“Profesorët bahen kishe po ligjërojnë e studentat kishe po studiojnë”
Hyrje
Qëllimi i kësaj analize është t’i identifikojë përmbledhtazi problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Universiteti i Prishtinës (UP) që nga paslufta e deri më sot. Për këtë janë shqyrtuar dokumente të ndryshme dhe strategji të hartuara nga UP-ja, pastaj ligjet për arsimin e lartë, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës,raportet, analizat dhe studimet e OJQ-ve të ndryshme për UP-në, raportet e progresit të Komisionit Evropian (KE), etj.
Përzgjedhja e stafit akademik
Përzgjedhja e stafit akademik të UP-së, sidomos pas luftës në Kosovë (1998-1999), është bërë kryesisht në baza partiake/klanore/nepotiste/korruptuese. Politizimi i jashtëzakonshëm i UP-së është njëra prej të metave që përmendet edhe në Raportet e Progresit të KE-së për Kosovën. Organizata ÇOHU në hulumtimin “Universiteti cullak”, të publikuar në dhjetor 2013, konstatoi se një numër i konsiderueshëm i politikanëve (deputetë, ministra, zëvendësministra, këshilltarë politikë, drejtorë departamentesh qeveritare, etj.) ose i familjarëve të tyre janë pjesë e stafit akademik në UP. Sipas këtij hulumtimi, politikanët, me theks të veçantë ata nga PDK-ja (Partia Demokratike e Kosovës), kanë ndikuar jo vetëm në rekrutimin e stafit akademik, por edhe në zgjedhjen e organeve udhëheqëse të UP-së.
Avancimet akademike
Raporti “Integriteti akademik i drejtuesve të Universitetit të Prishtinës”, i publikuar në shkurt 2017 nga ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim), ka nxjerrë në pah se gati gjysma e drejtuesve të UP-së (anëtarët e Këshillit Drejtues, rektori dhe prorektorët, anëtarët e Senatit, dekanët dhe prodekanët) nuk i justifikojnë titujt e vet akademikë. Kjo do të thotë se këta pjesëtarë të stafit akademik të UP-së kanë të paktën nga një punim në revista të listuara si të dyshimta ose në publikime që s’i përmbushin kriteret e revistave të mirëfillta shkencore. Statuti i UP-së dhe Rregullorja për zgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik parashohin kushte mjaft të lehta lidhur me kriterin më të rëndësishëm: “punime në revistë shkencore relevante ndërkombëtare apo rajonale si autor i parë ose korrespodent”, të cilat përcaktojnë se profesori asistent duhet të ketë të paktën një, profesori i asocuar të paktën tri, ndërsa profesori i rregullt pesë publikime të tilla. Hulumtimi i CV-ve të profesorëve të UP-së mund të nxjerrë rezultate edhe më të këqija sesa këto të drejtuesve të UP-së.
Plagjiatura në punimet MA dhe PhD
Një aspekt tjetër që lidhet me mungesën e kualifikimeve të stafit akademik të UP-së është edhe plagjiatura në punimet e temave MA dhe PhD të pjesëtarëve të këtij stafi, por edhe të temave MA e PhD të mbrojtura në përgjithësi në UP. Çështja e plagjiaturës është trajtuar sipërfaqësisht dhe deri më tani nuk ka ndonjë hulumtim serioz gjithëpërfshirës për të, por indikacionet janë që plagjiatura është jashtëzakonisht e përhapur si te stafi akademik ashtu edhe te studentët në UP. Shumë shpesh, punimet e diplomave janë plagjiatura të punimeve të paraqitura në vitet e mëparshme, e ka raste edhe kur shkruhen kundrejt një pagese të caktuar nga individë që ofrojnë këso shërbimesh përmes rrjeteve sociale dhe shpalljeve që afishohen madje edhe nëpër hapësirat e UP-së. Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së në vitin 2014 deklaroi se afro 80% e profesorëve të UP-së kanë tituj shkencorë dhe publikime pa kurrfarë vlere. Madje edhe kur zbulohen punime plagjiate, jo që nuk jepen dorëheqje, por nuk ndërmerren as masa nga organet kompetente, e as dënim publik të veprimeve të tilla.
