Mungojnë edhe statistikat e besueshme për atë se sa gra vijnë vetëm në Gjermani dhe sa me bashkëshortin ose anëtarë të tjerë të familjes. Por për Schwesig është e qartë se nevojat e posaçme të grave në strehime deri tani nuk respektohen si duhet. Gratë kanë marrë arratinë prej luftës, terrorit dhe shtypjes dhe shumë prej tyre e përjetojnë dhunën edhe në ikje e sipër, thekson ministrja. “Këto gra kanë nevojë për mbrojtjen tonë”.
Çertifikatë për sjellje të mirë për ndihmësit e refugjatëve
Në praktikë, këto mund të jenë dhoma ndenjieje për gratë në strehime, pajisje sanitare të veçanta ose një strehim ndaras i nënave me fëmijë. Një program investimi prej 200 milionë eurosh, të cilin qeveria gjermane do ta zbatojë që prej marsit, do të ofrojë ndihmë për këtë situatë. Përsa i përket përkujdesjes për fëmijët, qeveria gjermane synon të mbyllë një boshllëk: të gjithë ndihmësit në strehimet e refugjatëve në të ardhmen duhet të paraqesin një dëshmi për sjelljen e tyre, në të cilën të jenë shënuar dënimet e mëparshme – si p.sh. për vepra penale seksuale. Në përgjithësi, personeli në strehimet e refugjatëve do të sensibilizohet dhe shkollohet për këtë temë.
Qasja te oferta për ndihmë
Kur në strehimet e refugjatëve gratë bëhen viktima të dhunës seksuale ato shpesh nuk dinë kujt t’i drejtohen. Këtë e ngarkuara për Integrimin, Aydan Özoguz kërkon ta ndryshojë – me informacione të caktuara për ndihma. “Këtu kemi të bëjmë me një fushë shumë të ndieshme, e cila ka të bëjë edhe me përvoja gjuhësore dhe kulturore dhe kësaj fushe ne do t’i kushtohemi si duhet tani”, thotë Özoguz. Që tani është ngritur një linjë direkte telefonike, e cila punon njëzetekatër orë në ditë. Gratë e prekura i këshillojnë në 15 gjuhë të ndryshme. Informacione si këto do të shpërndahen në të ardhmen më fort në strehimet e refugjatëve.
Edhe në kurset e integrimit duhet të bëjë pjesë tema e barazisë gjinore, kërkon ministrja Schwesig. “Ka rëndësi që ta dinë të gjithë meshkujt se pikërisht çështja e barazisë gjinore është shumë e rëndësishme në kodin tonë të vlerave”, thekson politikania e SPD.