Nga: Dr. Selman Aude
Gëzimi i mbylljes – Selman Aude
Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre, Profeti a.s thotë:”Agjëruesi ka dy gëzime, njërin kur çel iftar dhe tjetrin kur të takojë Zotin e tij.” (Buhari dhe Muslim)
Gëzimi i iftarit, është sa herë që çel iftar, ashtu dhe kur mbyll muajin e Ramazanit. Ai është një gëzim për diçka shpirtërore, e cila lidhet me agjërimin, suksesin e agjëruesit për të vepruar sa më shumë punë të mira, suksesi në frenimin e nefsit duke synuar me këtë kënaqësinë e Zotit. Por është gëzim edhe fizik, pasi tashmë lejohet të ngrënit, të pirët dhe gjithçka tjetër që na ishte ndaluar.
Në koleksionin e Buharit, gjejmë se Sehl ibnu Sad ka thënë:”Ne gëzoheshim jashtë mase ditën e xhuma, pasi një e moshuar merte disa rrepa, i hidhte në një enë dhe i ziente duke i përzier me elb. Me të përfunduar namazin, ne shkonim dhe e vizitonim. Ajo na ofronte ushqimin dhe ne gëzoheshim çdo të xhuma për këtë.”
Gëzimi i tyre, së pari kishte të bënte se e xhumaja është ditë feste javore e myslimanëve, është ditë adhurimi, takimi mes tyre dhe ditë ku dëgjonin porosi dhe këshilla. Po ashtu, ajo ishte ditë gëzimi pasi shkonin tek ajo grua e moshuar medinase, e cila i ushqente me rrepa.
Kurse gëzimi më madhështor i agjëruesit, mbetet atë ditë kur të dalë para Zotit të tij dhe të shohë sevapin e veprave. “Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij…” (Al Imran, 170)
Gëzimi dhe hareja e besimtarit me muajin e Ramazanit, ndodh për shkak se ai është muaji i pendimit dhe faljes hyjnore. Besimtari uron që Zoti t’ia pranojë pendimin dhe ta ndihmojë të largohet nga gjynahet, gjë e cila e gëzon dhe vetë Zotin. Thotë Profeti a.s:”Zoti gëzohet shumë kur robi i tij pendohet, madje gëzohet më shumë se ç’gëzohet udhëtari në mes të shkretëtirës, ku i humbet devaja e cila mbart ushqimin dhe ujin. Ai i humb shpresat se mund ta gjejë, prandaj shtrihet nën hijen e një peme, ku e zë gjumi. Kur zgjohet, sheh devenë e tij tek koka dhe nga gëzimi i madh, thotë:”O Zot, ti je robi im, kurse unë jam zoti yt.” U ngatërrua nga gëzimi i madh që e përshkoi.” (Buhari dhe Muslim)
Të gëzuarit është pjesë e natyrës së njeriut, ai është instinkt ashtu siç është zemërimi. Ai është motiv që e shtyn dhe nxit njeriun për produktivitet dhe për ta shijuar jetën.
Njeriu vlen të gëzohet edhe për gjëra të vogla, madje lipset ta mësojë veten me këtë.
Pas Ramazanit, besimtarët kanë një rast tjetër gëzimi dhe hareje, atë të kurban bajramit, ose ritualit të Haxhit. Ata kalojnë nga një festë në një tjetër, herë fitër bajrami e herë kurban bajrami. Është shumë e rëndësishme që njeriu ta përmbushë nevojën e tij për kënaqësi, gëzim dhe hare në jetë, por në mënyrë sublime dhe etike, larg shkeljeve të kufijve të cilat në fakt e rëndojnë zemrën me trishtim, stres, dhimbje dhe brejtje ndërgjegjeje.
Gëzimi nuk është një përjashtim në të cilin lejohet kapërcimi i të gjitha kufijve. Ky gëzim, sa më shumë të jetë i lidhur me normat e sheriatit, aq më shumë garanton vazhdimësinë dhe shtrirjen në kohë.
Të gëzohesh, në vetvete është diçka e natyrshme dhe normale. Për këtë, Aisheja, Zoti qoftë e kënaqur me të, gëzohej gjatë bajramit dhe ndiqte plot kureshtje ahbashët teksa luanin në xhami. Vetë Profeti a.s bënte ç’mos që ti ofrojë një pamje sa më optimale.
Një herë, Ebu Bekri hyri në shtëpinë e Profetit a.s dhe aty gjeti dy vajza të cilat i binin defit për bajram. Ai u nevrikos dhe tha:”Çfarë?! U bihet veglave të shejtanit në shtëpinë e të dërguarit të Zotit?!” Por Profeti a.s ia ktheu:”O Ebu Bekr! Çdo popull ka festat e tij, kurse kjo është festa jonë.”
Arabët para islami kishin festat e tyre në të cilët gëzoheshin dhe festonin. Islami nuk erdhi ti privojë njerëzit nga gëzimi, hareja dhe festimi, duke i konsideruar si gjëra të dënuara. Jo. Ajo që bëri islami, është se festat pagane si nevruzi etj… i zëvendësoi me festa islame si Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Veç kësaj, ua njohu njerëzve të drejtën për tu dëfryer, luajtur dhe kënaqur, aq sa përmbush qëllimin e gëzimit dhe haresë.
Ditën e bajramit, është obligim pjesëmarrja në namazin e bajramit, saqë preferohet të dalin edhe gratë me arsye që nuk mund të falen, por që është mirë të jenë të mbuluara. Kudo duhet të mbretërojë atmosfera e festës, gëzimit, bashkëveprimit, ndjenjave të ngrohta dhe solidaritetit.
Në festat islame, është sanksionuar dhe sadakaja e fitrit dhe kurbani, me qëllim që edhe të varfrit të jenë pjesë e festës dhe gëzimit. Bajrami dhe festat tona janë një shans për të konfirmuar identitetin kolektiv dhe forcimin e lidhjeve me njëri-tjetrin. E si mund të konfirmohet dhe plotësohet identiteti nëse kemi dallime të thella mes individëve të shoqërisë?! Si mund të ndodhë kjo, nuk mungon dhembshuria dhe ndjesia për vuajtjet e tjetrit?!
Ky është një koncept që motivon dhe nxit tolerancën, zemërdëlirësinë, komunikimin, vizitat dhe miqësinë mes njerëzve. Ai nxit distancimin nga çdo formë mërie dhe zënke mes bashkëshortëve apo qoftë dhe fqinjëve, duke mos lejuar që të prishet atmosfera e bajramit. Ai është një shans për forcim të lidhjeve farefisnore, duke u bërë dhurata dhe duke dëfryer bashkarish. Ky është gëzimi dhe hareje e kërkuar.
Sakaq, gëzimi dhe hareja e dënueshme, ka të bëjë me dy elementë:
I pari; të jetë një gëzim që realizohet nëpërmjet diçkaje që e ka ndaluar Zotit. Në Kuran, Zoti i kërkon Musait a.s që t’i komunikojë Karunit:”Mos u ngazëlle (me pasurinë që ke), sepse Allahu nuk i do ata që ngazëllehen!” (Kasas, 76) Pra, të gëzohesh e ngazëllehesh sepse zhvat pasuritë e njerëzve, është diçka e dënueshme dhe e papëlqyer nga Zoti.
“Ky dënim është për shkak se gëzoheshit në tokë, pa kurrfarë të drejte dhe ngaqë keni qenë të ndërkryer.” (Gafir, 75)
Kjo formë gëzimi është e padrejtë. Ajo i ngjan atij zullumqarit që ka triumfuar ndaj atyre që i ka persekutuar dhe syrgjynosur.
I dyti: Ekzagjerimi në gëzim duke i kapërcyer kufijtë e të mesmes. Në raste të tilla, gëzimi shndërrohet në mërzi dhe vuajtje. Ai që e tepron me gëzim, e tepron dhe me mërzi e hidhërim. Ai është njeri i që se kontrollon dot veten.
Perktheu: Elmaz Fida
…