Plan-programet
UP-ja ka 194 programe studimi të akredituara nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), e cila është anëtare e plotë e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Nga këto 82 janë programe Bachelor, 86 Master dhe 26 PhD. Ekspertët vlerësojnë se AKA-ja nuk aplikon standardet e njohura ndërkombëtarisht për cilësi në procesin e saj të akreditimit. Programet studimore janë të shkëputura nga tregu i punës. Pastaj bëhet fare pak punë praktike gjatë studimeve universitare, kryesisht për shkak të numrit të madh të studentëve dhe planifikimit të dobët të programit mësimor. Nuk ka ndonjë hulumtim lidhur me plan-programet, madje shumë departamente të UP-së nuk i kanë plan-programet online. Duhet të hulumtohen: cilësia e plan-programeve; koordinimi i përmbajtjes së lëndëve me plan-programet; si dhe realizimi i plan-programeve. Raportet e Progresit për Kosovën të KE-së kanë sugjeruar që të reformohen plan-programet dhe të promovohet hulumtimi.
Literatura dhe bibliotekat
Në shumë departamente të UP-së studentët shpeshherë janë të shtrënguar që si literaturë të përdorin skripta dhe përmbledhje të ligjëratave, e ndonjëherë edhe teste të provimeve. Kjo lloj literature, për fat të keq, të shumtën e rasteve është pa ndonjë cilësi akademike. Për më keq, ka raste edhe kur profesorët i obligojnë studentët t’ua blejnë librat, edhe pse cilësia e tyre akademike lë mjaft për të dëshiruar. Një numër i konsiderueshëm i fakulteteve nuk kanë biblioteka, ndërsa edhe ato që kanë, i kanë dobët të furnizuara. Në shumicën e fakulteteve të UP-së, së bashku me bibliotekat e fakulteteve janë edhe sallat e leximit dhe mund të thuhet se gjendja nuk është më e mirë as në to: numri i ulëseve nëpër biblioteka dhe salla të leximit është shumë i kufizuar dhe orari i punës është shumë i shkurtër. Rreth 3 milionë € janë shpenzuar për përkthime të teksteve universitare në shqip, por shumica e këtyre teksteve gjenden nëpër depo.
Revistat akademike
Ndonëse me 13 fakultete që në vete ngërthejnë gjithsej 41 departamente, 42 programe, 5 module dhe 5 katedra, UP-ja aktualisht boton vetëm 3 revista shkencore. Mirëpo, këto 3 revista nuk i plotësojnë kriteret ndërkombëtare, prandaj nuk kanë as kode ndërkombëtare të revistave shkencore, por vetëm kode nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (BKUK). Pastaj, asnjëra nga njësitë akademike të UP-së nuk ka qendër kërkimore-shkencore funksionale, që do të thotë se nuk ka përkrahje financiare për hulumtime shkencore e as për botimin e revistave shkencore, ku do të mund të publikoheshin punimet eventuale shkencore. Po ashtu, pjesëtarët e stafit akademik nuk kanë motiv për të publikuar në revistat e UP-së, meqë për avancime akademike u kërkohen publikime në revista shkencore relevante ndërkombëtare ose rajonale.
Parapagimi në revista akademike botërore
Gjatë viteve 1970-80, UP-ja parapaguhej në një mori revistash akademike botërore. Ky parapagim, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, u ndërpre gjatë viteve ’90. Mirëpo, për fat të keq nuk vazhdoi pas luftës në Kosovë (1998-1999), e me theks të veçantë pas Shpalljes së Pavarësisë (2008). UP-ja, për disa vjet kishte qasje vetëm në 14 burime të ndryshme të informacioneve akademike dhe shkencore përmes platformës elektronike EBSCO. Në fund të vitit 2015, UP-ja siguroi qasje njëvjeçare në mbi 3.700 revista dhe mbi 28.000 publikime të platformës prestigjioze Science Direct të Elsevier Publishing. Kjo qasje nuk u vazhdua për vitin 2017.
Prania e profesorëve në ligjërata
Shumë profesorë të UP-së mbajnë poste publike e qeveritare dhe janë të punësuar në kolegje të ndryshme private, prandaj nuk kanë kohë t’i mbajnë ligjëratat në UP. Në vend të tyre mbajtjen e ligjëratave dhe të provimeve e bëjnë asistentët e tyre. Për më keq, në vend që të ndëshkohen për mungesën, këta profesorë, siç dëshmojnë raportet e auditimit, paguhen për ligjëratat që s’i mbajnë. Gjatë muajit prill 2017, ORCA ka monitoruar mbajtjen e konsultimeve sipas orareve zyrtare në tri Fakultete me numrin më të madh të studentëve në UP: Fakultetin Filozofik, Ekonomik dhe të Juridik. Nga ky monitorim ka rezultuar se shumë profesorë kanë munguar në konsultimet që duhet t’i mbajnë gjatë orarit të punës. Sipas të gjeturave të hulumtimit të ORCA-s, nga 1177 ligjërata sa janë monitoruar në Fakultetin Ekonomik, Filozofik dhe Juridik, 218 apo 18,5% prej tyre nuk janë mbajtur për shkak të mungesës së profesorëve. Për më tej, nuk ka shqiptim të masave dhe ndalesa financiare, ashtu siç parashihet në Rregulloren për Masat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të UP-së.
Vlerësimi i studentëve
Metodat e vlerësimit në UP i nxisin studentët të mësojnë mekanikisht (përmendësh). Studentët vlerësohen kryesisht me anë të provimeve përfundimtare, të cilat shpeshherë janë teste me zgjedhje të shumëfishta, që e nxisin të mësuarit mekanik. Kjo metodë përdoret për shkak se merr më pak kohë, e siç dihet numri i studentëve në UP është shumë i madh, gjë që e bën të vështirë vlerësimin e njohurive të tyre kreative/analitike. Për më shumë, shumica e studentëve e zgjedhin profesorin që e zhvillon testin me zgjedhje të shumëfishta e jo atë që u kërkon të shkruajnë ese. Pastaj, kopjimi është në masë të madhe i pranishëm në UP, kryesisht për shkak se shumë profesorë përdorin teste nga afatet e mëparshme të provimeve, të cilat sigurohen lehtë nëpër dyqanet për fotokopjim. Një tjetër problem është se ka pasur raportime për profesorë dorëshlirë në vlerësim, kjo ngaqë synojnë ta blejnë heshtjen e studentëve për shkak të paaftësisë për të ligjëruar dhe mungesave në ligjërata. Profesorët që janë edhe politikanë kështu synojnë të fitojnë vota nga studentët. Por ka raste edhe të sjelljeve mospërfillëse, nënçmuese, fyese e kërcënuese të profesorëve kundrejt studentëve.
Ngacmimi seksual
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis në fillim të vitit 2017 publikoi një raport të titulluar “Trajtimi i Ngacmimit Seksual në Universitetet Publike”, po theksi vihet në masë të madhe te UP-ja, si universiteti më i madh publik në vend. Ky raport pretendon se ngacmimi seksual është i përhapur – nuk ka të dhëna për shkallën e përhapjes – por nuk raportohet pothuajse fare, e kur raportohet në ndonjë rast, nuk ndërmerret pothuajse asgjë. Sipas këtij raporti, studentet nuk i raportojnë rastet e ngacmimit seksual sepse, përveçqë nuk besojnë se do të ndërmerret gjë, kanë frikë edhe nga pasojat e mundshme, por edhe nga turpi publik. UP-ja në 2013 ka përcaktuar një grup rregullash në Kodin e Etikës për Personelin Akademik, duke paraparë trajtimin e rasteve të ngacmimit seksual, por nuk ofrohen të drejta dhe detyrime specifike edhe për stafin administrativ a studentët e UP-së. Pra, nuk ka politika të hartuara specifikisht për rastet e ngacmimit seksual, përkufizime të qarta se cilat forma të sjelljes përbëjnë ngacmim seksual, shpjegime të procedurave të raportimit, për t’i inkurajuar studentët që t’i raportojnë rastet, e as përcaktim të procedurave që duhet të ndiqen nga stafi akademik dhe administrativ pasi të raportohen rastet dhe të fillojnë procedurat.
Vlerësimi i performancës së profesorëve
Sa i takon vlerësimit të profesorëve, mungon jo vetëm vlerësimi nga ana e studentëve, por edhe nga dekanati/rektorati. Për më shumë, përveç vlerësimit që bëhet nga Agjencia e Kosovës për Akreditim si pjesë e procesit të akreditimit, nuk ka kurrfarë vlerësimi për punën e UP-së nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) / Qeveria e Kosovës, si donator kryesor i UP-së (gati 30 milionë € për vitin 2017), e as nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport / Kuvendi i Kosovës, si themelues i UP-së.
Raporti profesor-student
UP-ja me 48.735 studentë, ka 924 pjesëtarë të personelit të rregullt akademik (mësimdhënës dhe asistentë). Veç kësaj, UP-ja çdo vit angazhon 479 mësimdhënës me orar jo të plotë. Raporti profesor-student është afërsisht 1:50 (Shqipëri 1:24, Serbi 1:23, Maqedoni 1:17, dhe Kroaci 1:9). Pagat mujore për mësimdhënësit e rregullt janë ndër më të mirat në rajon – prej 700 – 1.400 €, duke ua shtuar këtyre pagesat për orët shtesë, mbajtjen e provimeve, mbikëqyrjen e punimeve në Bachelor, Master, PhD dhe pjesëmarrjen nëpër komisione të ndryshme. Përveç kësaj, shumë profesorë japin mësim edhe në universitete të tjera publike ose private, gjë që ndikon dukshëm në cilësinë e përmbushjes së detyrave të tyre në UP.
Raporti student-infrastrukturë
Klasat janë të stërmbushura me studentë, pra numri i studentëve është në shpërputhje me hapësirën. Sipas të dhënave të Rektoratit, UP-ja ka gjithsej 86.116,00 m2, që kur pjesëtohet me numrin e tërësishëm të studentëve që është 48.735, del se në UP për një student ka 1.77 m2, që është nën standardet e arsimit fillor e të mos flasim për atë universitar. Rastet më ekstreme nga të gjitha fakultet e UP-së janë Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik me 11.925 m2 e me 17.834 studentë, që i bie 0.67 m2 për student, pastaj Fakulteti i Arteve me 7.151.00 m2 e me 935 studentë, që do të thotë 7.65 m2 për student.
Organizatat studentore
Nga të dhënat e hulumtimeve të realizuara nga BIRN-i në vitin 2009 dhe nga D4D në vitin 2015 dilte se rreth ¾ e studentëve të UP-së nuk ishin të kënaqur me organizatat studentore. Që nga paslufta në Kosovë (1998-1999), këto organizata nuk kanë pasur pothuajse asnjë projekt për ngritjen profesionale e shkencore të studentëve. Ato kryesisht janë marrë me organizimin e ekskursioneve, brucoshiadave e absolventiadave (madje, për këto organizime janë akuzuar nga studentët se kanë keqpërdorur), ose me aktivitete jashtë kompetencave të tyre e që u shërbejnë ekskluzivisht partive politike (p.sh. protestat kundër aktakuzave ose dënimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime). Organizatat studentore angazhoheshin ekskluzivisht në aktivitete politike edhe gjatë viteve ‘70 e ‘80 (Lidhja e Rinisë Socialiste – LRS) dhe gjatë viteve ’90 (Unioni i Pavarur i Studentëve – UPS). Madje, ka pasur raste kur liderë studentorë ishin përfshirë në ndërmjetësim të paligjshëm në provime dhe në regjistrim të studentëve të rinj. Në vend se të jenë gjeneratorë të reformave në UP, duke qenë, mes tjerash, faktorë me rëndësi në zgjedhjet për dekanët, Rektorin dhe Këshillin Drejtues, këto organizata janë kujdesur që në këto pozita të zgjidheshin profesorë të