegrafi.

Ai duke folur për situatën e sigurisë tha se KFOR-i është i përgatitur për të përballuar të gjitha sfidat.

“Për këtë, falë përgatitjes së ushtarëve tanë, ne kemi arritur që më 29 maj të parandalojmë që situata të përshkallëzohet më tej dhe të vajtojmë për të vdekurit në terren”, ka përsëritur komandanti.

“Unë theksoj se shumica e njerëzve demonstruan në mënyrë paqësore. Ky akt frikacak i dhunës kundër ushtrisë sonë u krye nga një numër i vogël ngatërrestarësh të dhunshëm që përdorën çdo mjet për të bërë dëm, përdorën mjete ofendimi deri në kufirin vdekjeprurës”, tha ai.

Sipas tij, aktualisht “situata është shumë komplekse, e tensionuar dhe e paqëndrueshme. Këto ditë në dukje është e qetë, por mbetet shumë e paqëndrueshme…”.

Komandanti i KFOR-it tha se duhet që të dyja palët të qetësojnë menjëherë tensionet, për të gjetur një zgjidhje vetëm me politikë dhe diplomaci.

Sipas Ristuccias, KFOR-i është plotësisht i përkushtuar për zbatimin e mandatit.

“Kjo është e sigurt. Dhe fakti që NATO ka dërguar këtë përforcime, me trupa shtesë, dëshmon për angazhimin tonë të plotë dhe seriozitetin me të cilin NATO po e trajton situatën. Ne jemi këtu për të siguruar që të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë të kenë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes. Mund t’ju siguroj se ne jemi plotësisht të përkushtuar për këtë dhe se jemi plotësisht të pajisur, të organizuar dhe të trajnuar për t’u përballur me sfidat me të cilat po përballemi tani”, ka thënë Ristuccia. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit