3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Gjendja ime me Allahun

Më të lexuarat

Sa herë shkoj të shtrihem për të fjetur, më kujtohet vdekja dhe dalja para Allahut, por në gjendjen që jam nuk jam i gatshëm për ta takuar, jo se nuk e dua takimin me të, por gjynahet e shumta, dhe adhurimet e pakta, më frikësojnë të dal në këtë gjendje para Tij.
Shpresa më mban se ndoshta e nesërmja do të jetë ditë më e mirë se e sotmja, e mbushur me pendim dhe keqardhje për të kaluarën time të rrebeluar ndaj teje Zoti im.
Zemra më qan kur në sexhde qëndroj, them: Çdo detaj të jetës time e di, Zoti im. Çdo gjë jo të mirë që kam përjetuar, dhe jam lënduar prej saj e ke parë, se Ty nuk të fshihet asgjë.
U detajova në zemrën time, pash se është ngarkuar shumë me gjynahe, sa që gjuha mbetet e shtangur për t’i përshkruar ato. U trishtova kur pash se kjo gjendje e zemrës po e shkatërron raportin me Ty, o Zoti im.
I tregova kësaj zemre që lëngon, se je ngarkuar më peshën e rëndë të mëkatimit, që po peshon më shumë se toka mbarë, frika më kaploi kur llogarita se vetëm një nga këto mëkate mund të më hedhë më fytyrë në zjarr.
Kjo gjendje e rëndë shpirtërore më shtyn të kërkoj ndihmën Tënde ndaj vetes time, duke t’u lutur Zoti im që të më ndihmosh ta mposhti unin që pa ndal më urdhëron në të ndaluar.
Më ndihmo, ta realizoj ëndrrën e brendësisë së zemrës që të pendohem tek Ti me një pendim të sinqertë që aq shumë e kërkon shpirti im. Të bëhem rob i mirë duke u kthyer tek Ti me një pendim të sinqertë.
Të përgjërohem o Allah, me Emrat e Tu të bukur dhe Cilësitë e Tua të bukura të më dhurosh forcë, ta mposhti të keqen që gjendet në veten time, e cila po ma shkatërron lidhjen me Ty. Po rebelohem ndaj Teje, ndërsa Ti më dhuron vazhdimisht mirësi, dhe mundësi për përmirësim. Ah mjerë për mua, jam duke e hidhëruar Allahun që më shumë se veten e du.
Betohem në ty o Allah, dhe jam i kënaqur me çdo caktim për mua, caktimi Yt është i drejtë. Ti Zoti im di çdo gjë, ndërsa unë robi Yt nuk di asgjë.
Ti je i Adhuruari im, Zoti i çdo krijese, kërkoj që Ti të jesh i Dashuri im, dhe të më bësh nga të dashurit e Tu.
Se ky është qëllimi kryesor i jetës sime, nuk qetësohet zemra dhe nuk pushon gjuha së kërkuari derisa ta arrij këtë qëllim, pa të cilin jeta nuk ka kuptim.
Andaj them nga thellësia e zemrës me gjithë forcën që kam: Allahu im më duaj mua, dhe urdhëroj melekët e qiellit të më duan.
Toka nuk është vatani im, dhe as njerëzit e saj qëllimi im.
O Allah, t’i krijove zemrën time, dhe mbjelle në të dashurin Tënde, ma mundëso të kujdesem për të që asnjë qast të mos jetë kjo zemër e shkujdesur nga dashuria për Ty. Largo prej saj çdo dashuri tjetër dhe bëje që të tjerët t’i dua vetëm për Ty.
Vendos ne këtë zemër çfarë Ti je i kënaqur, dhe largo prej saj çdo gjë që të hidhëron Ty, rrotulloje gjithëherë drejt kënaqësisë Sate, o Rregullues i zemrave.
Të jam dorëzuar me mallëngjim, se vetëm Ti je i dashuri im, e di se e kam tepruar me gjynahe dhe rebelim, s’e meriton këtë qasje time ndaj Teje. Kam shumë të meta, më përmirëso o Allah që je pa të meta.
Me mëshirën Tënde mos lejo që kjo zemër të largohet prej Teje, ti je synimi i zemrës sime.
Jam duke u munduar që të lë gjithçka që Ty të hidhëron, ndihmoje robin Tënd të dobët e të rraskapitur që rënkon nga plagët e mëkatimit dhe largimit prej Teje.
Zemra më është errësuar, me urtësinë Tënde largoje këtë errësirë nga kjo zemër, ndriqoje atë, t’i kuptoj gjërat siq Ti kërkon, qetësoje nga zhurmat e epsheve dhe devijimeve, ruaje nga errësirat e mashtrimeve, të lutem o Allah, vendos në të dashurin Tënde.
Zoti im, cfarë të them, kur Ti di çdo gjë, e di çdo mendim që godet këtë zemër, jam i dorëzuar para Teje, Ty të jam mbështetur, prej Teje ndihmë kërkoj.
Rregulloje raportin mes meje dhe Teje, ky është qëllimi im, i pari dhe i fundit, mos lejo rebelim ndaj teje o i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim.
Më largo nga gjynahet, më distanco prej tyre ashtu siç distancove lindjen prej perëndimit.
Ti bën çfarë të don, e Jotja është të thuash ‘bëhu’ dhe ajo bëhet menjëherë.
Bëj me mua çdo gjë që të kënaq Ty!

Fitim Gërguri
10.05.2023
Bardh I Madh!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit