Si këtë javë, një vit më parë, Senati Amerikan votoi me 97 vota pro dhe 2 kundër për pranimin e Malit të Zi në NATO. Javën e shkuar u bënë 19 vite që kur avionët e NATO-s bombarduan atë që kishte mbetur nga ish-Jugosllavia.
Përvjetori duhet të shërbejë për të na kujtuar se demokracitë e brishta të republikave ish-Jugosllave kanë nevojë për vëmendje nga të dy partitë e Uashingtonit, në mënyrë të vazhdueshme dhe me ide të reja, sepse vëmendja e Moskës nuk ka munguar.
Aleatët tanë europianë i kanë kushtuar kohë dhe burime të konsiderueshme Ballkanit. BERZH ka investuar 12.3 miliardë dollarë deri më sot në rajon.
Dimri më i ftohtë në vitet e fundit sapo u mbyll dhe Ballkani luajti sërish një rol domethënës për sigurinë energjetike të Europës. Pavarësisht përpjekjeve për ta përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të rinovuar infrastrukturën e amortizuar të gazsjellësve ekzistues, BE nuk ka arritur të krijojë pavarësi nga gazi rus. Në fakt, furnizimi nga Gazprom arriti nivele rekordi këto dy vitet e fundit, prej rritjes së kërkesës dhe uljes së prodhimit në Detin e Veriut. Buxheti rus varet shumë nga eksportet e hidrokarbureve dhe Kremlini është i vendosur ta mbrojë pjesën që kanë kompanitë e tyre në treg.
BE ka investuar në disa projekte infrastrukture në Ballkan, me synimin për ta stabilizuar më shumë zonën e për të krijuar bashkëpunim mes shteteve. Vitin e shkuar u dhanë 3 milionë dollarë në Shqipëri dhe Mal të Zi për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi ndërtimin e një gazsjellësi 500 kilometra të gjatë. Pasi të ndërtohet, Gazjellësi Jonian Adriatik (IAP) do të lidhet me sistemin ekzistues në Kroaci. Në Shqipëri po punohet me ndërtimin e TAP, Gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili do të lidhet me Korridorin Jugor të Gazit, një element jetik për sigurinë europiane të energjisë. Ky do të ishte gazsjellësi i vetëm në Europë që nuk e ka burimin nga Rusia.
Të dyja partitë e Kongresit amerikan kanë dhënë përpjekje për ta shtuar eksportin e gazit natyral në Europë. Por vëllimi i eksportuar në vitin 2017 nuk mjafton për të ndryshuar situatën në kontinentin e vjetër, sepse atje ka shkuar vetëm 13% e gazit amerikan. Megjithatë, eksportet amerikane u dhanë vendeve ballkanike mundësinë për ta ulur pak çmimin e gazit rus. Prapëseprapë, infrastruktura e amortizuar mbetet pengesë e madhe për të krijuar konkurrencë të mjaftueshme. IAP jo vetëm që do të shtojë burimet e gazit në rajon, por do të ndihmojë me ekonominë si dhe me integrimin në bashkësitë trans-Atlantike.
Ky nuk është debat partiak në Kongres. Pas aneksimit të Krimesë, Nën-Komiteti i Senatit për Çështjet me Europën zhvilloi një seancë dëgjimore për të shqyrtuar mundësitë e SHBA-së për ta rinovuar vëmendjen mbi sigurinë energjetike të Europës. Chris Murphy, senator i Konektikatit dhe Ron Xhonson, senator i Uiskonsinit, kanë folur kundër ndërhyrjeve ruse para se ky term të kthehej në fjalë dite në Uashington.
Popullsia totale e tri vendeve ballkanike, (Kroaci, Mali i Zi dhe Shqipëri), është më e vogël se popullsia brenda metropolit të Washington D.C. Megjithatë, rëndësia e tyre në sigurinë energjetike të Europës nuk mund të shpërfillet. Zv/Presidenti amerikan, Mike Pence e vizitoi rajonin vitin e shkuar dhe shprehu qëllimin e tij për të forcuar lidhjet midis bashkësive Europiane, Ballkanit Perëndimor dhe SHBA-ve. As Senati nuk duhet ta lërë pas dore këtë zonë të brishtë dhe këtë gazsjellës kaq kritik.