lidhur me politikën e të papërgatitur profesionalisht. Jo rastësisht, shumë liderë të organizatave studentore, falë shërbimeve që ua kanë bërë partive politike, sot kanë pozita të rëndësishme në institucionet e Kosovës. Shumica e studentëve, duke mos pasur besim tek përfaqësuesit e tyre, kryesisht heshtin kur ballafaqohen me probleme e parregullsi. Edhe interesimi i studentëve për të marrë pjesë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre është jashtëzakonisht i ulët. Prandaj, nuk ka llogaridhënie nga liderët studentorë, të cilët i shërbejnë një grupi të vogël klientelist dhe neglizhojnë nevojat e studentëve. Edhe mënyra e zgjedhjes / forma e përfaqësimit ka bërë që shumë departamente të mos kenë fare përfaqësues në Këshillin e Studentëve / Parlamentin e Studentëve. Po ashtu, zakonisht përfaqësues të studentëve zgjidhen studentët e dobët. Duhet thënë edhe se, udhëheqësit e këtyre organizatave janë pothuajse të gjithë djem.
Minoritetet në UP
Në vitet e para të pasluftës në Kosovë (1998-1999) për arsye të shumta ishte i pamundshëm integrimi i minoriteteve në UP, e sidomos i minoritetit serb. Mirëpo, pas Shpalljes së Pavarësisë (2008), Kosova ka pasur më shumë mundësi që – meqë synon të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe e Procesit të Bolonjës – të ofrojë arsim të lartë në gjuhët e minoriteteve, në radhë të parë në gjuhët sllave, por edhe në gjuhët e minoriteteve të tjera. Në vitin 2006 “Forumi 2015” ka publikuar një broshurë me disa shembuj të praktikës së mirë nga vende të BE-së për plotësimin e nevojave të grupeve minoritare për arsim të lartë. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, UP-ja ka filluar të regjistrojë studentë minoritarë: boshnjakë, romë, ashkalinj, egjiptianë dhe turq. Kuotat për pranimin e studentëve minoritarë kanë shkuar duke u rritur për çdo vit. Në vitin akademik 2016-2017 kuota ishte 12% (rreth 1 mijë studentë minoritarë). Duhet thënë se institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme ta përkrahin procesin e integrimit edhe të minoritetit serb në arsimin e lartë në Kosovë, mirëpo institucionet arsimore që zhvillojnë punën në gjuhën serbe kanë refuzuar çfarëdo bashkëpunimi me institucionet e Kosovës.
Përfundim
Nga shqyrtimi i materialeve të lartpërmendura, rezulton se UP-ja ballafaqohet me këto probleme: staf akademik të pakualifikuar; përzgjedhje të stafit akademik në baza partiake / klanore / nepotiste / korruptuese; avancime të pamerituara akademike; plagjiaturë;mungesë të plan-programeve koherente dhe te lidhura me nevojat e ekonomisë e shoqërisë në përgjithësi;mungesë të revistave shkencore; mosparapagim në revista shkencore ndërkombëtare;mungesë të bibliotekave; literaturë obligative të demoduar për studentët;mungesë të vlerësimit të profesorëve nga studentët dhe vlerësim i studentëve nga profesorët me metoda të demoduara; numër të studentëve në shpërputhje me numrin e profesorëve dhe me hapësirën fizike;organizatat studentore të politizuara, e me radhë.
(Kjo analizë u hartua për OJQ ADMOVERE (Transitional Justice | Education | Peacebuilding) me përkrahje nga KFOS (Kosovo Foundation for Open Society). Pikëpamjet e shprehura këtu nuk pasqyrojnë domosdo ato të organizatës ADMOVERE e as të KFOS-it)